Njohje me librin “Sahih El-Buhari”
- Biografia e autorit
Ai është Ebu Abdullah, Muhamed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn el-Mugire ibn Berdizbeh, El-Buhari.
Imam Buhariu lindi pas namazit të Xhumasë, më 13 Sheual të vitit 194 hixhri, në Buhara.
Babai i imam Buhariut e regjistroi këtë me dorën e tij, dhe imam Buhariu e vlerësonte këtë shumë, saqë e ruajti shkrimin e të atit dhe ia tregoi nxënësit të tij, El-Mustenijr ibn ‘Atik.
Imam Buhariu u rrit jetim dhe e humbi shikimin në fëmijëri. Muhamed ibn El-Fadl El-Belhij ka thënë: ‘Muhamed ibn Ismailit i kishte humbur shikimi në moshën e tij të vogël.
Nëna e tij ishte një grua e devotshme adhuruese. Ajo pa në ëndërr Ibrahimin alejhi selam, mikun e të Gjithëmëshirshmit, i cili i tha asaj: “Allahu i Lartësuar ia ka kthyer shikimin djalit tënd për shkak të lutjeve të tua të shumta.”
Tha El-Belhij: “Kur u zgjua në mëngjes, Allahu ia kishte kthyer shikimin.”
Ahmed ibn Jusuf es-Sulemi ka thënë:
“E pashë Muhamed ibn Ismailin (Buhariun) në mexhlisin e Malik ibn Ismailit, teksa po qante. I thashë: ‘Çfarë të bën të qash?’ Ai tha: ‘Nuk mund të shkruaj dhe nuk mund të të memorizoj.’
Pastaj Allahu e bëri Muhamed ibn Ismailin ashtu siç e keni parë.”(( Hidajetus-Sarij, fq.72 ))
Poashtu, shkruesi i Buhariut ka thënë:
“E dëgjova Buhariun të thotë: ‘Kur isha fëmijë, shkoja te fukahatë e Mervas. Kur shkoja aty, më vinte turp t’i përshëndesja. Një edukator nga ajo anë më pyeti: “Sa ke shkruar sot?” I thosha: “Dy ajete” dhe me këtë kisha për qëllim dy hadithe.’ Ata që ishin në mexhlis qeshën, por një nga të moshuarit tha: ‘Mos qeshni, ndoshta një ditë ai do të qeshë prej jush.’ Dhe ndodhi ashtu siç tha ai shejhu.”
Ebu Xha‘fer Muhamed ibn Ebi Hatim, shkruesi i Buhariut, ka thënë:
“I thashë Ebu Abdullahut (Buhariut): ‘Si e fillove kërkimin e hadithit?’
Ai tha: ‘M’u frymëzua memorizimi i hadithit ndërsa isha në ‘kuttab’ shkollë fillore.’
I thashë: ‘Sa vjeç ishe?’
Ai tha: ‘Dhjetë vjeç ose më pak.’ “Pastaj dola nga kuttabi pas moshës dhjetë vjeç dhe fillova të shkoja te Ed-Dahilij dhe të tjerët. Një ditë, teksa ai lexonte për njerëzit, tha: ‘Sufjani, nga Ebu Zubejri, nga Ibrahimi…’
I thashë: ‘Ebu Zubejri nuk transmeton nga Ibrahimi.’
Ai më qortoi, por i thashë: ‘Kthehu te origjinali, nëse e ke.’
Ai hyri, e shikoi dhe doli, pastaj më tha: ‘Si është, o djalosh?’
I thashë: ‘Është Zubejr ibn Adij, nga Ibrahim.’ Ai ma mori lapsin, e rregulloi shkrimin në fletën e tij dhe tha: ‘Ke thënë të vërtetën.’
Njëri nga shokët e tij pyeti: ‘Sa vjeç ishe kur e korrigjove?’
Ai tha: ‘Njëmbëdhjetë vjeç.’
(( Hidajetus-Sarij, fq.123 ))
Imam Buhariu vdiq natën e së shtunës gjatë namazit të akshamit, natën e Fitër Bajramit, dhe u varros ditën e Fitër Bajramit pas namazit të drekës, të shtunën, në fillim të muajit Sheual të vitit 256 hixhri. Ai ishte 62 vjeç e 13 ditë dhe nuk la pas pasardhës. U varros në fshatin Hartenk, rreth 12-16 km larg Semerkandit.
Info:
Për shkak se këtu po e prezentojmë librin, biografinë e plotë të imam Buhariut, e gjeni në webfaqen KohaIslame!
- Prezantimi i librit
Titulli: “El-Xhami’ Es-Sahih El-Musned el-Muhtesar min Umuri Resulilahi ﷺ ue Sunenihi ue Ejamih” i njohur si “Sahih El-Buhari”
Autori: Ebu Abdullah el-Buhari
Tema: Hadith
Vëllimet: 1
Shtëpia botuese: Mueseseh er-Risaleh en-Nashirun
Numri i haditheve : 7563
- Metodologjia e autorit në libër
- a) Sahihu i Buhariut është një libër gjithëpërfshirës për temat e fesë: akide, dispozita juridike, siren Pejgamberit ﷺ, edebin, tefsirin, fitnet, shenjat e Kiametit, virtytet e njerëzve, dhe të tjera…
Për të kuptuar shkallën e gjerë të temave që përfshin ky libër, mjafton të dimë se numri i kapitujve që Imam Buhariu vendosi për nënndarjen e haditheve dhe gjurmëve arrin më shumë se 3500 kapituj.
Kjo sa i përket tematikave, ndërsa emri i librit ka edhe një domethënie tjetër: ai ka mbledhur në të përmbledhjen e asaj që është e saktë nga librat e atyre që i paraprinë — prej librave të sirës dhe ngjarjeve, librave të suneneve, e deri te librat e tefsirit dhe të fjalëve të
Dhe kjo nuk është e çuditshme, sepse Buhariu ishte vetë një “mbledhës i diturisë”, siç e ka përshkruar imam Darimiu:
“Kam parë dijetarët e dy Haremeve, Hixhazit, Shamit dhe dy Irakeve, dhe nuk kam parë ndër ta askënd më të gjithanshëm se Muhamed bin Ismaili.” (( Tarijh el-Islam, 19,257 )) - b) Ai është libër që u kufizua vetëm me hadithe
Ibrahim ibn Ma’kil en-Nesefij transmeton: “E kam dëgjuar Buhariun të thotë: Nuk kam futur në librin tim ‘El-Xhami’ veçse atë që është e saktë.”
Ndërsa el-Ismailiu transmeton prej tij se ka thënë:
“Nuk kam nxjerrë në këtë libër veçse të saktë dhe atë që kam lënë prej të saktave është më shumë.”
El-Ismailiu shpjegon: sepse sikur t’i nxirrte të gjitha ato që i konsideronte të sakta, do të mblidhte në një kapitull hadithe të shumë sahabëve dhe do të përmendte rrugën e secilit, nëse ishte e saktë; kështu libri do të bëhej shumë i madh. - c) Ai është libër ‘musned’ i bazuar në zinxhirë transmetimi, pasi Imam Buhariu u kujdes që t’i sillte hadithet me zinxhirët e tyre.
Kufizimi i titullit me fjalën “el-musned” është një vërejtje për studiuesin se hadithet me sened janë qëllimi kryesor i librit, ato që plotësojnë kriterin e tij të lartë të saktësisë.
ç) Ai është libër i përmbledhur.
Imam Buhariu nuk e synoi të mblidhte gjithë hadithet e sakta. Këtë e ka shprehur hapur duke thënë: “Nuk kam futur në ‘El-Xhami’ veçse atë që është i saktë, dhe kam lënë shumë prej të saktave që të mos zgjatej libri.” (( Hidajetus-Sarij, fq.121 ))
Dhe gjithashtu: “Nuk kam nxjerrë në këtë libër veçse të saktën, dhe ajo që kam lënë nga të saktat është më shumë.” (( Shurutul-Eimeh el-Hamseh, fq.160))
- d) Ai është libër i specializuar në hadithet e ngritura deri te Pejgamberi ﷺ , prandaj ai e kufizoi këtë që në titull duke thënë: “nga çështjet e Profetit ﷺ, sunnetet e tij dhe ditët e tij”.
- Rrethanat e hartimit të librit
Tregon nxënësi dhe shkruesi i tij, Ebu Xha’fer Muhamed ibn Ebi Hatim el-Uerrak:
“Kur udhëtoja me Ebu Abdullahun (Imam Buhariun), zakonisht rrinim në të njëjtën dhomë, përveç ndonjëherë në ditët me vapë. E shihja se ai ngrihej gjatë një nate pesëmbëdhjetë deri në njëzet herë. Sa herë ngrihej, merrte gurët e zjarrit, ndizte dritën me dorën e tij, nxirrte hadithet dhe shënonte mbi to, pastaj shtrihej dhe vendoste kokën. Në kohën e syfyrit (para sabahu), falej trembëdhjetë rekate dhe vitrin e përfundonte me një rekat të vetëm.
Megjithatë, nuk më zgjoi asnjëherë gjatë atyre ngritjeve të shumta. I thashë: “Po e lodh veten kaq shumë, e megjithatë nuk më zgjove?” Ai tha: “Ti je i ri, dhe nuk dua ta prish gjumin tënd.” (( Hidajetus-Sarij, fq.72)
Thotë nxënësi i tij dhe transmetuesi më i famshëm i “Sahihut”, Muhamed ibn Jusuf el-Ferabrij:
“Një natë isha te Muhamed ibn Ismail el-Buhariu, në shtëpinë e tij. I numërova herët që ai u ngrit, ndezi dritën dhe filloi të rishikonte çështje të ndryshme për t’i shënuar, dhe i përsëriti këto veprime tetëmbëdhjetë herë gjatë asaj nate.”(( Mu’xhem Shujuh ibn Xhumij’ es-Sejdavij, fq.168 ))
- Vlerësimet e dijetarëve për librin
El-Hafidh Ibn Kethiri në ‘El-Bidajeh uen-Nihajeh’, thotë:
“Dijetarët u pajtuan mbi pranimin Sahihut të Buhariut dhe mbi saktësinë e asaj që përmban, po ashtu edhe të gjithë muslimanët…”
Ibn Es-Subki në ‘Tabakat ash-Shafi‘ijeh el-Kubra’, thotë:
“Sa i përket librit të tij ‘el-Xhami’ es-Sahih’, ai është më i shquari dhe më i rëndësishmi prej librave të Islamit pas Librit të Allahut…”
Ebu Amr Ibn es-Salah në ‘Ulum al-Hadith, pasi përmendi se kush ishte i pari që përpiloi librat e Sahih el-Buhariut dhe Muslimit, tha:
“Këto dy libra janë më të saktët pas Librit të Allahut,” pastaj shtoi:
“Dhe libri i Buhariut është më i saktë nga të dy dhe më i dobishëm.”
Imam Neveviu në ‘Parathënien e shpjegimit të Muslimit’, thotë:
“Dijetarët u pajtuan – Allahu i mëshiroftë – se dy librat më të sakta pas Librit të Allahut, janë Sahih el-Buhari dhe Sahih Muslim, dhe ata u pranua nga i gjithë ummeti. Libri i Buharit është më i saktë, më i dobishëm dhe përmban njohuri të qarta dhe të fshehta. Është vërtetuar se Muslimi ishte ndër ata që përfitonin nga Buhariu dhe pranoi se nuk kishte të ngjashëm me të në dijen e hadithit.”
Të gjitha këto i shënon dijtari i kohës sonë, Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi në librin e tij “El-Imam el-Buhari ue Kitabuhu el-Xhami’ es-Sahih, fq.44”
Në përfundim themi:
Pas këtij prezantimi të shkurtër, bëhet e qartë se ‘Sahih El-Buhari’ nuk është thjesht një libër hadithi, por një thurje madhështore shkencore, vepër që shënoi kulmin e përpjekjeve të muhaddithëve dhe meriton pozitën që ummeti ia ka njohur përgjatë shekujve. Në të janë bashkuar: dija, sinqeriteti, zgjuarsia, saktësia e pakrahasueshme, adhurimi i thellë dhe përkushtimi që nuk njeh lodhje, cilësi që u ndërthurën në personalitetin unik të Imam Buhariut.
Për këtë arsye, dijetarët e kanë vendosur unanimisht ‘Sahihun e Buhariut’ pas Librit të Allahut, si referencën më të saktë dhe më të besueshme. Sahihu i tij mbetet gur themeli në ruajtjen e traditës profetike ﷺ dhe një trashëgimi që do të ndriçojë umetin deri në Ditën e Gjykimit.
Përmblodhi: Uvejs Ramadani
