Prano fillimisht, pastaj përpiqu të kuptosh!

Më të lexuarat

Musai (paqja qoftë mbi të) doli jo për të mësuar dikë, por për të mësuar vetë; sikur udhëtimi që nga fillimi të thoshte se njeriu, sado të arrijë, mbetet gjithmonë në nevojë për diçka që i kujton se e vërteta është më e gjerë se kuptimi i tij, dhe se rruga drejt urtësisë fillon kur pranojmë se nuk e shohim të gjithë pamjen.

Ai shoqëroi Hidirin dhe ai i vuri kusht që të mos pyeste—jo sepse pyetja është gabim, por sepse disa pyetje e prishin kuptimin e tyre nëse vijnë para kohe. Jo çdo urtësi është e përshtatshme për t’u kuptuar menjëherë, dhe jo çdo ngjarje shpjegohet ndërsa ndodh.

Anija u dëmtua, dhe pamja ishte e rëndë për zemrën para mendjes!
Djali u vra, dhe peshorja e drejtësisë u trondit!
Muri u ndërtua aty ku nuk kishte as falënderim e as shpërblim.
Të gjitha veprimet dukeshin sikur shkonin kundër asaj që dimë për drejtësinë, prandaj kundërshtimi ishte njerëzor, i sinqertë—jo mungesë besimi, por shprehje e dhimbjes së një pamjeje të paplotë.

Dhe kur erdhi ndarja, erdhi bashkë me të edhe kuptimi!
Dëmtimi nuk ishte padrejtësi, por shpëtim!
Vrasja nuk ishte e keqe, por shmangie e një fatkeqësie më të madhe!
Muri nuk ishte kotësi, por ruajtje e një të drejte të shtyrë!
Vetëm atëherë u zbulua e vërteta e qetë: se disa caktime nuk kuptohen në momentin e tyre dhe se koha është pjesë e kuptimit.

Dhe prej këtu fillon lidhja me ne.

Në jetën tonë të përditshme, jetojmë të njëjtat skena me emra të tjerë: një punë që nuk realizohet, një marrëdhënie që thyhet, një rrugë që mbyllet papritur pa shpjegim. Ne shohim humbjen qartë, por nuk shohim çfarë është larguar prej nesh përmes saj. Kapemi pas momentit dhe i ngarkojmë atij më shumë se ç’mban, sepse e nesërmja ende nuk i ka zbuluar letrat e saj.

Shpesh i gjykojmë ngjarjet nga një kënd i ngushtë, sepse dhimbja e bën shikimin të mprehtë, por të kufizuar. Duam një arsye të qartë dhe një rezultat të shpejtë, sikur jeta të na detyrohet me shpjegime të menjëhershme. Dhe kur shpjegimi nuk vjen, pritja shndërrohet në ankth, dhe heshtja bëhet barrë në vend që të jetë hapësirë për kuptim.

Por përvoja, me kalimin e kohës, na mëson diçka tjetër: ajo që nuk e kuptuam dje mund të bëhet nesër pikë kthese; se disa ndalime ishin mbrojtje, disa vonesa ishin përgatitje, dhe disa humbje ishin ridrejtim, jo fund i rrugës.

Ne nuk kemi nevojë për përgjigje të gatshme aq sa kemi nevojë për një zgjerim të brendshëm që e përballon paqartësinë; për një zemër që nuk thyhet sa herë që kuptimi vonohet, dhe nuk humb ekuilibrin sepse pamja ende nuk është e plotë.

Sa i përket punës, shpesh i ngjajmë pronarit të anijes: një projekt dështon, një mundësi humbet, një derë mbyllet që mendonim se ishte shpëtimi ynë. Zemërohemi sepse dëmtimi është i dukshëm, por nuk e dimë se në horizont ka një mbret grabitqar që, po të kalonim tek ai, do të humbnim më shumë. Dhe vetëm pas një kohe kuptojmë se ajo që menduam humbje ishte shpëtim nga një rrugë që nuk ishte për ne.

Në marrëdhënie, ndarja shpesh duket si një ashpërsi e padurueshme, dhe thyerja si një padrejtësi pa shpjegim. Harrojmë se disa zemra, po të qëndronin pranë, do të lodhnin shpirtin tonë, dhe se disa dashuri, kur përfundojnë, na mbrojnë nga një vuajtje më e gjatë. Jo çdo ndarje është e keqe dhe jo çdo qëndrim është mëshirë—por këtë e kuptojmë vetëm pasi qetësohen ndjenjat dhe kthjellohet shikimi.

Sa i përket humbjes, kur vdekja na merr dikë të dashur, pamja bëhet e rëndë deri në heshtje. Nuk ka kuptim që e qetëson dhimbjen, as shpjegim që i përshtatet peshës së mungesës. Me kalimin e kohës, dhimbja nuk zhduket, por ndryshon; zbulojmë se ata që u larguan lanë brenda nesh një gjurmë që na ruan, dhe se disa largime nuk janë fund, por një kalim drejt diçkaje më të thellë se prania.

Sa për besnikërinë e Zotit, ajo është muri që ndërtohet në fshehtësi: një vepër e mirë që nuk e shohim menjëherë, një durim që nuk i korr frytet shpejt, një lutje që e harrojmë por ruhet për ne. Kalojnë ditët dhe arrijmë në një moment kur kuptojmë se diçka na priste, dhe se Zoti nuk ka neglizhuar, por ka vonuar me urtësi.

Ndoshta gjëja më e bukur në tregimin e Musait dhe Hidirit është se ai riorganizon marrëdhënien tonë me realitetin; na mëson të jetojmë mes pyetjeve pa u djegur prej tyre, t’i japim kohës të drejtën e saj për të zbuluar, dhe të kuptojmë se shumë nga ajo që sot e shohim si thyerje, mund të jetë nesër një formë tjetër e kujdesit.

Qetësia nuk qëndron në faktin që të kuptojmë gjithçka, por në besimin se ajo që ende nuk është sqaruar… nuk ka përfunduar ende!

Ed-hem Sherkavi / “Sutuur”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit