Lavdërimi i takon Allahut, ndërsa paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij.
Është e hijshme të kujdesemi që, para hyrjes së muajit, të mbahen mësime mbi dispozitat e agjërimit dhe gjërat që e prishin atë, nga një prej librave të fikhut të medhhebit të pranuar.
Të mbahen mësime mbi rëndësinë e dashurisë për hir të Allahut dhe urrejtjes për hir të Tij, si dhe mbi pastërtinë e zemrave nga mllefi, smira, armiqësia dhe zilia.
Të jepet një mësim për ruajtjen e gjuhës nga përgojimi, bartja e fjalëve dhe fjalët e kota.
Duhet përgatitur shtëpia dhe rrobat e Bajramit para Ramazanit, që të mos na shpërqendrojnë nga shfrytëzimi i këtij muaji.
Është e dobishme të flitet për nijetin dhe domosdoshmërinë e shoqërimit të tij në të gjitha veprat tona. Në Sahihun e Muslimit transmetohet nga Ebu Hurejra, në hadith kudsij:
“Nëse robi Im synon të bëjë një vepër të mirë, Unë ia shkruaj një të mirë përderisa nuk e ka vepruar; e nëse e vepron, ia shkruaj dhjetëfish.”
Ndër nijetet që duhet të mbahen vazhdimisht në mendje janë:
• Nijeti për realizimin e devotshmërisë, e cila është synimi i parë i agjërimit.
• Nijeti i pendimit të sinqertë dhe kthimit të mirë tek Allahu.
• Nijeti i itikafit.
• Nijeti i përpjekjes kundër vetes, vetëvëzhgimit, frenimit të gjuhës dhe zbukurimit të moralit.
• Nijeti i përfundimit të Kuranit, duke parë edhe në tefsir, qoftë edhe një ajet çdo ditë.
• Nijeti i shumimit të veprave të mira: lidhja e farefisit, ushqimi i të tjerëve, iftari i agjëruesit, lëmosha e përditshme, falja dhe pastrimi i zemrës nga urrejtja e zilia.
• Nijeti i faljes së namazit të natës në Ramazan dhe nxitimi drejt namazeve me xhemat.
• Nijeti i largimit të gjuhës nga përgojimi dhe i shumimit të përmendjes së Allahut.
Nga programet praktike:
• Nëse lehtësohet vëzhgimi i hënës së re të Ramazanit, është mirë të bëhet me familjen në vende larg dritave; përndryshe të bëhet një paraqitje shpjeguese mbi muajt hënorë dhe lidhjen e dispozitave fetare me kalendarin hixhri.
• Të urohen të afërmit dhe miqtë me ardhjen e muajit përmes mjeteve të komunikimit.
• Të shfaqet gëzim për hyrjen e Ramazanit dhe të kujtohen tekstet që flasin për vlerën e tij.
• Themeli i këtij muaji është agjërimi; prandaj le të fillojmë me përkryerjen e tij dhe ruajtjen nga mangësitë.
• Të përgatitet në shtëpi një vend i posaçëm për namaz dhe lexim Kurani.
• Të ruhet vazhdimësia e qëndrimit pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit, për lexim Kurani, dhikrin e mëngjesit dhe namazin e duhasë, me vetëllogaritje shpirtërore.
• Të kujdeset që secili anëtar i familjes të japë sadaka çdo ditë, qoftë edhe të vogël, duke e porositur njëri-tjetrin për këtë.
• Të nxiten fëmijët për garë në adhurimet vullnetare: dhikër i shumtë, ruajtja e suneteve të rregullta, namazi i natës dhe iftari i agjëruesve.
• Në kohën e iftarit familja të përkushtohet në lutje dhe të mos shpërqendrohet me përgatitjen e sofrës.
• Të bëhen lutje për mbarë myslimanët në lindje e perëndim të tokës, në kohët e pranimit të lutjes.
• Të caktohet kohë për dëgjimin e mësimeve mbi Ramazanin, abdesin, kushtet dhe shtyllat e namazit, në mënyrë që fëmijët të rriten me nderim për dijen dhe dijetarët dhe të përhapet përmendja e Allahut nëpër shtëpi.
• Të lexohet me familjen tefsiri i pjesëve të shkurtra të Kuranit, duke filluar nga Fatiha e deri te suret përmbyllëse.
• Të lexohet ndonjë libër mbi përshkrimin e Xhenetit dhe begatitë e tij, si dhe mbi Zjarrin dhe dënimin e tij.
• Nga suneti është falja e teravive në shtëpi.
• Kush i jep iftar një agjëruesi ka shpërblim të barabartë me të.
• Të ftohen të afërmit, fqinjët dhe nevojtarët në iftar, si dhe t’u dërgohet ushqim atyre.
• Për t’i gëzuar dhe nxitur fëmijët, t’u përgatiten karta e fletore ngjyrosjeje për Ramazanin dhe të shpërblehen për agjërim, përfundim të Kuranit ose mësim të sureve të caktuara.
• Të organizohet një garë edukative familjare.
• Të vendosen në vende të dukshme në shtëpi thënie dhe hadithe mbi Ramazanin, si:
“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë shpërblimi, i falen mëkatet e mëparshme.”
“Kush falet natën e Ramazanit me besim dhe shpresë shpërblimi, i falen mëkatet e mëparshme.”
“Hani syfyr, sepse në syfyr ka begati.”
“Agjëruesi ka dy gëzime…”
Së fundi, Ramazani është një dhuratë madhështore, madje një varg nderimesh hyjnore për këtë umet:
1. Në të zbriti Kurani, ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit, që ndriçoi tokën pas errësirës.
2. Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë shpërblimi, i falen mëkatet e kaluara.
3. Kush fal namazin e natës në Ramazan me besim dhe shpresë shpërblimi, i falen mëkatet e kaluara.
4. Kush fal natën e Kadrit, i falen mëkatet e kaluara.
5. Allahu dhe engjëjt e Tij luten për ata që hanë syfyr.
6. Në syfyr ka begati.
7. Ky umet mbetet në mirësi për sa kohë e shpejton iftarin dhe e vonon syfyrin.
8. Agjëruesi ka dy gëzime: një në çastin e iftarit dhe një në takimin me Zotin e tij.
“O Allah, na e mundëso arritjen e Ramazanit, na ndihmo në të për agjërim, falje nate dhe lexim të Kuranit, dhe na bëj prej atyre që e kryejnë atë me besim të plotë dhe me shpresë shpërblimi.”
Dr. Jahja ibën Ibrahim El-Jahja
