11.6 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

NUK KA KRIZË INSTITUCIONALE!

Më të lexuarat

Ekzekutivi i vendit nuk beson që ka krizë institucionale me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend, por duhet të merren si përplasje të rëndomta në një vend demokratik.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se edhe po qe se ndodhin ndryshimet në Qeveri nuk duhet të përcillen me debat dramatik, pasi që askush nga zyrtarët në institucione nuk e ka trashëgimi postin e tij.

Ajo këto komente i bëri pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku edhe njëherë vlerësoi si shumë të rëndësishëm për Kosovën miratimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit nga ana Komisionit Evropian.

E pyetur se a konsideron Qeveria e Kosovës situatën e fundit si një krizë institucionale, ajo ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se këto përplasje në demokraci janë të rëndomta.

“Nuk vlerësoj se Kosova ka krizë institucionale, situatat si kjo çfarë i kemi ditëve të fundit janë të rëndomta në demokraci dhe ajo çfarë është e rëndësishme të fokusohet në kryerjen e detyrimeve që kemi para nesh. Në demokraci janë të rëndomta dhe duhet të merren si të natyrshme përplasjet, mospajtimet ndonjëherë edhe keqkuptimet po është e rëndësishme që të shfrytëzojmë këtë moment të reflektojmë në punët e mëdha që i kemi përpara dhe po ashtu të reflektojmë më shumë për të ardhmen dhe gjeneratat që vijën pas”, ka theksuar Çitaku.

Ministrja Çitaku qysh më herët pati paralajmëruar riformatim të Qeverisë, në rast të mospërmbushjes së detyrave nga ana e ministrave. Ajo edhe sot e ka mbajtur këtë qëndrim, duke shtuar se asnjë nga zyrtarët nuk e ka trashëguar postin e tij.

“Ndryshimet eventuale në Qeveri nuk do të duhej të përcillen me debat dramatik çfarë e karakterizon diskursin politik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Ndryshimet duhet të jenë të natyrshme. Asnjëri prej nesh postin në Qeveri apo në institucione nuk e ka me trashëgimi dhe çdonjëri nga ne identifikohet si problem i procesit të integrimit evropian duhet të hapet rrugë. Ky studim nuk reflekton vetëm punën e kësaj qeverie, ky studim është rezultat i punës që është bërë gjatë 13 viteve të fundit”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, në lidhje me atë se këto raporte që i vijnë Kosovës do të jenë me fusnotë apo pa të, ministrja ka thënë se një prej arsyeve kryesore pse Kosova pat pranuar marrëveshjen e fusnotës nuk ka qenë ekskluzivisht përfaqësimi i Kosovës në mekanizmat rajonalë, por Kosova ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian që formula e fusnotës do të përdoret edhe për t’i hapur derë Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Ajo ka thënë se ka pasur dilema dhe ka pasur debate në kuadër të BE-së, por siç ka thënë ajo, MSA negociohet vetëm shtetet dhe vetëm shtetet mund të bëhen anëtare të BE-së.

Po ashtu, ajo ka thënë se gjendja në veri nuk është problem për hapjen e negociatave për MSA-në, por është kusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Sipas ministres pa shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Kosova nuk mund të nënshkruaj MSA-në.

Ministrja Çitaku ka thënë se pritet brenda fare pak muajsh që kriteret afatshkurtra do të përmbushen.

“Unë jam e bindur që brenda këtij viti që të gjitha parakushtet apo kriteret të ashtuquajtura afatshkurtra të cilat ne duhet t’i përmbushim që ne t’i negociojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit tashmë janë realizuar dhe do të realizohen. Unë jam e bindur se institucionet, jo vetëm Qeveria edhe parlamenti, por edhe mekanizmat e tjerë do t’i përgjigjen pozitivisht raportit”, ka theksuar ajo.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar janë miratuar edhe disa projektligje, siç është Projektligjit për Investimet e Huaja, Projektligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Po ashtu është miratuar edhe Propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2012.

Gjithashtu është miratuar edhe Propozim-vendimi për vazhdimin e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit