Një mesazh për zemrën tënde

Më të lexuarat

E kuptoj trazimin e disa njerëzve kur, pas ngjarjeve të rënda si ato që përjetuan vëllezërit tanë në Gaza, përmenden ajetet e fitores.
Por, për fat të keq, ky trazim buron nga robërimi ndaj rezultateve tokësore, nga magjepsja pas matjeve materiale, dhe nga mospasja e një kuptimi të thellë të fitores nga këndvështrimi kuranor këndvështrimi i besimit, jo i pushtetit.
Sepse në Kuran, fitorja është më shumë një ndriçim shpirtëror sesa një fitore ushtarake, një frut i edukatës hyjnore, jo një qëndrim i sforcuar për të justifikuar disfatën.

Ky koncept përmendet në Kuran më shumë se njëqind e pesëdhjetë herë; dhe pothuajse gjithnjë lidhet me burimin e vetëm të fitores Allahun e Lartësuar.
Në faqet e Librit të Shenjtë, fitorja është premtim hyjnor, i lidhur ngushtë me adhurimin e sinqertë dhe përmbushjen e shkaqeve, jo me shkaqet vetë.
Koha e saj është e fshehtë, e mbuluar nga urtësia hyjnore, dhe qëllimi i saj i fundit është ngritja e fesë dhe mbizotërimi i së vërtetës.

Kështu, Kurani e ngre konceptin e fitores në një lidhje të shenjtë midis robit dhe Zotit të tij ligje që nuk janë njerëzore, por skenarë të urdhëruar prej Krijuesit.
Në të vërtetë, Kurani rrallë flet për shpërblimin e dukshëm të fitores; më tepër ndalet tek fitorja e zemrës dhe e shpirtit.

Kështu, dëshmori është fitimtar, edhe pse bie në fushë.
Grupi i vogël, nëse beson me sinqeritet, është mbizotërues, edhe pse i paktë në numër.
Dhe ai që duron nën peshën e sprovës, është më afër fitores, edhe pse i rrethuar nga dhimbja.

Sepse të gjithë këta kanë arritur shkallën më të lartë të robërisë ndaj Zotit atë adhurim të pastër që nuk thyhet nga frika, sprova apo humbja.

Kështu, Kurani nuk i sheh Banorët e Hendekut (Ashab el-Ukhdud), të cilët u dogjën të gjallë, si të mundur sepse ata nuk u dorëzuan përballë mohimit.
As Banorët e Shpellës (Ashab el-Kahf) nuk i quan të humbur, sepse ruajtën besimin dhe pastërtinë e tyre ndaj Zotit.
As emigrantët që lanë gjithçka për t’iu bindur Profetit ﷺ, sepse ata dëgjuan dhe iu përgjigjën thirrjes së Zotit.
Edhe profetët që u përgënjeshtruan e u përndoqën nga popujt e tyre, në sytë e Kuranit ishin fitimtarë, sepse nuk u dorëzuan kurrë.

Në Betejën e Bedrit, Kurani nuk e fillon fjalën “fitore” nga momenti i triumfit, por nga çasti i hixhretit sepse fitoreja kishte nisur që në shpërnguljen për hir të Zotit.
Allahu thotë:

“Nëse ju nuk e ndihmoni (të Dërguarin), dijeni se Allahu e ka ndihmuar atë kur e nxorën jobesimtarët, i dyti prej të dyve, kur ishin në shpellë dhe i thoshte shokut të tij: ‘Mos u trishto, vërtet Allahu është me ne.’”
Deri sa thotë: “Dhe Ai e bëri fjalën e jobesimtarëve më të ulëtën, ndërsa fjala e Allahut është më e larta.”

Pra, fitoreja e Bedrit filloi me sakrificën e hixhretit — dhe pa të, nuk do të kishte Bedër.

Në Kuran, fitorja lind nga përkulja para së vërtetës, dhe qëllimi i saj është të mos përkulesh para të pavërtetës.
Prandaj, përmendja e ajeteve të fitores pas një fatkeqësie nuk është ethet e lavdisë, por shenjë e besimit të gjallë, që buron nga adhurimi i sinqertë që është vetë qëllimi i krijimit.

Sepse myslimani nuk pret fitoren që të besojë
ai beson, dhe për këtë arsye fiton.

/ Dr. Muhamed Wafiq Zein el-Abidin/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit