10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Obama: Turqia mund të demonstrojë lidership në botë

Më të lexuarat

Kryeministri i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama realizuan të mërkurën në darkë një bisedë telefonike, ku morën në shqyrtim marrëdhëniet dypalëshe, por edhe shumë çështje me interes rajonal e global si Siria, Qiproja, Izraeli dhe energjetika.

Sipas deklaratës së bërë nga zyra për shtyp e Kryeministrisë në Ankara, Obama ka vënë theksin mbi rëndësinë, që ata i kushtojnë marrëdhënieve të fuqishme dhe të bazuara mbi parimin e respektit reciprok ndërmjet Turqisë dhe SHBA-ve.

Presidenti amerikan shprehu gjithashtu besimin e tij se Turqia mund të demonstrojë lidership në botë duke kontribuuar pozitivisht.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj bisede telefonike u trajtua edhe kriza në Siri.

Të dy liderët u ndalën veçanërisht mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë në lidhje me luftën kundër terrorizmit, që po përhapet gjithnjë e më shumë në Siri, ndërsa ranë dakord për vijimësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje politike, e cila mund t’i japë fund krizës politike në këtë vend.

Energjetika ishte një tjetër pikë e rëndësishme e telefonatës Erdoan-Obama, të cilët biseduan për nxitjen e qeverisë qendrore të Irakut dhe udhëheqjes rajonale kurde në veri të këtij vendi që të takohen në një platformë të përbashkët.

Numri 1 i Shtëpisë së Bardhë falënderoi gjithashtu kryeqeveritarin turk për rolin e tij në mundësimin e rifillimit të procesit të negociatave për zgjidhjen e problemit të Qipros.

Pjesë e bisedës telefonike ishte edhe rëndësia e përmbylljes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve Turqi-Izrael brenda një kohe të shkurtër.

Erdoan dhe Obama shkëmbyen gjithashtu mendime rreth përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Të dy liderët u shprehën se ekonomia botërore ka nevojë për një rritje më të fuqishme, të qëndrueshme dhe të ekuilibruar./trt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit