18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Edhe një president minor?

Më të lexuarat

Mendova për një moment se kolumna ime më e hershme, që e shkruajta më 7 nëntor, do të ishte e fundit për këto zgjedhje presidenciale në SHBA. Por menjëherë pas rezultateve të para, kur edhe u konfirmuan 270 votat elektorale për fitimin e presidencës nga Trump-i, ndodhi befasia e radhës, që unë edhe e them zakonisht: ky sistem di edhe të na befasojë!

Trump fitoi presidencën, por ai, sipas të gjitha gjasave, po duket të jetë edhe një president tjetër minor. Befasia e kësaj radhe nuk është e panjohur: Trump fitoi mbi 50% të votës elektorale, 279 vota nga 538 të mundshme, por humbi votën popullore. Deri tani, nga gjithsej 98% të votave të numëruara, del se Trump ka rreth 200 mijë vota (popullore) më pak se rivalja e tij, Clinton, në mbarë SHBA-në. Nëse 2% e votave të mbetura nuk e ndryshon këtë rezultat, e që besoj se jo, atëherë kemi presidentin e pestë me radhë që i fiton zgjedhjet presidenciale pa votën popullore. Para tij patën fituar edhe John Quincy Adams (1824), Rutherford B. Hayes (1876), Benjamin Harrison (1888), George W. Bush (2000). Dhe tani, në 2016-n, kandidati republikan Donald J. Trump po bëhet i pesti. A do të ketë edhe në të ardhmen mundësi të përsëritet një gjë e tillë? Përgjigja është e thjeshtë: po! Dhe derisa nuk ndryshon sistemi “winner takes all” i kolegjit elektoral, kjo lehtë mund të përsëritet.

Në SHBA, votimi nuk është obligativ për qytetarët amerikanë. Kjo ka bërë që dalja në votime të mos jetë shumë e kënaqshme, madje shpeshherë edhe nën 50%. Kështu, si rezultat i kësaj, nga 51 palë zgjedhje presidenciale që janë mbajtur, 19 herë presidenti është zgjedhur edhe kur dalja në votime ka qenë më pak se 50% e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Kur kësaj i shtojmë edhe mungesën e përvojës politike të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, atëherë befasia fillon të shndërrohet në ankth. Por a duhet ta vlerësojmë kështu?

Nga përvoja e mëhershme e disa prej presidentëve amerikanë, kuptojmë se ata, edhe pa ushtruar asnjëherë ndonjë pozitë publike të fituar me garë politike, në garimin e parë kanë arritur të ngjiten në majat e politikës amerikane, respektivisht në zyrën ovale. Kjo duket e frikshme dhe e pabesueshme, por ka ndodhur disa herë në SHBA, dhe pikërisht disa prej këtyre presidentëve bënë punë shumë të mëdha në vendin e tyre dhe në botë.

Si, p.sh., presidenti Dwight Eisenhower (1953 – 1961), si ish-komandanti i parë i NATO-s, ia mësyu Shtëpisë së Bardhë dhe arriti atje. Madje ai e udhëhoqi shtetin për dy mandate në një kohë të vështirë politike dhe ekonomike. Më 1953, me iniciativën e Eisenhower-it, si ushtarak që ishte, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi përgjatë kufirit të Koresë së Jugut, u realizua një traktat paqeje që neutralizonte Austrinë, tensionet me Rusinë u zbutën, kurse në shtator të vitit 1953 i anuloi të gjitha ndihmat amerikane për Izraelin, duke e kushtëzuar atë që ta ndërpresë punën në kanalin e projektuar për ta transferuar ujin e lumit Jordan brenda territorit të Izraelit. Ky projekt do të digjte marrëveshjen paqësore të vitit 1949, kështu që qëndrimi i tij pati sukses, dhe Izraeli e ndërpreu punët e kanalit. Eisenhower edhe në politikën e brendshme ishte i kujdesshëm. Ai u mundua për një buxhet të balancuar, përkrahu heqjen e dallimeve në shkolla (mes të bardhëve dhe të zinjve), si dhe urdhëroi heqjen e plotë të këtyre dallimeve në Forcat e Armatosura.

Ngjashëm me të, ushtarakë, ishin edhe Zachary Taylor (1849 – 1850) dhe Ulysses S. Grant (1869 – 1877), kurse William Taft (1909 – 1913) dhe Herbert Hoover (1929 – 1933) nuk ishin madje as ushtarakë, por ia dolën të arrinin në Shtëpinë e Bardhë.

Tani presidenti Trump, president minor dhe pa përvojë në politikë, a do të japë shembuj të disa prej paraardhësve të tij të Shtëpisë së Bardhë, apo do të na bëjë edhe ndonjë befasi tjetër presidenciale? Unë shpresoj vetëm që ai të mos jetë Trump-i i fushatës zgjedhore. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit