9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Pse opozita nuk ka një përgjigje të prerë për hashashin?

Më të lexuarat

Dëgjova fjalën e Lulzim Bashës në Tepelenë, një zonë e cila realisht është prekur nga mbjellja e hashashit, dhe është dëmtuar dyfish.

Është dëmtuar së pari se ka hyrë në spiralen e një ekonomie kriminale dhe së dyti se nga kjo ekonomi kriminale, nuk ka pasur fitime, por vetëm dëme financiare, përndjekje nga policia dhe rrezik të jetës.

Lulzim Basha i kompleksuar nga ideja se po të sulmojë hashashin do të humbasë vota, ka përdorur disa fjali të rrumbullakosura, që dëshmojnë për karakterin e tij të dyzuar si politikan, i cili nuk di të mbajë një qëndrim ndaj një fenomeni kriminal.

Sipas Bashës, “qeveria e tij do të ndërpresë lidhjet me krimin dhe do t’u japë qytetarëve shanse të barabarta”.

Kjo fjali mund të merret në kuptimin që qeveria nuk do të lejojë disa kriminelë të merren me hashash, por do t’i lejojë gjithë qytetarët të jenë me shanse të barabarta. Në fakt këtë të dytën e bënë socialistët, pasi ata hoqën monopolin e hashashit në Lazarat dhe tani duket se u ka ik nga duart situata në gjithë vendin.

Problemi i opozitës së sotme, është si i opozitës socialiste në vitin 1996, e cila jo vetëm që nuk fliste dot hapur kundër fajdeve, por nga që kishin ngelur pa punë, shumë prej tyre ushqeheshin me to. Dhe nga frika se mos dëmtoheshin në vota, ata nuk mbajtën kurrë një qëndrim të fortë dhe të prerë kundër tyre para zgjedhjeve të 26 Majit.

Lulzim Basha po vepron njësoj dhe ka të nëjtin hall me “mbështetësit e tij në bazë, të cilët në shumë raste janë menaxherë të njohur të hashashit në zonë.

Ai nuk ka një qëndrim të prerë dhe të fortë kundër çdo rrënje hashashi në Shqipëri, por rrumbullakos gjuhën kur flet në Tepelenë, sikur të ishte, dikur në Lazarat.

E vërteta është se në Tepelenë, Përmet e Gjirokastër, askush nuk ia ka parë hajrin hashashit dhe askush nuk ndjehet i rrezikuar apo mërzitur nëse përdor gjuhë të ashpër kundër tij.

Lulzim Basha është peng i keqkuptimeve me Lazaratin, ku në një territor të mbyllur, nuk depërtonte dot shteti dhe taksidarët e Lazaratit, ishin në zyrën e Lulzim Bashës në Tiranë, si Ministër i Brendëshëm.

Sot përhapja e kultivimit të hashashit, është në përmasa të rrezikshme nëse lejohet të zhvillohet më tej dhe nëse nuk mbahet një qëndrim i prerë politik. Të shprehurit qartë dhe prerë kundër hashashit, është detyrë formale e çdo politikani të pushtet dhe në opozitë. Është detyrim për të mos i dhënë asnjë shpresë një fenomeni që mund të bëjë Kolumbi një vend pa shpresë dhe ta zgjasë agoninë e rikthimit të njerëzve në jetën e tyre reale, në ekonominë e vogël, dhe në punën e ndershme.

Opozita e Lulzim Bashës e kompleksuar dhe e autosugjestionuar nga gënjeshtrat që thotë vetë, mendon se me hashash bëhet politikë dhe merren vota dhe rrumbullakos gjuhën, duke u premtuar njerëzve shanse të barabarta, edhe para një ekonomie kriminale.

Hashashi duhet luftuar si ide, si projekt, si realitet, dhe si një e ardhme e zymtë e Shqipërisë. Viktimat e tij më të mëdha, do të jenë njerëzit e varfër, në emër të të cilëve, thuren vizione shpëtimtarësh. Ata do të jenë sklelvër me pagesë qesharake, në një ekonomi kriminale, ndërsa krimi mund të prodhojë një shtet paralel, që do diktojë këtu rregullat e lojës politike, dhe të ardhmene e vendit. Çdo iluzion se prej asaj ekonomie, do ketë një ringjallje të vendit është utopi. Qeveria zyrtarisht po bën luftë me hashashin. Unë jam skeptik për ato shifrat e larta të shkuljes së hashashit, por besoj se një pjesë e madhe e asaj ekonomie kriminale, është dëmtuar nga policia. Dhe kjo rrit në një farë mënyre fuqinë e shtetit, por dhe stresin e njerëzve të varfër të përfshirë në këtë ekonomi kriminale, që kanë humbur gjithçka. Opozita duhet të jetë tërësisht e qartë, kundërshtuese dhe nuk duhet ti japë shpresë askujt në emër të asaj ekonomie kriminale.

Vetëm një politikan pa shtyllë kurrizore, që beson gënjeshtrat që thotë vetë, se me hashash blihen vota, përdor gjuhë të dyfishtë ndaj këtij fenomeni. Siç besonin socialistët në vitin 1996, se po të flisnin kundër fajdeve nuk do ti votonin njerëzit, ashtu dhe Basha duket se ka të njëjtin kompleks. Ndoshta e ka ngaqë është martuar me mbesën e Vebi Alimuçës dhe mbi të gjitha nga fakti se ato fajde i rregulluan jetën dhe të ardhmen në Hollandë. Po uji nuk kalon dy herë mbi të njëjtin gurë./MERO BAZE/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit