14.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Referendumi në Turqi dëshmoi nivelin e demokracisë

Më të lexuarat

I.

Të dielën, populli turk, me një jehonë të madhe të numrit të votuesve, doli për të dhënë verdiktin e vet në referendumin e organizuar nga shteti turk pro ndryshimeve kushtetuese ose kundër. Reformat e parapara për ndryshimet në kushtetutën turke ishin miratuar muaj më parë nga parlamenti turk dhe tani kishte mbetur fjala e sovranit turk ta jepte fjalën përfundimtare, sipas traditës së parimeve demokratike që organizohen në çdo vend demokratik në botë, pra, përmes referendumit.

AKP-ja e udhëheq shtetin turk qe pesëmbëdhjetë vite, duke fituar kështu katër palë zgjedhje, respektivisht pesë palë zgjedhje, me ato të fundit të përsëritura në nëntor të vitit 2015, kur fitoi 49.50% të votave, duke shënuar kështu një rritje të vazhdueshme që prej zgjedhjeve të para të fituara në vitin 2002 me 34.30%. Politikisht, fitorja e referendumit të së dielës me 51.4% të votave (mbi 1.5 milion vota më shumë) pro ndryshimeve kushtetuese, që sponsorizohej nga vetë AKP-ja, nënkupton rritjen e vazhdueshme të përkrahjes së kësaj partie nga populli turk.

II.

Në aspektin juridiko-kushtetues, por edhe nga ai i vlerësimit të zhvillimit të demokracisë, votimi i së dielës ka treguar një kulturë të lartë dhe një trajektore me trend pozitiv të zhvillimit të demokracisë në Turqi.

Janë raste të rralla kur në botën demokratike zgjedhjet fitohen me përqindje të lartë. Përkundrazi, shumica absolute e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare, apo e referendumeve në botën demokratike kanë përfunduar me rezultate të ngushta. Madje, disa për vetëm ca vota epërsi.

Si p.sh., në zgjedhjet e fundit presidenciale në Austri, më 2016, zgjedhjet i fitoi kandidati Alexander Van der Bellen me 50.3%, ose me vetëm 31 mijë vota më shumë se kundërkandidati i tij.

Pastaj rasti i Brexit-it vitin e kaluar, i cili po ashtu kaloi me vetëm 51.9% të votave.

Më herët, më 2005-n, referendumi për kushtetutën evropiane në Francë nuk kaloi, sepse populli votoi kundër saj, me 54% të votave kundër.

E më herët, më 1994-n, kemi referendumin në Norvegji që mbahej për të hyrë në BE ose jo, dhe populli norvegjez votoi kundër hyrjes në BE me 52% të votave; por edhe shumë shembuj të tjerë në zgjedhje të ndryshme nëpër Evropë e gjetiu.

Po ashtu, nëse dalim edhe në kontinentin amerikan, kemi shembuj të shumtë të zgjedhjeve me rezultate të ngushta. Sikur Kanadaja, ashtu edhe SHBA-ja kanë pasur plot raste të fitores së njërit kandidat kundrejt tjetrit me vetëm disa dhjetëra vota më shumë. Me këtë rast do të mjaftohem me kujtimin e disa rezultateve zgjedhore nga presidencialet e SHBA-së, kur kandidatët kanë pasur rezultat mjaft të ngushtë në zgjedhje. Madje numërohen gjashtëmbëdhjetë palë zgjedhje presidenciale në SHBA me rezultate të ngushta. Si në zgjedhjet e vitit 1876, kur Rutherford Hajes fiton me 185 vota të Kongresit kundrejt Samjuell Tilldenit me 184 vota, ose me votat popullore 50.9% pro Tilldenit, i cili pastaj në Kongres i humbi zgjedhjet për vetëm një votë. Pastaj zgjedhjet e vitit 1888 mes Harrisonit dhe Klivllandit, më 1960 mes Kenedit e Niksonit, më 1976 mes Fordit e Karterit, në vitin 2000 mes Bushit dhe Al Gorit, por edhe të fundit, më 2016, mes Trampit e Klintonit, kur edhe përkundër se Klinton kishte mbi dy milionë vota popullore më shumë, humbi zgjedhjet presidenciale si rezultat i sistemit zgjedhor.

III.

Të gjitha këto raste të zgjedhjeve me rezultate mjaft të ngushta, por edhe të shumë rasteve të tjera që nuk i përmendëm asnjëherë, nuk janë kontestuar. Kështu pra, është respektuar verdikti i popullit gjithnjë në vendet demokratike, cilido qoftë fituesi, madje edhe nëse ai ka marrë vetëm 50% plus një votë më shumë. Në fund të fundit, ky është parim i demokracisë, nëse vërtet duam ta respektojmë në të gjitha vendet njësoj. Për këtë arsye, dhe duke u mbështetur në faktet e rezultateve të ngjashme në shumë vende të botës me demokraci të zhvilluar, po konsideroj se edhe Turqia të dielën tregoi se demokracia atje është në rrugë të mbarë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit