Nga Tel Avivi në Bregun Perëndimor, i riu rus Andrey Khrzhanovskiy dokumenton dhunën dhe sfidon narrativën zyrtare izraelite
Haaretz
Nga një vizitë familjare në Tel Aviv në një aktivist me qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale. Kjo është rruga e pazakontë e Andrey Khrzhanovskiy, 28 vjeç, i njohur online si Andrey X.
Prej dy vitesh ai dokumenton dhunën e kolonëve dhe ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, duke u kthyer në një nga zërat më të spikatur kritikë të pushtimit.
Një nga fotot e tij, ku shihet një djalë palestinez me një libër gramatike në dorë përballë një gardhi me tela me gjemba dhe tre ushtarëve të maskuar, u shpërnda nga ylli i YouTube-it për fëmijë, Ms. Rachel, me pesë milionë ndjekës.
Ajo foli për trajtimin e fëmijëve të fshatit Umm al-Khair, të cilëve kolonët u bllokuan rrugën për në shkollë. Fotoja ishte realizuar nga Andrey X. Ai emigroi në Izrael nga Shën Petersburgu në vitin 2022, nën Ligjin e Kthimit, pikërisht në ditën kur planifikonte të kthehej në Rusi pas një vizite te gjyshërit.
Atë ditë Rusia pushtoi Ukrainën. “Në Rusi duhet të heshtësh. Por unë nuk di të hesht…”- thotë ai, duke shtuar se rrezikon burg nëse kthehet. Ai vjen nga një familje intelektuale. I ati është regjisor i njohur rus, ndërsa gjyshi animator i censuruar nga regjimi sovjetik.
Fillimisht, ai nuk kishte ndërmend të bëhej aktivist. Por përballja me realitetin izraelit e tronditi. Ai tregon se, gjatë kërkimit të një apartamenti për gjyshërit në Netanya, një agjente imobiliare i tha se “kryetari i bashkisë nuk lejon arabët të marrin me qira këtu”.
“Jo vetëm që kjo ndodh, por thuhet pa problem”- kujton ai. Në janar 2023 nisi punë në një kafene palestineze në Jaffa. Kur një nga pronarët i tregoi se do të shkonte në Jordani për të takuar familjarë të dëbuar në vitin 1948, të cilëve u ndalohet të vizitojnë Izraelin, Andrey ndjeu peshën e padrejtësisë.
“Unë mora pasaportën për tre muaj, ndërsa familja e tij që ka jetuar këtu prej brezash nuk mund të kthehet në shtëpinë e saj”- rrëfen ai. Së shpejti ai iu bashkua aktivistëve izraelitë në turne “pranie mbrojtëse” në Bregun Perëndimor.
Filloi të xhironte dhe publikonte video në anglisht për zhvendosje të detyruara dhe sulme të kolonëve. Videot u bënë virale dhe sot ai ka rreth 700 mijë ndjekës në Instagram, X, TikTok dhe Facebook. Ai lëviz vazhdimisht nga një fshat në tjetrin, shpesh pa fjetur dy net në të njëjtin vend.
Megjithatë, ndikimi i përmbajtjes së tij mbetet i diskutueshëm. Disa aktivistë thonë se videot mund të shërbejnë si prova në gjyqe të ardhshme, por realiteti në terren nuk ka ndryshuar. “Ka më shumë ndërgjegjësim për çështjen palestineze,” thotë një bashkëpunëtor i tij nga Haifa, por ndalimi i dhunës është çështje tjetër.
Andrey nuk synon publikun izraelit. “E përse do të më dëgjonin ata?” pyet ai. Sipas tij, shoqëria izraelite është “më gjenocidale sesa mendojnë njerëzit jashtë” dhe shumë izraelitë justifikojnë vrasjen e fëmijëve palestinezë me argumente sigurie.
Ai pranon se për t’u dëgjuar në hebraisht duhet të flasësh me “empati”, gjë që e ndjen si kompromis të dhimbshëm. Aktivizmi i tij ka sjellë edhe pasoja. Në dhjetor 2024 u arrestua pasi vendosi një ngjitëse “Free Palestine” në një pikë vrojtimi në Sderot.
Ai pretendon se u godit nga policë civilë dhe u mbajt katër ditë në paraburgim. Në një tjetër rast, ai dhe disa aktivistë arritën të hyjnë disa qindra metra në Gaza për të sfiduar bllokadën, duke shkaktuar reagim të madh mediatik.
Grupet e djathta e akuzojnë për delegjitimim të Izraelit, ndërsa një organizatë e ka futur në një databazë “aktivistësh radikalë”. Ai i mohon akuzat për financime të huaja, duke thënë se mbështetet nga donacione online.
Sot, Andrey jeton kryesisht në Bregun Perëndimor dhe thotë se nuk e konsideron më veten pjesë të shoqërisë izraelite. “Drejtësia është universale. Shumë izraelitë që mendojnë se e njohin vendin e tyre, nuk kanë qenë kurrë në Bregun Perëndimor. Le të vijnë e të shohin vetë situatën”- shprehet ai. \tesheshi.com\
