15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Njohja e Kosovës dhe ambasada në Izrael, Vuçiç: Interesat e Serbisë kanë ndryshuar

Më të lexuarat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të veprojë në përputhje me interesat e saj sa i takon zhvendosjes së ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem të Izraelit. Mirëpo, sipas Vuçiçit, interesat e Serbisë kanë ndryshuar pasi Izraeli njohu Kosovën. Sot, më 1 korrik, skadon afati i përcaktuar për Serbinë që të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem.

Afati përcaktohet në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dokumenti kishte 15 pika të njëjta që Serbia dhe Kosova nënshkruan me Shtetet e Bashkuara, por pika e fundit e dokumentit ishte e ndryshme. Kosova nënshkroi për njohje të ndërsjellë me Izraelin, ndërsa Serbia se do të zhvendoste ambasadën në Jerusalem, deri më 1 korrik 2021. Kosova e ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit është një nga pikat qendrore të konfliktit të gjatë mes Izraelit dhe palestinezëve. Palestinezët e pretendojnë Jerusalemin lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

“Ne kishim marrëveshje dhe unë kam pasur një bisedë me kryeministrin izraelit dhe ia kam bërë të qartë se nuk kam nënshkruar dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët, por vetëm me amerikanët, dhe kjo ka ndikuar edhe raportet e Izraelit ndaj nesh”, tha Vuçiç.

“Mos u shqetësoni për pozicionin e Serbisë. Ne do të qëndrojmë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me interesat e Serbisë dhe këto interesa kanë ndryshuar që kur Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës. Respektojmë miqësinë me Izraelin, por duke respektuar edhe veten. Ju nuk mund të na thoni – ne kemi njohur pavarësinë në një pjesë të territorit tuaj dhe tash ju urdhëroni”, tha Vuçiç.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.

Më 30 qershor, Shtetet e Bashkuara thanë se presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve të marra në Uashington më 4 shtator 2020.

“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’iu përmbahen detyrimeve të marra përsipër në Uashington”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

“Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.

Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump pranoi Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit më 2017 dhe në maj 2018, ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem. Bashkimi Evropian thotë se statusi i Jerusalemit nuk është i zgjidhur dhe kundërshton hapjen e ambasadave në atë qytet. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit