13 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

“Provokacja” e stisur e Ahmed Kalasë: si ra imami i njohur n’kazan, ditën e Krishtlindjeve

Më të lexuarat

Nga Ermir Hoxha

Një status për Krishtlindje i imamit të njohur Ahmed Kalaja, dedikuar pikërisht figurë së Jezusit – ose Isait siç njihet në Islam – është bërë shkak për linçim të tij, jo në rrjete sociale por në një shumicë portalesh, ku çuditërisht dhe paradoksalisht, sikur të kishin të njëjtën kokë drejtuese, edhe pse linja editoriale të ndryshme, në lajmin mbi statusin në titull kishin fjalën “provokon”. Dhe kjo ndodhte si në portale të drejtuara nga hunj gardhi dhe injorantë me nam në dijen më fillestare fetare, e si në të tilla me drejtues të lëçitur, që i sheh të ngrefosur nëpër studio televizive me skeptrin e dijepërçuesit për opinionin, për çështje të ndryshme. (Fotoja kryesore e shkrimit i përket lajmit të dhënë në 360-gradëshin e Zhejit, aty ku mund të informoheni dhe sesi një çupërlinë shqiptare po çmend Europën me të pasmet e saj(!))

Por çfarë i ka bashkuar, është padyshim zvetënimi moral. Se më e pakta, gjersa është fjala për prekje në sentimente të holla fetare, për hir të së vetmes pasuri që na ka mbetur, si formë e një morali përbashkues shoqëror në zbrazëtinë e frikshme ku ndodhemi, e që është bashkëjetesa fetare, kjo e fundit të mos cënohet, të mos çohet për lesh si shumë e shumë të tjera resurse virtyti shoqëror që i kemi humbur prej kohësh.

Nëse vërtet Ahmet Kalaja do kishte provokuar, do gjendej së paku një klerik i krishterë që t’i tërhiqte vërejtje, ose te shprehte pezmin e tij për fjalët e imamit. Nuk ka ndodhur dhe nuk ka sesi të ndodhë, pasi ka prej atyre madje që fort mirë e dinë se kleriku musliman ka thënë një të vërtetë brenda vetë delikatëses teologjike që mbart çështja e statusit të Jezusit, e së kaluarës dhe e së ardhmes së tij. Tek e fundit, nëse nuk do ekzistonin diferenca mes dy besimeve, ato nuk kishin si të ishin dy besime por një. Janë dy pasi nuk pajtohen në çështje të caktuara.

Në statusin e imam Kalasë sqarohet pozita e një besimtari musliman karshi një figure si Jezusi me referencë kuranore, ku ka një përnderim në shkallën më të lartë. Madje këtu është dhe thelbi i bashkëjetesës, pasi pikat përbashkuese qëndrojnë mbi ato ndarëse. Dhe nëse fjalët e klerikut Kalaja do ishin lexuar drejt, e mbi të gjitha moralshëm, pra duke qëndruar jashtë kazanit, titulli i lajmit do mund të ishte dhe ky: “Hoxha investohet në bashkëjetesën fetare: ja pse e dua Jezusin!”.

Nuk është e hera e parë që ai e të tjerë si ai, bien në kazan. Mjaft të hapin gojën, dhe një lukuni tastierrënësish nxiton të gjejë “djallin në detaje” për t’a djallosur gjithë çka thuhet, nën afshin e pasjes me patjetër të një lajmi të keq, si lajmi i mirë. Ndryshe nuk kish si të ndodhte që të gjitha ta fusin veten me një thes me një mënyrë fikse të servirjes së lajmit. Pra, nuk ka funksionuar as egoja më minimale profesionale, në bërjen e një lajmi ndryshe, pa u bërë kopjac i keq, me duar që funksionojnë – shkruajnë – e mendje që s’punon. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit