Autor: Dr. Abdul-Mu’ti al-Dalati
“Unë besoj në Islamin e Profetit Muhamed dhe në Islamin e Kalifëve të Drejtë (Hulefai Err-Rrashidin), por jo në Islamin e muslimanëve të kësaj kohe!”
— Bernard Shaw
Nëse Islami është sprovuar me armiq që ia pakësojnë skajet nga jashtë, ai është sprovuar me një sprovë edhe më të rëndë nga “miq” që ia shpërfytyrojnë tiparet nga brenda! Hapja e portave të kështjellës nga brenda është shumë më e lehtë sesa hapja e tyre nga jashtë. Dhe, siç thoshte i ndjeri Alame El-Gazali: “Armiqtë tanë nuk na godasin me duart e tyre aq sa na godasin me duart tona!”
Prapambetja e muslimanëve qëndron në krye të shkaqeve që pengojnë përhapjen e Islamit. Kjo prapambetje formon një pasqyrë të thyer, e cila nuk pasqyron dritat e Islamit, por pasqyron errësirat e muslimanëve. Ashtu siç na magjepsën perëndimorët me shkëlqimin e rremë të qytetërimit të tyre, ashtu edhe ne i sprovuam (i larguam) ata me errësirën e prapambetjes sonë!
Dr. Muhamed Amara thotë: “Sikur të mos ishte kjo prapambetje në të cilën jeton bota islame, Islami do të kishte një tërheqje më të madhe në qarqet perëndimore, sepse mendësia perëndimore është e prirur të anojë nga Islami për shkak të karakterit të tij racional” (1).
Abbas al-Akkad thotë: “Injoranti është armiku më i madh i kombit të tij sesa vetë armiqtë! Islami nuk është goditur nga asgjë më shumë sesa nga bijtë e tij injorantë!”
Realiteti aktual i muslimanëve përfaqëson një vello të dendur që fsheh dritën e Islamit dhe, për rrjedhojë, shërben si pengesë në rrugën e Allahut. Kështu, muslimanët kryejnë dy mëkate: neglizhencën në zbatimin e Islamit dhe fshehjen e dritës së tij nga kombet e tjera.
Vallë, si mundet një njeri i prapambetur në aspektin qytetërues të bindë të civilizuarit – qoftë edhe materialisht – që të përqafojnë parimin e tij?!
Dr. Gazaliu thotë: “Zotërimi i jetës së kësaj bote përmes aftësisë dhe përvojës është rruga për triumfin e parimeve” (2).
Kjo është gjithashtu rruga për të ruajtur qenien e umetit. Muslimani nuk do të mbrohet në fushëbetejën qytetëruese përveçse me dorën e tij besimtare, të pastruar me abdest, e cila nxjerr mineralin e hekurit nga thellësitë e tokës – siç shprehet historiani Dr. Emad al-Din Khalil.
Ne muslimanët nuk do të kemi Ahiretin nëse nuk kemi këtë botë… Kush dështon në ndërtimin e dynjasë së tij, është edhe më i pafuqishëm për ndërtimin e Ahiretit të tij. Muslimanët do të pyeten në botën tjetër se si kaluan nëpër këtë botë:
{وَقِفُوهُمْ إِنَّهُم مَّسئُولُونَ }
“Dhe ndalni ata, sepse ata do të pyeten!” (Es-Saffat: 24) (3)
Prapambetja e muslimanëve në realitet nuk është gjë tjetër veçse prapambetje në kuptimin e Islamit dhe në ngritjen në nivelin e zbatimit të tij, gjë që çoi në dështimin e tyre për të udhëhequr epokën dhe për të ndërtuar jetën. Prapambetja është një “hakmarrje” e parimeve ndaj atyre që i tradhtuan ato.
Muhamed Abduhu thotë: “Gjithçka që kritikohet te muslimanët nuk është nga Islami; është diçka tjetër që ata e quajtën Islam” (4).
Mendimtari Omar Obeid Hasana thotë: “A ka diçka më të rrezikshme sesa të marrim pamje nga prapambetja jonë dhe mbi to të vendosim slogane që ato të bëhen vetë Islami?!” (5).
Mendimtari Malik bin Nabi thotë: “Prapambetja është një ndëshkim hyjnor që Islami ua dha ndjekësve të tij për shkak të braktisjes së tij. Muslimanët mbetën prapa sepse lanë Islamin, jo sepse u kapën pas tij.”
Mbi muslimanët e tillë u vërtetua fjala e Allahut:
{وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا وَنَحْشُرُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ أَعْمَى }
“E kush i kthehet shpinën këshillës Sime, ai do të ketë një jetë të vështirë dhe Ne do ta ringjallim atë të verbër në Ditën e Gjykimit.” (Taha: 124) (6)
Mjerisht, media perëndimore pati sukses në shfrytëzimin e prapambetjes së muslimanëve, duke e vënë atë në shërbim të tezave të saj armiqësore.
Elementet e prapambetjes
Në prapambetjen tonë gërshetohen shkaqet dhe pasojat, duke formuar një rreth vicioz që kërkon mobilizimin e të gjitha forcave për t’u thyer. Elementet kryesore janë:
1. Largësia nga lapsi dhe leximi, si dhe rënia e vetëdijes qytetëruese dhe kuptimit të ligjeve të Allahut në univers.
2. Shuarja e efektivitetit të mendjes muslimane, dobësimi i saj dhe prekja nga ngurtësia që çon në mohim. Preferimi i memorizimit mbi mendimin, dhe zëvendësimi i planifikimit me improvizim, dhe i kritikës/pendimit me justifikim.
3. Shpërdorimi i kohës dhe mosdëgjimi i hapave të kohës që ikën, duke humbur jetën e shtrenjtë në punë të vogla ose të kota!
4. Përtacia, mungesa e mjeshtërisë në punë dhe pritja e rezultateve të mëdha nga një përpjekje e vogël!
5. Shenjtërimi i personave dhe lidhja pas tyre në vend të parimeve dhe ideve. Fokusimi te “individi shpëtimtar” dhe mungesa e punës institucionale të bazuar në konsultim (shura) dhe frymën e grupit.
6. Fanatizmi i urryer medhhebor që arrin deri në marrëzi! Fetaria e rreme, përfitimi material përmes fesë, përhapja e haditheve të rreme, tregimeve legjendare dhe israiliateve. Kaosi në predikim, shpikjet në fe (bidatet) dhe lënia e inovacionit në dynja!!
7. Dobësia e ndjenjës për të bukurën dhe pastërtinë, si dhe dobësia e ndjenjës për ligjin, rregullin dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
8. Dëshpërimi vdekjeprurës dhe humbja e guximit, si dhe thërrmimi i unitetit të muslimanëve.
Errësira mbi errësira!
Kjo është klima e prapambetjes që është ulur mbi gjoksin e umetit tonë, duke fshehur Islamin nga njerëzimi.
Xhemaludin Afghani thotë: “Mënyra më e mirë për t’i bindur perëndimorët për Islamin është që t’i bindim ata fillimisht se ne nuk jemi muslimanë ashtu siç duhet.”
Çudi me umetin e (Ikre’ – Lexo) se si e vuri në gjumë injoranca!
Çudi me umetin e (Suretu El-Hadid – Hekuri) se si u gjunjëzua nga dobësia!
Çudi me umetin e (Suretu El-Asr – Koha) se si pranoi të jetë jashtë kohës!
Çudi me një umet që fle në dritë, dhe me kombet e tjera që zgjohen në errësirë!
Në duart e tyre kanë dy drita: Kuranin dhe Sunetin…
Pse atëherë enden në errësirën më të zezë! (8)
Poeti Hafiz Shirazi thotë: “Shpirti im është i lodhur nga kjo gjendje që ka rënë mbi umetin tim, duke bërë që armiqtë të turren mbi të… Shpirti im është i lodhur sepse shoh gjithë këtë të keqe mbi umetin tim dhe jam i vetëm, i pafuqishëm për ta larguar atë! Shpirti im është i lodhur dhe i përlotur… por, ja ku në horizontin e largët po shfaqet një dritë e re, që udhëzon të humburin dhe ngjall shpresat” (9).
Nga libri: “Fitova Muhamedin dhe nuk humba Mesihun”
________________________________________
Referencat:
(1) Revista Al-Faisal – Nr. 130 – Viti 1987.
(2) (Suneti Profetik mes juristëve dhe dijetarëve të hadithit) Muhamed El-Gazali, fq. 137.
(3) Kurani Kerim (37:24).
(4) (Islami dhe Krishterimi me shkencën dhe civilizimin) Imam Muhamed Abduhu, fq. 115.
(5) (Deri sa të arrihet dëshmia qytetëruese) Omar Obeid Hasana, fq. 115.
(6) Citur nga (Pushtimi kulturor shtrihet në zbrazëtinë tonë) Alame Muhamed El-Gazali, fq. 74.
(7) Varg i poezisë nga “Princi i Poëtëve” Ahmed Shevki.
(8) (Hafiz Shirazi, poeti i këngës dhe gazelit) Dr. Ibrahim El-Shavaribi, fq. 389.
Përktheu: Bekir Halimi
