21.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Impotenca e ideve kodra pas bregut të Majlindës: presidencializmi turk si alarm i saj!!!

Më të lexuarat

Pranëvendosja e Edi Ramës me Rexhep Tajjip Erdoganin është kthyer në fenomen spikatës të rrugëtimit kryengritës më tepër se dymujor të opozitës e më tej ndaj pushtetit të sotëm në Shqipëri.

Nëse figura opozitare druhen ta shqiptojnë emrin e presidentit turk, opinionistë dhe të tjerë i kanë dhënë vend në shkrimet apo në ligjërimet e tyre televizive një krahasimi mes dy figurave të mësipërme, duke e shfrytëzuar Erdoganin si mundësi për ta portretizuar Ramën negativisht.

Ky pushtet, pra, qeverisja e Ramës, mund të kritikohet për shumë gjëra, për arrogancë, për mosmbajtje premtimesh, për hashashin, për shumëçka, por mund të thuhet me gojën plot se një pjesë e mirë e kundërvënies ndaj tij është për shkak të raporteve të mira me qeverisësit e Turqisë, veçanërisht me presidentin Erdogan. Është e sponsorizuar, e financuar, kjo frymë antierdoganiste nëpërmjet kritikimit të Ramës? Mendja ta thotë që po! Nga kush? Kollaj ta hamendësosh!

E pakënaqur dukshëm me Bashën, një prej figurave deri diku rebele brenda PD-së, një ish-ministre në qeverinë e Berishës, gjen prehje në të njëjtin shtrat kur kërkon të bëjë opozitaren e kryetarit të saj partiak.

Majlinda Bregu nuk shkon gjer te shqiptimi i Erdoganit, por e nënkupton atë kur kritikon Bashën për protestën e së shtunës.

“Nëse nuk duam që në vend të fantazisë së Republikës së Re të kemi një Mbretëri të Re në realitetin e vrazhdë ku me duart tona po lejojmë një presidencializëm turk, duhet të shohim të vërtetën…,” shkruan ajo.

T’i shpjegosh presidencializmin turk logjikës kodra pas bregut të një mëtuese për pushtet në PD është disi e vështirë në pak rreshta, por për t’i hapur horizontin Majlindës, e për t’i treguar se ku e ka çuar Turqinë qeverisja e atij që nënkupton ajo, mjaftojnë disa shifra.

Në krye të këtij muaji, në një vizitë në Moldavi, kryeministri turk deklaronte se synohej që të ardhurat për frymë në vendin e tij të arrinin në mbi 25.000 dollarë në vitin 2023, në 100-vjetorin e krijimit të republikës turke.

Gjithnjë sipas Binali Jëlldërëmit, në 14 vite të qeverisjes së partisë së Erdoganit, GDP-ja ka shkuar nga 230 miliardë dollarë në 2002-shin në 850 miliardë dollarë në 2016-tën. Për të njëjtën periudhë, GDP-ja për frymë ka kërcyer nga 3.500 dollarë në 10.000 dollarë.

“Ne synojmë të bëhemi një nga vendet udhëheqëse në botë. Nuk kemi dyshimin më të vogël në arritjen e synimeve tona,” shprehej ai.

Ah, sikur ta kishim një presidencializëm të tillë, ah, sikur ta lejonim një presidencializëm turk!

Përpara se të bëjë cilësime negative për presidencializmin turk, zonja në fjalë duhet të pyesë veten se ç’u bë gjatë kohës që ajo qe në qeveri, a afrohen qoftë dhe minimalisht arritjet e asaj qeverisjeje tetëvjeçare me ato të qeverisjes së “famëkeqit” Erdogan?

Si ndodhi që u humb aq thellë para katër vitesh, kur qeverisja e kësaj ministreje u shkërmoq nga vota dërrmuese kundër?

Si ndodhi që partia e saj u bë sot një flamurtare kaq e flaktë e votës së lirë, kur tradita thuajse tredekadëshe nuk e pohon këtë gjë?!

Si ndodhi që hashashi na u bë kaq i urryer kur na ishte prej vitesh pas dere?

Si ndodhi që…? Pyetje pa fund, që nuk e shpëtojnë zonjën, e as opozitën, me hipjen në trapin e antipresidencializmit turk për të kaluar lumin e horrllëqeve të politikës shumëvjeçare.

Të përdorësh presidencializmin turk si mjet kritikimi nuk të shpëton nga përgjegjësia si për qeverisjen e shkuar, ashtu dhe për opozitarizmin e sotëm qesharak.

Ta kritikosh Erdoganin, presidencën e tij, është kthyer në modë prej kohësh, por kjo nuk të shpëton nga halli që të ka zënë. Mungesën e ideve, pafuqinë e tyre, mund ta zëvendësosh me një klishe të kohës, ama davanë e ke të humbur.

Sepse flamuri i antipresidencializmit turk nuk të çon askund. Nuk të çon në zhbërjen e pushtetit të Bashës brenda PD-së. Por nuk i çon as shfrytëzuesit opozitarë të së njëjtës kartë në përmbushjen e objektivave të tyre. Në rrëzimin e Edi Ramës jo e jo! /tesheshi.com/  

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit