Nga Dr. Arben Ramkaj: Ndërmjet Europës dhe “goglës” së Fishtës, shansi ynë historik apo humbja e shekullit?!

Më të lexuarat

Provincializimi ende i pashërueshëm i yni në drejtimin e shtetit

Shqipëria ndodhet sot përballë një udhëkryqi monumental gjeopolitik, e përfshirë në një garë de facto me Malin e Zi për anëtarësim në Bashkimin Europian. Podgorica e ka udhëhequr këtë proces në letër prej vitesh, por historia dëshmon se suksesi nuk i takon domosdoshmërisht atij që niset i pari, por atij aktori që lexon drejt dhe me shpejtësi momentin strategjik.

Tirana zyrtare ka hyrë në fazën më vendimtare të integrimit. Për herë të parë pas tri dekadash tranzicioni kompleks, kryeqytetet kryesore europiane po diskutojnë një zgjerim real dhe të ankoruar në afate kohore. Ky ndryshim paradigme u reflektua qartë gjatë vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë. Ndërsa merrte pjesë në forumin ekonomik ndërkombëtar, të drejtuar përpara investitorëve globalë dhe fondit saudit FII, Macron artikuloi një mesazh që do të linte pa fjalë çdo vëzhgues. E dëgjova atë thënie me veshët e mi dhe, në fakt, u hutova pakëz nga ajo skenë; ishte hera e parë që një lider i kalibrit të Francës nuk foli me gjuhën e mjegullt diplomatike, por deklaroi në mënyrë të drejtpërdrejtë se investimet në Shqipëri janë të sigurta pasi vendi mund të jetë pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2027.

Ky qëndrim konfirmoi se Europa po e sheh rajonin si një element kyç të arkitekturës së saj të ardhshme strategjike, për të shmangur një vakum të rrezikshëm institucional në zemër të kontinentit.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, pyetja themelore nuk lidhet me mungesën e potencialit. Problemi më i madh i Shqipërisë sot është niveli mediokër i klasës politike shqiptare, një klasë e mbushur me gastarbajterë të kthyer rastësisht në elitë, me skifterë politikë që ndërrojnë flamur sipas interesit personal, me hafije partie, katundarë egoistë të pushtetit, rrufjanë arrogantë që lëvizin nga një post në tjetrin pa asnjë përgjegjësi morale apo shtetërore.

Një pjesë e madhe e politikës shqiptare jeton në një provincializëm brutal. Nuk e kupton fare se Shqipëria ndodhet sot në një pikë nevralgjike për të ardhmen e Europës në Ballkan dhe se kjo magnitudë mundësie mund të mos përsëritet më për 50 vitet e ardhshme. Ata vazhdojnë të sillen si njerëz që administrojnë një komunë të izoluar, jo një shtet që ndodhet përballë portës së Bashkimit Europian. Në vend që të ndërtojnë një konsensus kombëtar për integrimin, vazhdojnë luftën primitive të përditshme për tenderë, emërime, pazare, televizion, propagandë dhe hakmarrje personale. Ndërkohë që Kroacia ndërtonte shtet për të hyrë në Europë, elitat shqiptare shpesh kanë ndërtuar vetëm klientela të palëkundura partiake.

Një paradoks i madh i tranzicionit tonë mbetet ajo që mund ta quajmë “republika e profesorëve” — pasi pothuajse çdo kryeministër që ka udhëhequr ekzekutivin shqiptar ka ardhur fillimisht nga auditorët e universitetit si profesor. Megjithatë, nga Fatos Nano e deri më tani, kjo rrethanë akademike nuk e ka arritur dot ndryshimin e thellë të kulturës së mendimit në mendjen e shqiptarit të thjeshtë.

Kjo krizë e thellë strukturore gjen një pasqyrim profetik në satirën e At Gjergj Fishtës. Në dialogun e tij, ku Shën Mhilli dhe Shën Pjetri zbresin për të parë fatin e kësaj toke, egoizmi dhe interesat e vogla e gërryejnë shtetin nga brenda:

“Kishin hyp nji rreze dielli,

Ai Shën Pjetri e ai Shën Mhilli,

e po flisnin për i hall t’vjetër,

Ai Shën Mhilli med njat Shën Pjetër.

Se Shqypnia u rrudh e vogël,

për shqiptarët, sa një gogël.”

Kësaj jete të mbyllur në provincializëm, ku pushteti trajtohet si plaçkë, i bën jehonë po aq të ashpër edhe pena e mprehtë e Hafiz Ibrahim Dalliut, duke goditur kastën që dëmton të ardhmen e brezave:

“Këta politikanë që kemi sot,

Që na shesin dregza e dokrra plot,

Për nji karrige e për nji interes,

E lanë Shqipninë pa dritë, pa shpresë.

I shoh tek lëvizin nga një post në tjetër,

Me të njëjtin ves, me atë mendje të vjetër!”

Këto dëshmi historike tregojnë se integrimi kërkon sakrifica strukturore, ashtu si Sllovenia në vitin 2004 përmes një konsensusi absolut mbi-palësh, Rumania e Bullgaria me monitorimin e rreptë të drejtësisë, apo Kroacia që lejoi dënimin e figurave më të larta shtetërore.

Për të ndjekur këto modele, Shqipëria ka nevojë për një Pakt Kombëtar për Europën. Ky pakt kërkon që strukturat e reja të drejtësisë të mbështeten pa ekuivok dhe imuniteti politik të bjerë.

Paralelisht, kërkohet reformë zgjedhore me lista të hapura reale, kufizim të mandateve ekzekutive, lejim të koalicioneve natyrale, ulje të pragut për partitë e vogla në 3%, si dhe filtra të rreptë europianë ndaj çdo nisme të amnistisë fiskale.

Dekada e ardhshme mund të jetë dekada e shqiptarëve në Ballkan. Për herë të parë në histori, shqiptarët kanë mundësinë të jenë faktor stabiliteti, zhvillimi dhe influence në rajon jo përmes luftës, por përmes ekonomisë, integrimit dhe institucioneve moderne.

Por historia nuk pret pafundësisht.

Kombet humbin kur nuk kuptojnë momentin historik.

Dhe Shqipëria sot ndodhet pikërisht përballë atij momenti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit