12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

PASOJAT E SEKULARIZMIT NË BOTËN ARABO-ISLAME

Më të lexuarat

Depërtimi i sekularizmit në shoqërinë islame ka pasur pasoja të shumta, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë shoqëror. Ja disa syresh:

1) Refuzimi i gjykimit në përputhje me Librin e Allahut të Lartësuar, largimin e sheriatit nga të gjitha poret e jetës, ndërrimin e legjislaturës së shpallur nga Allahu i Lartësuar ligje të sajuara nga mendja e jobesimtarëve dhe armiqve të Allahut, konsiderimi se kthimi në fenë e Allahut është prapambeturi, si dhe izolimi i personaliteteve fetare me ndikim nga masa e gjerë, veçanërisht nga rinia.

2) Shtrembërimi dhe përhapja e informatave të rrejshme në historinë islame, si dhe përshkrimi i kohëve të arta të çlirimeve islame si periudha të egra, në të cilat paskëshin udhëhequr skandalet dhe lakmia personale.

3) Shkatërrimi i edukimit-arsimimit islam, si dhe shndërrimi tij në mjet për përhapjen e idesë sekulare, gjë që e arrijnë përmes:
a) Futjes së ideve sekulare në lëndët mësimore të nxënësve dhe studentëve.
b) Reduktimit të lëndës mësimore fetare sa të jetë e mundur.
c) Censurimit të mësimeve të disa teksteve të veçanta, të cilat zbulojnë haptazi dredhitë dhe mashtrimet e tyre.
d) Komentimit të disa teksteve fetare sipas mënyrës që lë përshtypjen se ato e përkrahin sekularizmin ose, të paktën, nuk e kundërshtojnë atë.
e) Largimit të profesorëve fetarë nga kontakti me studentë e nxënës, qoftë nëpërmjet ofrimit të posteve administrative apo pensionimit.
f) Caktimit të lëndës fetare si lëndë dytësore dhe, jo vetëm kaq, por edhe organizimi i orarit të saj në fund të javës, pikërisht kur studentët dhe nxënësit janë sterlodhur, rrjedhimisht, nuk janë të gatshëm të përvetësojnë lëndën siç duhet.

4) Flakja e dallimeve ndërmjet misionarëve të fesë së vërtetë, Islamit, dhe misionarëve të shtrembërimit, devijimit e ateizmit duke u dhënë formalisht status të njëjtë të gjithëve, edhe pse realisht ithtarët e kufrit, ateizmit, mëkateve e kurvërisë privilegjohen kundrejt ithtarëve të njëzimit (besimit të vërtetë në Allahun), respektit dhe nënshtrimit ndaj Allahut Fuqiplotë. Sipas kësaj, muslimani, krishteri, çifuti, hindusi dhe të tjerët, janë të barabartë para ligjit dhe favorizimi bëhet paralelisht respektit që tregohet për idenë sekulare. Madje, gjithnjë sipas kësaj që potencuam, nuk ka kurrfarë problemi nëse krishteri, çifuti apo komunisti bashkëvepron me muslimanin, detyrimisht edhe nëse caktohet udhëheqës i vendeve islame. Këtë ide mundohen ta realizojnë nëpërmjet motos “uniteti kombëtar”. Këtë slogan e kanë bërë bazë duke hedhur pas shpine çdo gjë që bie ndesh me të, qoftë Kuran apo Sunet.

5) Përhapja e erotizmit dhe moralit të shthurur për të shkatërruar familjen, që konsiderohet bërthama e shoqërisë. Këtë e realizuan nëpërmjet:
a) Aprovimit të ligjeve që nuk ndalojnë dhe nuk parashohin masa ndëshkuese për shthurjen morale duke konsideruar se seksi (pa dhunë) është liri personale e që duhet të jetë e mbrojtur dhe e garantuar.
b) Emetimit të emisioneve e programeve në lidhje me këto liri (lexo: shtazarake ), herë tërthorazi, herë drejtpërsëdrejti.
c) Luftimit të veshjes islame dhe obligimit të përzierjes meshkuj-femra në shkolla, universitete, institucione e shoqata.

6) Luftimi i fesë islame, gjë që e realizojnë permes:
a) Kufizimit të publikimit të librave islamë, në njërën anë, dhe lirisë së pakufizuar të botimit të librave të lëvizjeve e drejtimeve të devijuara e të degjeneruara, në anën tjetër, që në shënjestër kanë besimin dhe legjislacionin islam.
b) Ofrimit të mundësisë së transmetimit të ideve sekulare dhe përgënjeshtrimit të të vërtetave islame nëpërmjet medieve, qofshin ato elektronike, të shkruara, apo edhe nëpërmjet televizioneve, ndërkohë, dijetarët muslimanë privohen prej një të drejte të tillë.

7) Internimi i thirrësve muslimanë, luftimi i tyre, akuzime të pabaza, përshkrimi me veti të përbuzura, cilësimi i tyre si grup i prapambetur, me mentalitet të kufizuar, dekadentë, mohues të shpikjeve të reja shkencore, ekstremistë, që nuk e kuptojnë realitetin e gjërave, kapen pas çështjeve dytësore e braktisin parësoret.

8) Qërimi i hesapeve me muslimanët që nuk e përqafojnê sekularizmin, duke i internuar jashtë vendit, duke i burgosur, madje edhe duke i vrarë.

9) Mohimi i obligimit të xhihadit duke e sulmuar e duke e cilësuar si një prej llojeve të vandalizmit, plaçkitjes, kriminalitetit etj. Kjo, jo për tjetër, por vetëm për faktin se roli i xhihadit është të lartësohet fjala e Allahut, që pushteti t’i takojë vetëm Atij (të gjykohet sipas Librit të Tij), ndërkohë sekularistët shtetin e kanë zhveshur prej petkut fetar dhe e kanë kufizuar këtë të fundit në: “Raportet e njeriut me atë që e adhuron” (duke mos e kufizuar as si Zot), për të mos pasur ndonjë ndikim jashtë faltores. Përveç kësaj, ata shpallën se, ndërsa lufta “e ligjshme” bëhet në emër të mbrojtjes së pasurisë e vendit, lufta për mbrojtjen e fesë dhe përhapjen e saj qenkësh formë armiqësie e vrazhdësie, të cilën e refuzon njerëzimi “qytetëruar”.

10) Thirrja në nacionalizēm, thirrje që bashkon njerëzit nën flamurin artificial të racës, gjuhës, vendit apo interesit, me kusht që feja në asnjë mënyrë të mos jetë motiv i bashkimit apo tubimit. Sipas tyre, feja nuk bashkon, por ndan e përçan, madje njëri edhe tekstualisht kishte “konstatuar” se: “Provat njerëzore përgjatë shekujve të përgjakur dëshmojnë se feja, që është rrugë e njerëzve për sigurinë e asaj që vjen pas jetës (jetës së amshueshme), ka shkatërruar vetë sigurinë e jetës (së kësaj bote).”

Këto qenë vetëm disa prej pasojave të hidhura të sekularizmit nëpër vendet islame, përndryshe ato janë të shumta në numër. Muslimani shumë lehtë mund të vërejë në vendet islame praninë e atyre që përmendëm, siç mund të hetojë me lehtësi depërtimin e thellë të sekularizmit në një vend të caktuar, duke shikuar pasojat e hidhura të tij në atë vend.

Muslimani, e them me plot keqardhje, imazhet e sekularizmit mund t’i hasë në një apo në formë tjetër në shumë vende islame, saqë të zhveshur prej tij pothuajse s’mund të gjejë asnjë vend islam.

Libri: “Sekularizmi dhe pasojat e tij” Autor: Muhammed Shakir Esh Sherif. Përktheu: Dr. Sedat Islami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit