Nga ishulli i Epstein-it te “VIP-at” e Tiranës!

Më të lexuarat

Anatomia e një elite që vjedh bukën dhe përdhos dinjitetin e të ndershmëve

Dosjet Epstein nuk ishin lajm, ishin një autopsi. Një thirrje zgjimi për të parë kufomën e moralit të elitës globale. Por, ndërsa bota numëron emrat e listave të zeza, ne këtu në Shqipëri kemi “ishujt” tanë.

Kemi një elitë që nuk ka nevojë për ishuj privatë, sepse ka privatizuar çdo hapësirë publike. Degjenerimi nuk është më sekret por sfilatë. E pamë tek zyrtari i lartë ndërkombëtar që vjen në Tiranë dhe “mrekullohet” nga vajzat tona.

Nuk flet për ligjin, nuk flet për drejtësinë. Flet për mishin. Këtu është krijuar një binom i zi, një pakt me djallin mes showbiz-it dhe politikës. Vajzat e ekraneve tona promovohen si ikona suksesi. Por suksesi i tyre nuk ka biografi.

Ai ka vetëm faturë. Një faturë që e paguajmë ne. Janë paratë e vjedhura të taksapaguesve ato që kthehen në dhurata luksi. Janë tenderat e fryrë që shndërrohen në pushime ekzotike.

Ky nuk është luks, është vjedhje e maskuar me makijazh. Është një hipokrizi e pështirë që na shitet çdo darkë në emisionet televizive prime-time. Shikoni “tapetet e kuq”. Buzëqeshjet e ngrira nëpër të ashtuquajturat “mbremje GALA”.

Atje parakalojnë hije që mbajnë veshur djersën e një populli. Çdo fustan firmë, është një rrogë mjeku e mohuar. Çdo makinë luksoze, është një shkollë që pikon. Këta VIP-a nuk janë yje, janë parazitë të një sistemi të kalbur.

Ata nuk prodhojnë asgjë, përveç iluzionit të një jete që asnjë njeri i ndershëm nuk e arrin dot.Media është bashkëpunëtore në këtë krim. Ajo i pikturon këta individë si “elita”, ndërsa në fakt ata janë thjesht fasada e transaksioneve të errëta.

Një politikan që vjedh, ka nevojë për një showbiz që shkëlqen për të tërhequr vëmendjen. Është një teatër i pështirë, ku aktorët paguhen me bukën tonë. Tapetet e tyre nuk janë të kuq nga rëndësia, por nga turpi.

Turpi i një shoqërie që detyrohet të admirojë ata që po e zhveshin nga dinjiteti. Rasti “Epstein”, na tregoi se si përfundon ky film kur fiken dritat. Por këtu në Tiranë, dritat e prozhektorëve vazhdojnë të qëndrojnë ndezur mbi llumin.

Ka ardhur koha ta grisim këtë fasadë. Të kuptojmë se pas shkëlqimit të tyre fshihet mjerimi ynë. Degjenerimi u konfirmua, tani radhën e ka refuzimi. Mos i duartrokisni më nëpër tapete. Ata nuk po sfilojnë për ju, po sfilojnë me zullumet e bëra mbi kurrizin tuaj! /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit