Një vendim që ngjall debat në Britani: Gjyqtari britanik njeh kritikën ndaj Islamit si “bindje filozofike të mbrojtur”

Më të lexuarat

Në një vendim juridik që ka ngjallur diskutime të gjera në qarqet ligjore, akademike dhe shoqërore të Mbretërisë së Bashkuar, një gjyqtar britanik ka deklaruar se e drejta për të kritikuar Islamin mund të përfshihet në kategorinë e “bindjeve filozofike të mbrojtura” sipas Ligjit për Barazinë (Equality Act). Ky interpretim nënkupton se mbajtësit e një qëndrimi kritik ndaj Islamit, nëse e shprehin si bindje intelektuale e jo si urrejtje ndaj një grupi njerëzish, mund të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.

Ky vendim u mor pas një padie të ngritur nga Patrik Li (Patrick Lee), një ekspert aktuar (aktuarist) i cili pretendonte se ishte dënuar profesionalisht dhe moralisht për shkak të disa deklaratave të tij në rrjetet sociale, ku kishte shprehur kritika të ashpra ndaj Islamit dhe ndaj figurës së Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të).

Zoti Li argumentoi se qëndrimet e tij ishin pjesë e një bindjeje intelektuale e filozofike, që buronte nga analiza e tij mbi çështje fetare, politike dhe shoqërore, dhe jo nga urrejtja apo përbuzja ndaj besimtarëve myslimanë. Ai deklaroi se ishte ndëshkuar për një mendim të sinqertë, jo për një akt diskriminimi.

Në vendimin e tij, gjyqtari pranoi se, ndonëse gjuha e përdorur nga paditësi në disa prej postimeve të tij ishte e ashpër dhe provokuese, ajo nuk përbënte domosdoshmërisht nxitje urrejtjeje ndaj myslimanëve si grup shoqëror, por mund të interpretohej si shprehje e një qëndrimi filozofik kritik ndaj një doktrine fetare.

Sipas gjykatës, në një shoqëri demokratike ku liria e mendimit dhe e shprehjes përbën një nga themelet themelore të rendit kushtetues, është e domosdoshme të bëhet dallimi mes fjalës së urrejtjes dhe kritikës filozofike, morale apo politike ndaj një feje apo sistemi besimesh.

Ky vendim ka hapur një debat të gjerë në Britani mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes nga diskriminimi fetar. Disa e kanë cilësuar si fitore të arsyes dhe të lirisë akademike, ndërsa të tjerë e shohin si rrezik potencial për rritjen e gjuhës islamofobe nën petkun e “bindjes filozofike”.

Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, vendimi i fundit i gjykatës britanike shënon një precedent të rëndësishëm ligjor, i cili mund të ketë ndikim të gjerë në mënyrën se si sistemet gjyqësore të vendeve perëndimore trajtojnë raportin mes kritikës fetare, lirisë së fjalës dhe mbrojtjes nga urrejtja.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit