Deklarata e ish-shefit të inteligjencës izraelite, Aharon Haliva, është një nga dëshmitë më tronditëse të mentalitetit që udhëheq politikën e pushtimit. Ai tha qartë:
“Prania e pesëdhjetë mijë të vrarëve në Gaza është e domosdoshme për brezat që vijnë. Për çdo izraelit të vrarë më 7 tetor, duhet të vriten pesëdhjetë palestinezë, pa rëndësi nëse janë fëmijë apo të tjerë. Nuk flas nga hakmarrja, por si një mesazh për të ardhmen. Ata kanë nevojë herë pas here për një Nakba që ta ndiejnë çmimin.”
Ky diskurs nuk është një shpërthim i izoluar, por një pasqyrim i mendësisë kolonialiste e gjenocidale që ka shoqëruar projektin sionist që prej themelimit të tij. Në të, gjaku palestinez nuk shihet thjesht si pasojë e luftës, por si një mjet edukativ, një instrument për të ndërtuar “vetëdijen kombëtare” të brezave të rinj izraelitë.
Një “pedagogji e masakrës”
Haliva nuk flet për siguri, mbrojtje apo nevoja ushtarake. Ai flet për “mesazh historik” dhe “domosdoshmëri për brezat e ardhshëm”. Kjo është më shumë se një justifikim i dhunës është ngritja e masakrës në nivel norme morale dhe strategjie qeverisëse.
Në këtë logjikë, Nakbat e përsëritura nuk janë tragjedi njerëzore, por “kurs mësimor” për t’ia kujtuar popullit palestinez çmimin e rezistencës dhe për ta mësuar popullin izraelit me “fitimin përmes gjakut”.
Krimi i veshur me petk të moralit
Rreziku më i madh i këtij mentaliteti është se ai e vesh krimin me veshje etike: masakra shndërrohet në projekt edukativ, shfarosja në “domosdoshmëri historike”. Kjo është përpjekja për t’i dhënë një legjitimitet moral gjenocidit, për ta paraqitur si diçka që i shërben “civilizimit” dhe të ardhmes.
Ky është një nga tiparet më të errëta të kolonializmit: të vrasësh dhe të pretendosh se e bën për të “edukuar” popujt dhe për të “ruajtur rendin”.
Politika e tokës së djegur
Nuk është rastësi që Izraeli vazhdon politikën e tokës së djegur: bombardime masive, shkatërrim i infrastrukturës, zhvendosje kolektive dhe grumbullim i përgjakshëm viktimash. Kjo nuk shihet nga pushtuesit si dështim diplomatik apo teprim ushtarak, por si strategji e vetme e mundshme për t’u përballur me një popull që refuzon të dorëzohet.
Shumë studiues të kolonializmit kanë theksuar se kur dhuna e pushtuesit merr dimension gjenocidal, ajo nuk është më e lidhur me sigurinë, por me nevojën e vetë projektit kolonial për të mbijetuar. Pikërisht këtë e shohim në diskursin e Halivas.
Përfundim
Deklarata e tij duhet të lexohet si provë e qëllimeve gjenocidale të pushtimit: jo si fjalë të pamenduara, por si artikulim i një filozofie të tërë pushteti që e sheh masakrën si metodë të sundimit.
Përballë një mentaliteti të tillë, është iluzion të besohet se zgjidhja mund të vijë nga tavolina diplomatike pa një presion të fortë ndërkombëtar. Sepse kur krimi shndërrohet në “mesazh moral”, çdo kompromis bëhet justifikim për një masakër tjetër.
Rami Ebu Zubejde
