15.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Nga Albina FERKO-NANAJ: Për dijeni të shtetit tonë dhe atij izraelit: ne dhe hebrenjtë përgjatë historisë

Më të lexuarat

Shoqërite muslimane kanë qenë dhe do të mbeten respektuese të kulturave, racave dhe feve të ndryshme, përtej diferencave politike dhe përçarjeve të sponsorizuara nga ideologji shkatërruese. Aq më shumë vlen kjo në raport me hebrenjtë, që, nën sundimin e muslimanëve kane gjëtur të gjithë mirëkuptimin dhe hapësirat e nevojshme për t’u zhvilluar dhe prosperuar, duke ruajtur identitetin, fenë dhe kulturën e tyre. Një traditë kjo e vyer dhe e shkëlqyer, e frymëzuar nga mësimet e Islamit dhe e konkretizuar fillimisht gjatë jetës së Profetit a.s.

-Kushtetuta e Medines njihte të drejtat e plota të komunitetit hebre, përfshi të drejtën e ushtrimit të besimit, të drejtat politike dhe ato ekonomike.

-Në Spanjën islame, epokën e nostalgjisë së madhe, për shkak të zhvillimit të gjithëanshëm kulturor dhe shkencor të këtij oazi në mes të shkretëtirës evropiane të sunduar nga errësira e inkuiziconit, hebrenjtë dhe të krishterët gjetën tokën e vetërealizmit jo thjesht në nivel individual, por edhe komunitar. Drejtësia,toleranca, mirëkuptimi, ishin shtyllat e këtij civilizimi të pashembullt në historinë e njerëzimit, që vijon të frymëzojë dhe të rrezatojë edhe sot, me arkitekturën mbresëlënëse dhe shpresëngjallëse. Thomas Abercrombie, në vepren “Kur Maurët Sundonin Spanjën”, shprehet se “Spanja dhe Perëndimi do të mbeten përjetësisht në borxh me muslimanët”.

-Pas rënies se Spanjës islame në luftë me mbretërit e krishterë dhe inkuizitorë, Ferdinand dhe Izabela, të shpëtuarit e kasaphanës, ndër to komunitetet hebreje, gjetën strehën e tyre të sigurt, “parajsën” e tyre, në një tjetër shtet të udhëhequr nga parimet dhe normat islame, pikërisht në Perandorinë Osmane.

-Për të ardhur tek tmerret dhe vuajtjet e papërshkrueshme të Luftës së Dytë Botërore, ku nën përndjekjen dhe terrorin nazist, nga tërësia e shoqërive evropiane, hebrenjte gjetën strehë dhe mbrojtje besnike, pa ankthin se do të dorëzoheshin tinëzisht tek nazistët, pikërisht në shoqërite muslimane të Evropës: Shqipëri dhe Bosnje. Dua të sjell në kujtesë një rast nga Bosnja, për shkak të domethënies së tij. Familja boshnjake Hardaga, strehoi në vitin 1943 familjen hebreje Kavilios duke e shpëtuar nga persekucioni nazist. Dhe pikërisht pas 50 vitesh, ishte familja hebreje Kavilios që strehoi familjen Hardaga duke e shpëtuar nga genocidi serb ndaj muslimanëve. Një histori e jashtëzakonshme që sintetizon vlerat më të larta të humanizmit.

Gurguleja e ditëve të fundit, me skenare terrorizmi dhe masa sigurie të ekzagjeruara, nuk ka asgjë të përbashkët me Shqipërinë si vend me shumicë muslimane, po aq sa ç’mund të ketë ideologjia sioniste me hebrejte dhe hebraizimin si ndërgjegje fetare dhe kulturore.

Ajo është thjesht fryt i paaftësisë, diletantizmit dhe servilizmit të qeverisë tonë shoqëruar me obsesionin patologjik të qeverisë izraelite. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit