Marrëdhënia midis robit dhe Zotit të tij nis gjithnjë me mendimin.
Është ai fill i padukshëm që lidh zemrën tënde me qiellin.
Nëse ky mendim është i mirë, tërheq mëshirën;
nëse është i keq, lidhja këputet para se të shtrihet.
Disa njerëz, pa e kuptuar, mendojnë keq.
Besojnë se devotshmëria do t’u sjellë vetëm sprova,
se çdo sexhde do të pasohet nga një dhimbje, e për këtë arsye tërhiqen nga adhurimi jo nga urrejtja, por nga frika e pasojave të tij.
Por nuk e kuptojnë se vet ky mendim është thelbi i fatkeqësisë.
Të mendosh se bindja ndaj Zotit është sinonim i fatkeqësisë, është gabim në konceptim. Po, Zoti yt sprovon me butësi, e vë në provë për të pastruar e për të ngritur në shkallë, por kjo s’duhet përkthyer si pritje e së keqes, sikur Ai të të ndëshkonte për adhurimin tënd!
A mund të mendohet kështu për të Gjithmëshirshmin, të Dashurin, Mirënjohësin dhe të Durueshmin?
A e di se ky ishte mendimi i idhujtarëve?
Kur i thanë Profetit ﷺ: “Nëse ndjekim udhëzimin me ty, do të rrëmbehemi nga toka jonë.”
Kështu menduan, dhe ky ishte fryti i shirkut të tyre.
Mendimi për Zotin është themeli i besimit.
Ai është dallimi mes atij që vepron me siguri në premtimin e Zotit dhe atij që tërhiqet, duke menduar se e mira gjendet në largim.
Kush mendon mirë për Zotin, gjen të mirën aty ku s’e pret.
“Strehohuni në shpellë, Zoti juaj do t’ju përhapë nga mëshira e Tij
dhe do t’ju përgatisë në çështjen tuaj një rrugëdalje.”
A ishte ky një mendim që thanë vetë banorët e shpellës,
apo frymëzim i hedhur në zemrat e tyre?
Dihet se ata nuk ishin profetë, dhe askush s’ka thënë se u shpall ndonjë shpallje.
Ishte vetëm mendimi i mirë besimi se Zoti është ashtu siç mendon robi për Të.
Qoftë ky mendimi i tyre apo përshkrimi i gjendjes së tyre, përfundimi është i njëjtë, dhe sa i bukur është ai:
përfundimi i atyre që mendojnë mirë për Zotin e botëve.
Sa herë që arsyet të ngushtohen, pyet veten me fjalët e Ibrahimit (alejhisselam):
“Ç’mendim keni ju për Zotin e botëve?”
Pastaj jep përgjigje me vepra, përpara se me fjalë,
dhe kujtoje veten kur të pushtojnë dyshimet e mendimit të keq, me fjalët e Zotit në hadithin kudsij:
“Unë jam ashtu siç më mendon robi Im;
nëse mendon mirë, do gjejë të mirën;
nëse mendon keq, do gjejë të keqen.”
Mendo mirë… dhe jeta do të bëhet edhe më e mirë.
✍️ Dr. Muhamed Ali Jusuf
