12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Pesë pasojat tronditëse të pabarazisë ekonomike

Më të lexuarat

 

Albian Krasniqi

Pabarazia në të ardhura dhe pasuri është një nga fenomenet kryesore që diskutohet në kuadër të ekonomisë së zhvillimit. Në dekadat e fundit, ky fenomen është përhapur në masë të madhe, duke i thelluar dallimet në mes të pasurve kundrejt të gjithë të tjerëve. Një nga faktet më shokuese të pabarazisë, thotë se 1% e njerëzve më të pasur në botë, zotërojnë dyfishin e pasurisë të 6.9 miliardë njerëzve në botë. Edhe në Kosovë është raportuar një tendencë në rritjen e pabarazisë, ku 10% e njerëzve më të pasur zotërojnë 1/3 e të ardhurave të përgjithshme. Gjatë vitit 2020, është publikuar libri i ri i ekonomistit Lucas Chancel, i titulluar “Unsustainable Inequalities”, i cili diskuton për shumë aspekte të pabarazisë. Profesor Chancel argumenton që pabarazia ka efekte substanciale në kualitetin e edukimit, rritjen ekonomike, produktivitetin në punë, degradimin e ambientit, polarizimin e jetës politike, e kështu me radhë.

Kualiteti i edukimit

Niveli i pabarazisë ka ndikim të madh në edukimin dhe formësimin e një individi. Një studim në Indi ka nxjerrë rezultate shumë interesante në lidhje me ndikimin e pabarazisë, respektivisht ndarjes së popullsisë sipas shtresave shoqërore, në mësimnxënie. Studimi përfshin një eksperiment në shkolla, ku u kërkohet nxënësve të plotësojnë një test të matematikës, pa deklaruar shtresën shoqërore të cilës i përkasin. Rezultatet nuk tregonin ndonjë dallim të nxënësve ndërmjet shtresave të shoqërisë. Eksperimenti i dytë vazhdoi me po të njëjtët nxënës, por këtë radhë iu kërkua që të shkruajnë emrin dhe shtresën të cilës u takojnë. Të dhënat sugjerojnë që nxënësit e shtresave më të larta dalin më mirë në testin e matematikës. Nga autorët kjo arsyetohet me nivelin e stresit dhe ankthin që nxënësit e shtresave të ulëta përjetojnë. Në momentin që ata hyjnë në një garë, ndjehen inferiorë dhe dalin më keq se të pasurit. Rezultate të ngjashme janë evidentuar edhe në ShBA, ku fëmijët me ngjyrë dolën më keq në test të matematikës, pasi iu kërkua ta shkruajnë emrin dhe u thanë që rezultatet e testit do të kalkulohen në notën finale. Paraprakisht, nuk kishte kurrfarë dallimi.

Niveli i të ardhurave të një familjeje kosovare është një nga përcaktuesit kryesorë të suksesit në edukim. Familjet e pasura i dërgojnë fëmijët në shkolla e kolegje private, kryesisht në zonat urbane. Në anën tjetër, fëmijët që shkollohen në zona rurale – veçanërisht ata që kanë të ardhura të pakta – kanë gjasa më të vogla, le të themi, të studiojnë jashtë vendit. Personalisht kam qenë përfitues i njërës nga bursave që sponsorizohet nga Bashkimi Evropian. Nga rreth 20 studentë sa ishim duke studiuar në Angli, vetëm njëri kishte përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në një qytezë të vogël të vendit. Pjesa tjetër, ndonëse aty-këtu me prejardhje nga fshatrat të ndryshme, kishin përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në kryeqytet ose në njërin nga qytetet e mëdha. Nga kureshtja i kam shikuar listat e përfituesve të bursës në dekadën e fundit. Përsëri, në secilën gjeneratë, shumica e përfituesve janë studentë që kanë përfunduar shkollën e mesme private dhe kolegjin amerikan. Pra, kjo nuk është si rezultat i regjionit vetvetiu, por i nivelit të të ardhurave, sepse edhe familjet e pasura nga zona rurale i dërgojnë fëmijët, le të themi, në kolegjin amerikan.

Rritja ekonomike

Efekti i pabarazisë në nivelin e rritjes ekonomike është temë me konkluzione kundërthënëse. Ekonomisti Arthur Okun, argumenton se dallimi në të ardhura nxitë firmat të inovojnë dhe punëtorët të punojnë më tepër. Kështu, tregu është më efiçent. Sipas tij, “Ne nuk mund marrim tortën që del nga efiçenca e tregut dhe ta ndajmë në mënyrë të barabartë me të tjerët ”. Por, përtej diskutimeve ideologjike, ekonomistë nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë rishtazi kanë publikuar një hulumtim që vlerëson politikat kundër pabarazisë në tri dekadat e fundit. Ata kolaudojnë që këto politika, në të shumtën e rasteve, nuk kanë pasur efekt negativ në rritjen ekonomike. Përkundrazi, këto politika stimulojnë zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Në Kosovë, përveç që nuk aplikohet ndonjë politikë aktive kundër pabarazisë ekonomike, ka vendime institucionale që garantojnë monopolin. E thënë ndryshe, Qeveria para se të mendojë dizajnimin e politikave antipabarazi, duhet t’i ndalojë veprimet që stimulojnë rritjen e hendekut mes të pasurve kundrejt të gjithë të tjerëve.

Produktiviteti në punë

Studimet e fundit në fushën e ‘ekonomiksit të sjelljes’ tregojnë që pabarazia në të ardhura ndikon negativisht në produktivitetin e punëtorëve. Nëse për punën e njëjtë, punëtorët marrin paga të ndryshme, atëherë motivi i tyre për punë bie. Veç kësaj,  gjetjet e një studimi tjetër tregojnë se pagat relative janë pjesërisht përcaktuese të kënaqshmërisë në punë. Kur punëtorët paguhen  pakëz më shumë se paga bazë, kjo nuk ka ndonjë efekt të dukshëm në nivelin e kënaqshmërisë. Në anën tjetër, nëse punëtorët paguhen më pak se paga bazë, atëherë niveli i pakënaqshmërisë rritet dukshëm. Kështu, sipas profesorit Lucas Chancel, “jemi shumë larg botës hipotetike të Artur Okunit, ku pabarazia nxitë inovacionet dhe motivon punëtorët të punojnë më shumë”.

Degradimi i ambientit

Të pasurit janë ndotës më të mëdhenj të ambientit. E përkthyer në numra, rritja e të ardhurave prej 1% është e lidhur me rritje të emetimit të karbonit me 0.6% – me ndryshime të vogla varësisht prej vendit. Gjithsesi, ky është një vlerësim i përgjithshëm. Të pasurit, pothuajse në çdo vend, janë pronarë të fabrikave dhe minierave që janë ndotës të mëdhenj të ambientit. Të pasurit, janë ndotës më të mëdhenj edhe nga konsumi i tyre ditor.

Numri i anëtarëve të familjes dallon shumë ndërmjet familjeve të pasura dhe të tjerëve. Të parët, jetojnë në shtëpia të mëdha, të cilat shpenzojnë më shumë energji për ngrohje. Në anën tjetër, familjet jo të pasura jetojnë në numër më të madh të anëtarëve në të njëjtën shtëpi, duke e bërë më pak emetimin e karbonit për kokë familjari.

Polarizimi i jetës politike

Ekspertët e shkencave politike argumentojnë se sa më e madhe pabarazia, aq më e polarizuar do të jetë sfera politike. Në kushtet kur pabarazia mbetet e njëjtë, zvogëlimi i këtij polarizimi është shumë i vështirë. Në anën tjetër, top 10% e njerëzve më të pasur, përmes lobeve të fuqishme ndikojnë që në fakt, pabarazia të thellohet edhe më tej. ShBA është një nga vendet me pabarazinë më të madhe në botë. Zgjedhjet e fundit na treguan sa e polarizuar është skena politike atje. Ish presidenti Trump, kishte zvogëluar tatimet për elitën e pasur duke e rritur nivelin e pabarazisë në shifra rekorde. Në të njëjtën linjë, edhe polarizimi i skenës politike duket se shkoi në nivel rekord.

Pabarazia është goxha e theksuar edhe në Kosovë. As niveli i polarizimit politik nuk është më i vogël. Zgjedhjet, zakonisht, shpërfaqin këtë fenomen. Rrjetet sociale janë të stërmbushura me statuse dhe komente partiake. Sharje e fyerje. Pothuajse të gjitha televizionet nacionale, prej orës 20 e deri pas mesnatës, për çdo natë t’lume, transmetojnë debate politike. Kjo nuk është vetëm atmosferë zgjedhore. Është polarizim i skajshëm i shoqërisë tonë. Diskutimet shkojnë aq larg, saqë i nxjerrin në sondazh dhe i ballafaqojnë Demaçin e Rugovën – gjoja se cili ka merita më të mëdha për shtetin e Kosovës. Duket se norma e lartë e papunësisë, e shoqëruar me nivelin e lartë të pabarazisë, janë lubrifikantë të polarizimit.

Këto janë pesë pasoja të pabarazisë në pika të shkurtra, të cilat natyrisht, janë tema në vete. Po ashtu, pabarazia ekonomike nuk kushtëzohet vetëm me këto pasoja. Ndoshta ka pasojë tjetër që në vetvete është më e madhe se këto të përmendura në këtë diskutim.

/sbunker/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit