Po mbyllemi

0
39

Vendosja e taksave nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, po e pengon seriozisht krijimin e një tregu të përbashkët. Konfindustria vlerëson se këto barriera po i zhvleftësojnë edhe investimet prej afër 2 miliardë eurosh në Rrugën e Kombit. Pas taksës në çimento, Shqipëria pritet t’ia ndalë Kosovës grurin.
Me vendosjen e barrierave ekonomike nga Shqipëria e Kosova, po rrezikohet seriozisht krijimi i nj tregu të përbashkët mes dy vendeve.

Fillimisht ishte Shqipëria që vendosi taksë për pataten, vitin e kaluar. Tash Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 35 për qind në importin e çimentos, ku një pjesë e madhe e çimentos importohet nga Shqipëria. Si kundërpërgjigje, edhe Shqipëria po tregon shenja reciprociteti me Kosovën, duke e ndalur grurin.

Këto veprime të të dyja qeverive, sipas Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, po e pengojnë seriozisht krijimin e një tregu të përbashkët.

Madje, Konfindustria vlerëson se këto barriera po i zhvleftësojnë edhe investimet prej afër 2 miliardë eurosh në Rrugën e Kombit.

“Konfindustria shpreh shqetësimin për vonesat e paarsyetuara dhe deri në pengesat ligjore të Qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që po e vështirësojnë dhe pengojnë krijimin e tregut mbarëkombëtar 7-milionësh si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptare”, thotë administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Shkak për këtë, sipas tij, janë vendimet e fundit të marra nga qeveritë e 2 shteteve shqiptare, që, siç thotë ai, jo vetëm nuk po shkojnë drejt krijimit të një tregu të përbashkët, por përkundrazi, të çojnë drejt një mbylljeje të tregjeve të vendeve respektive.

“Përmendim vendimet e njëpasnjëshme të marra nga Shqipëria dhe Kosova brenda harkut kohor më të shkurtër se 1-vjeçar me natyrë proteksioniste në fushën e tregtisë së prodhimeve bujqësore, në fushën e prodhimit të çimentos”, vlerëson ai.

Për me tepër, Konfindustria vlerëson se mungesa e bashkërendimit të legjislacioneve të Shqipërisë dhe Kosovës në fushën ekonomike dhe për më shumë vendimet me natyrë proteksioniste zhvleftësojnë dhe ulin efektivitetin edhe të investimeve të mëdha të përbashkëta në infrastrukturën rrugore me një shifër prej afër 2 miliardë eurosh, duke i dhënë një barrë shtesë ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare.

Po ashtu, shton se tregu kombëtar 7-milionësh shqiptar është jetik për zhvillimin ekonomik afatgjatë, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale që ka prekur pa përjashtim dhe shtetet shqiptare.

“Është krejtësisht e pamundur që industria vendore e të gjithë sektorëve të mbijetojë në vende me tregje të vogla dhe të varfra sikurse janë tregjet e Shqipërisë dhe të Kosovës”, thotë Baxhaku.

Ndërkaq, pasojat nga këto barriera veç kanë filluar të vërehen. Mbi 200 mijë euro në ditë vlerësohen të jenë humbjet e 150 kompanive kosovare, që u është bllokuar importi i çimentos nga Shqipëria, me vendimin e MTI-së për të kufizuar importin e çimentos nga rajoni. derisa numri i atyre që i kanë humbur vendet e punës llogaritet të jetë afro 2000 sish.

Në anën tjetër, si kundërpërgjigje, edhe Shqipëria po tregon shenja reciprociteti me Kosovën. Dogana e Shqipërisë ka penguar bujqit e zonës së Kukësit që të grumbullojnë grurin e prodhuar në fushat e tyre në fabrikën e miellit në Xërxë të Rahovecit, në këmbim të miellit. Ky veprim ndërmerret për herë të parë nga ana e Doganës së Shqipërisë dhe bëhet në emër të luftës kundër evazionit fiskal, por edhe të mbrojtjes së prodhimit vendas.

Drejtori i Doganës së Kukësit, Ali Tota pati thënë se shkëmbimi i grurit me miell që bëhet në fabrikat e Kosovës, është në kundërshtim me Kodin Doganor, por që e kemi toleruar më parë.kohaislame