10.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Përgjërimi për Zotin (tedarru’u)

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Përgjërimi për Zotin (tedarru’u)

Zoti ka vendosur ligje në gjithësi, sipas të cilave funksionon jeta dhe ruhet ekuilibri. Një ndër këto ligje, i cili ka të bëjë me jetën e njeriut mbi tokë, është edhe ai që përmendet në Kuranin famëlartë:”
“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Rad, 11)
Ky është një ndër ligjet më të rëndësishme dhe themeltare të jetës në tokë. Ky ligj, ka dimensione të shumta. Duke trajtuar dhe ndryshuar për mirë çdo ditë një nga këto dimensione, padyshim që ne do vëmë në jetë ajetin e mësipërm dhe do të rimëkëmbim umetin tonë. Ndryshimi i gjendjes së umetit dhe rimëkëmbja e tij, është vetëm në duart tona si myslimanë. Unë besoj fuqishëm se kjo nuk kërkon shumë kohë, ndoshta një, dy ose tre dekada. Në fund, myslimanëve do u kthehet krenaria dhe lavdia që u ka munguar shekujt e fundit.
Ligji “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre” është përmendur dy herë në Kuran. Herën e parë, përmendet në suren Rad”
“Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.”
Kurse herën e dytë përmendet në suren Enfal:”Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Enfal, 52)
Në suren Rad, Zoti u kujton myslimanëve në veçanti dhe gjithë njerëzimit në përgjithësi, se nëse të ka rënë një fatkeqësi dhe sprovë, ajo largohet duke ndryshuar veten tënde. Kurse në suren Enfal, na kujton se nëse Zoti të ka dhënë mirësi dhe begati, ato mund të hiqen, nëse ndryshon sjellje dhe vepron punë të liga.
Në temat në vazhdim, ne do të trajtojmë çështje të cilat lidhen direkt me këtë ligj të Zotit. Nëse myslimanët do i vënë në praktikë, padyshim që ndihma e Zotit do të vijë dhe gjendja e umetit do të përmirësohet.
Tema e parë që do të trajtojmë është përgjërimi për Allahun. Situata në të cilën ndodhet umeti sot, ka nevojë për lutje, përgjërim dhe përkushtim në maksimum. T’i përgjërohesh Zotit, do të thotë t’i lutesh Atij me përkushtimin më të madh, duke i folur për nevojat dhe hallet e tua.
A je i gatshëm ti o vëlla dhe oj motër për ndryshim? A e lut Zotin me përgjërim që gjendja ku ndodhet umeti të ndryshojë?
T’i dorëzohesh realitetit ku jeton, nuk do të sjellë asnjë rezultat të kënaqshëm dhe pozitiv. Rezultate pozitive do të sjellë vetëm puna, mundi dhe përpjekjet. Një ndër gjërat që mund të bëjmë për të rimëkëmbur umetin tonë, është adhurimi dhe lutjet me përgjërim për Zotin.
T’i përgjërohesh Zotit do të thotë të pranosh pamundësinë tënde, t’i kërkosh Atij të japë forcë dhe energji, të ndjesh nevojën tënde etj… Ne kemi nevojë për Zotin jo vetëm në kohë krize dhe problemesh, por në çdo orë dhe çast. E kusht tjetër përveç Zotit mund të na ndihmojë?
Përgjërimi (tedarru’u) është një lloj lutje, por është më e fuqishme dhe bëhet me gjithë zemër.
Përgjërimi (tedarru’u) është lutja dhe adhurimi që bëhet në raste fatkeqësish dhe sprovash. Adhurimi që pritet nga myslimanët në këto çaste dhe situata, është përgjërimi për Zotin.
Si do të ishte gjendja jonë, nëse i gjithë umeti, burra e gra, fëmijë e të moshuar, të arsimuar dhe të paarsimuar, do i ngrinin duar drejt qiellit dhe do i përgjëroheshin Zotit që t’i ndihmojë dhe t’a lartësojë këtë umet?
Kur të mbyllen të gjitha dyert e shpresës, kur i urti nuk di si të veprojë, kur i dituri të çoroditet, kur bota të errësohet … drejtoju Krijuesit tënd me përgjërim dhe përkushtim.
Përgjërimi në Kuran
“Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm (tedarru’u). Vetëm sikur të përgjëroheshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (En’am, 42-43)
Nëse nuk i përgjërohesh Zotit në çaste vështirësie dhe fatkeqësie, kur mund t’i përgjërohesh? Kur mund t’a lusësh dhe kur mund t’i përkushtohesh?
Thotë Zoti në një ajet tjetër:”Thuaju: “Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur i përgjëroheni Atij haptazi dhe fshehurazi (duke thënë): “Nëse Ai na shpëton prej këtyre (rreziqeve), vërtet do të bëhemi mirënjohës. Thuaj: “Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij.” (En’am, 63)
Siç e shohim, përgjërimin (tedarru’u) Zoti e kërkon vetëm në raste rreziku, frike dhe fatkeqësie.
Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim, Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përgjëroheshin. Pastaj ua shndërronim fatkeqësinë në lulëzim. Por, kur shtoheshin e begatoheshin, ata thoshin: “Edhe etërit tanë i patën goditur hidhërimet e gëzimet”. Kështu që Ne i dënonim papritmas, pa e marrë vesh ata. Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë. A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?!” (Araf, 94-98)
“Sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim fatkeqësitë, sërish ata do të endeshin të hutuar në humbjen dhe mosbesimin e tyre. Ne i dënuam ata njëherë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk i përgjërohen me lutje.” (Muminun, 75-76)
Këto ajete dhe të tjera, sikur na thonë: Një ndër shkaqet dhe faktorët që të mbrojnë nga fatkeqësitë, është ta lusësh Zotin me përgjërim. E dyta, nëse u ka prekur një fatkeqësi dhe nuk i luteni Zotit me përgjërim, ajo do të dyfishohet dhe rëndohet.
Nëse nuk i lutesh Zotit me përgjërim para se të vijnë fatkeqësitë, bëj kujdes se mos harron t’i lutesh me përgjërim edhe gjatë fatkeqësive.
Sado të mëdha qofshin fatkeqësitë, sado e vështirë qoftë dalja nga situata ku ndodhesh, mos harro se ka një Zot, i cili ka në dorë gjithçka.
Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al Imran, 26)
 
Përgjërimi është adhurimi i Profetëve në fatkeqësi
Profeti Junus a.s, edhe pse ndodhej brenda tre errësirave, ajo e natës, e oqeanit dhe e barkut të balenës,  nuk e këputi shpresën, por iu lut Zotit me përgjërim. Junusi a.s mund t’i këpuste shpresat për të mbijetuar. Nëse një njeri do futej në një valixhe të madhe, të kyçej aty brenda dhe më pas të lihej në bodrumin e një shtëpia, do i këpuste shpresat për të dalë sërish.
Kurse Jususi, edhe pse ishte në mes të oqeanit dhe sapo ishte gëlltitur nga një balenë, iu dretua me përgjërim Atij që dëgjon gjithçka.
“(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija, 87)
Lutje përgjëruese të tilla, duhet t’ia drejtojmë dhe ne sot Zotit dhe Krijuesit tonë.
Përgjigja e një përgjërimi të tillë, ishte:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 88)
Tregon Ebu Bekri:”Ditën e Bedrit, Profeti a.s hidhte sytë nga idhujtarët e Mekes, të cilët i shihte shumë, një mijë vetë. Më pas, hidhte sytë nga ushtria myslimane, të cilët ishin vetëm treqind burra. Duke e parë veten ngushtë, Profeti a.s filloi t’i përgjërohej Zotit me lutje dhe dua. Ai i ngrinte duart lart duke u lutur, saqë i ra edhe xhybja që kishte hedhur krahëve. ”
Duke e parë Profetin a.s në këtë gjendje, Ebu Bekri vajti dhe i thoshte:”Mos e lodh veten kaq shumë o i dërguar i Allahut! Zoti do e mbajë fjalën që të ka dhënë.”
Përveçse është për raste fatkeqësish dhe sprovash, përgjërimi në jetën e profetëve hynte në çdo cep të jetës.
Thotë Profeti a.s:”Zoti  më propozoi që shkretëtirën e Mekes të ma kthejë flori. Por unë i thashë:”Jo o Zot! Unë pëlqej që një ditë të ngopem dhe një ditë të ndihem i uritur. Kur të ndihem i uritur, dua të të përgjërohem dhe nëse ngopem, të të falënderoj dhe të jem mirënjohës.”
Një beduin, vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Më mëso si të falem natën!”
Profeti a.s i tha:”Të falesh nga dy rekate dhe në rekatin e dytë të lexosh dëshminë (teshehudin). Më pas, të lutesh duke shfaqur nevojën dhe hallet e tua, të tregosh nënshtrim dhe përulësi, t’i përgjërohesh, t’i ngresh duart drejt qiellit dhe ta lusësh:”O Zot, o Zot!”
Namazi që falet gjatë eklipsit të diellit, bëhet me qëllim që t’i përgjërohemi Zotit dhe ta lusim me përkushtim.
Në kohë thatësire, Profeti a.s na këshillon që të falim namazin istiska, ku i përgjërohemi Zotit që të lëshojë shiun dhe të na ndihmojë.
Dita e qëndrimit në Arafat, është dita e përgjërimit për Zotin. Të gjithë haxhilerët qëndrojnë në këtë vend dhe gjatë gjithë ditës e lusin Zotin me përgjërim.
Për çfarë duhet t’i përgjërohesh Zotit o vëlla dhe oj motër? Mos vallë vetëm për ata myslimanë që u janë pushtuar tokat? Mos vallë vetëm për veten tënde, fëmijët dhe të afërmit? Jo. Ne e kemi obligim që t’i përgjërohemi Zotit për të gjithë njerëzit dhe për mbarë globin. Toka i ngjan një autobusi të madh, i cili ka një shofer, por që të gjithë pasagjerëve u intereson orientimi dhe mënyra si drejtohet autobusi. Nëse shoferi do të lihej të pijë dhe veprojë sipas kokës së tij, të gjithë pasagjerët do të përfundonin në humnerë.
 
A mjafton përgjërimi?
Me të drejtë, teksa lexon këto rreshta, dikush mund të pyesë:”Po a mjafton vetëm përgjërimi dhe lutjet që Zoti të na ndihmojë dhe të dalim nga kjo gjendje?”
Sigurisht që vetëm përgjërimi dhe vetëm lutjet nuk mjaftojnë. Por përgjërimi dhe përkushtimi fetar janë hapat e parë drejt ndryshimit të vetes. Pas tyre kemi një sërë stacionesh të tjera, po kaq të rëndësishme.
Dikush e pyeti imam Ahmedin:”O imam i nderuar! Kur na pranohen lutjet?”
Imam Ahmedi iu përgjigj:”Kur ato shoqërohen me përgjërim.”
Burri e tha:”Ma shtjello pak më shumë.”
Imam Ahmedi iu përgjigj:”Imagjino një burrë mbi një anije në një det me dallgë. Anija mbytet dhe burri mbetet sipër dallgëve të çmendura. Ajo që e mban sipër është një dërrasë e madhe. I frikësuar dhe i tmerruar nga frika, ai thërret me të madhe:”O Zot! O Zot!” Nëse luteni si ai burrë, për Zotin nuk ka lutje që u kthehet mbrapsht.”
Një njeri i mirë, teksa lutej dhe i përgjërohej Zotit, thoshte:”O Zot! Ti na ke urdhëruar në Librin Tënd që t’i falim ata që janë sjellë padrejtësisht me ne. O Zot! Ne i kemi bërë padrejtësi vetes tonë, prandaj na fal! O Zot! Ti na ke urdhëruar në Librin Tënd që të shpëtojmë njerëzit që janë në rrezik. O Zot! Ne sot jemi në rrezik, prandaj na shpëto! O Zot! Ti na ke urdhëruar në Librin tënd që të mos e kthejmë mbrapsht asnjë hallexhi që na vjen në derë. O Zot! Ne jemi hallexhinj që presim të hapet dera Jote, prandaj mos na kthe mbrapsht pa gjë!”
Detyra e secilit prej nesh, është që t’i përgjërohemi Zotit në lutjet dhe adhurimet tona, me shpresë që gjendja në të cilën ndodhemi të përmirësohet.
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit