Pas një vëzhgimi të thelluar dhe të vazhdueshëm mbi realitetin sirian, përfundimi i këshillës sime për të mirën e popullit fisnik të Sirisë është si vijon:
Mos e lini fushën e punës, dhënies dhe ndërtimit për shkak të mangësive, problemeve apo rezervave që mund të shihni. Përkundrazi, merrni pjesë me të gjitha mundësitë tuaja në fusha të ndryshme të ndërtimit – më e rëndësishmja ndër to është: ndërtimi i shpirtrave dhe mendjeve mbi baza ringjallëse dhe mbi standarde të sakta profetike, të cilat i ka munguar umetit për dekada të tëra.
Me të vërtetë, nga mirësitë e Allahut për ju është që hapësirat për të vepruar në këtë ndërtim janë shumë të gjera sot, ndaj mos i humbni. Nevoja është e madhe dhe e ngutshme. Të zhyturit në kritikë të vazhdueshme ngadalëson energjinë për të vepruar. Përsosmëria nuk vjen menjëherë, por është rezultat i pjesëmarrjes së ndershme dhe aktive në realitet.
Në të njëjtën kohë, mos e lini këshillimin me butësi dhe urtësi, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, sepse nëpërmjet tyre shtohet e mira dhe vjen begatia. Kjo është e domosdoshme për shëndetin dhe ndërtimin e shoqërive myslimane. Por kjo kërkon kuptim të thellë, sinqeritet dhe maturi. Prandaj, bëhuni nga ata që e zotërojnë këtë me përfshirje, shoqërim dhe ndërtim.
Le të jetë një nga sloganet më të rëndësishme për ju në këtë fazë fjala e Allahut: “Ndihmohuni me njëri-tjetrin për të mirë dhe devotshmëri, dhe mos ndihmoni njëri-tjetrin për mëkat dhe armiqësi.”
Dijeni se ka njerëz të së keqes dhe me qëllime të prishura që konkurrojnë me ju në mënyrë të vazhdueshme dhe me mjete të mëdha. Do të kafshoni gishtat nga pendimi nëse vonoheni në mbushjen e boshllëqeve në mënyrë të drejtë që sot.
Vëllezërit e mi të nderuar: Garoni me kohën në ndërtim dhe në mbrojtjen e boshllëqeve. Mos u mbështetni në rehati apo izolim. Faqet e ardhshme janë të mbushura me detyra, dhe kanë nevojë për shpirtra të sinqertë e të gjallë, mendje të urta, zemra të pastra dhe duar të fuqishme që bashkëpunojnë.
Lusim Allahun e Lartësuar të jetë i butë me popullin e Shamit dhe t’i bëjë ata mbështetje për Islamin dhe myslimanët.
Po ashtu, e lusim Atë për çlirim për umetin e Muhamedit ﷺ në Palestinë dhe në çdo vend ku ata shtypen.
