14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

PROBLEMI I MUNGESËS SË INFORMACIONIT NË RELACIONIN TURQI-BALLKAN

Më të lexuarat

Në vendet e Ballkanit ekziston një mungesë e madhe informacioni në lidhje me Turqinë. Sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të rralla punimet që bëhen në lidhje me Turqinë dhe që mund të pranohen si serioze. Me përjashtim të Greqisë dhe pjesërisht Bullgarisë, vendet e Ballkanit, të cilat më parë nuk interesoheshin edhe aq shumë me Turqinë, tani kanë filluar të mendojnë dhe po punojnë për ta njohur më mirë atë. Kurse paragjykimet historike dhe mungesa e informacionit në lidhje me Turqinë ngandonjëherë bëhen shkak edhe i vlerësimeve të gabuara lidhur me politikën e jashtme turke.

Megjithëse Turqia marrëdhëniet historike që ka me Ballkanin i shikon si një diçka pozitive, popujt e Ballkanit këtë histori të përbashkët e konceptojnë në mënyrë negative. Disa rrethe nacionaliste në Ballkan janë të prirura për të akuzuar periudhën osmane madje edhe për disa fatkeqësi dhe gabime që ndodhin sot në vendet e tyre. Në veçanti pas Luftërave të Ballkanit të viteve 1912-1913 në vendet e këtij rajoni u krijuan memorie të reja shoqërore, duke bërë që njerëzit ta rikujtojnë të kaluarën e rajonit në një mënyrë që nuk përputhet me realitetin. Madje edhe në ditët e sotme periudha osmane në librat e historisë në Ballkan vazhdon të tregohet si të ishte një periudhë e errët. Ndërsa paralelisht me prezencën që ka nisur të tregojë Turqia vitet e fundit në Ballkan duke ndjekur një politikë të jashtme më dinamike, në rajon kemi rilindjen e paragjykimeve për Turqinë.

Paragjykimet dhe problemi më serioz mbi mungesën e informacionit në lidhje me Turqinë më shumë vihet re në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, që përbën 49% të Bosnjës. Pasi kritikat më radikale në adresë të politikës së jashtme turke mes vendeve të Ballkanit vijnë nga etniteti i Republikës Serbe të Bosnjës. Drejtuesit, politikanët dhe shtresa intelektuale e këtij etniteti mundohen që me çdo rast ta paraqesin Turqinë sikur kjo e fundit po përgatitet të marrë fshehurazi Ballkanin. Turqia jo vetëm që nuk ka qëllime të tilla, por është e pamundur që ta bëjë një gjë të tillë. Vetëm se kjo situatë nuk e ndryshon të vërtetën mbi ekzistencën e një turkofobie serioze në Republikën Serbe të Bosnjës.

Për shumicën e njerëzve në Ballkan ndjekja e Turqisë dhe politikës së saj të jashtme nuk përbën ndonjë prioritet. Në syrin e këtyre njerëzve Turqia përfaqësohet me qëndrimin dhe aktivitetet që organizojnë institucionet turke prezente në vendet e Ballkanit. Kjo gjendje tregon se përfaqësuesit e institucioneve turke në Ballkan nuk e kanë aspak të lehtë punën dhe se detyrën duhet ta kryejnë në përshtatje me sensibilitetet e vendeve ku ndodhen. Kurse premtimet që bëjnë disa qytetarë turq gjatë vizitave që realizojnë në rajon ngandonjëherë i lënë në situatë të vështirë përfaqësuesit e shtetit turk në Ballkan. Pasi premtimet e pambajtura që bëjnë ata që shëtisin në vendet e Ballkanit, sikur të ishin përfaqësuesit zyrtarë të Turqisë në një kohë që nuk kanë ndonjë kompetencë zyrtare për ta bërë këtë, bëhen shkak që Turqia të përmendet në rajon edhe si një vend “që nuk i mban premtimet”.

Mund të thuhet që problemi i mungesës së informacionit në relacionin Turqi-Ballkan është i ndërsjellët. E thënë me fjalë të tjera nuk dihet se sa mirë e njeh Turqia Ballkanin. Ndoshta një pjesë e madhe në Turqi në përgjithësi Ballkanin, i cili sot ka ndryshuar plotësisht, e rikujton me fotografitë që i kanë mbetur në mendje nga koha osmane. Kjo është arsyeja që kur e vizitojnë për herë të parë Ballkanin, ato çfarë shikojnë janë krejt ndryshe nga ato që kanë menduar dhe shpresuar para se të shkonin në Ballkan.

Me përjashtim të një-dy burimeve mediatike, media e shkruar turke në përgjithësi sillet sikur të mos ishte edhe aq shumë e interesuar për Ballkanin. Nga ana tjetër është e vështirë të mbahet mend se kur është zhvilluar për herë të fundit një debat për Ballkanin në kanalet televizive më të frekuentuara turke.

Po të bëhet një analizë duke marrë për bazë të dhënat që disponon Këshilli i Arsimit të Lartë në Turqi (YÖK) mund të verifikohet lehtë një rënie në numrin e tezave për master dhe doktoraturë në lidhje me Ballkanin. Pasi vëmë re që në vitet 2008-2010 kemi një regres në masën 54% në tezat që përgatiten për master dhe doktoraturë në lidhje me Ballkanin. Në këtë kuadër mund të bëhet përcaktimi se ka filluar të bjerë interesimi akademik ndaj këtij rajoni, pavarësisht se Ballkani ka hyrë në një periudhë relativisht më të qetë, dhe në mundësinë më të madhe interesimi është orientuar ndaj rajoneve të ndryshme.

Turqia nuk ka asnjë pritshmëri tjetër, përveç se të qenit një mik i mirë për të gjitha vendet e Ballkanit. Por për 22 vjet Turqia nuk ka arritur ta prezantojë, sqarojë, tregojë mjaftueshëm veten e saj në Ballkan. Ka ardhur koha për të menduar se çfarë mund të bëhet edhe në lidhje me këtë temë./trt

Dr.Erhan TÜRBEDAR

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit