14.1 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Policia e Kosovës njofton për një viktimë nga zjarret

Më të lexuarat

Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Novosellë të Malishevës ka vdekur një burrë pasi kishte shkuar në një stallë e cila ishte përfshirë nga zjarri. Vdekja e tij dyshohet të jetë shkaktuar nga tymi i zjarrit.

Në disa rajone të Kosovës gjatë ditëve të fundit janë përhapur zjarre.

“Viktima, mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Si pasojë e kësaj vdekjeje dyshohet të jetë ajri i tymosur pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më 3 gusht autoritetet në Kosovë kanë thënë se ende janë aktive katër vatra të zjarrit nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar.

Nehat Koqinaj, zëdhënës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, tha se “vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe në Janjevë, Komuna e Lipjanit”.

Ende nuk ka të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga zjarri, por zyrtarë të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave thanë për REL-in se deri më tani, në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna” vlerësohet se nga zjarret janë përfshirë 50 hektarë sipërfaqe, por jo e tërë kjo hapësirë është shkatërruar.

Për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai tha se këto njësi janë duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit