Nëse nuk është kismet të fejosh vajzën e filanit

Më të lexuarat

Kërkova të fejohem me një vajzë që ma kishte përmendur dhe lavdëruar një mik i ngushtë. Pasi më pëlqeu ajo që dëgjova për të, për familjen dhe për babain e saj, i kërkova mikut që të më lidhte me të atin e saj dhe të caktonte një ditë vizite. Pas një a dy ditësh, ai më njoftoi se babai i vajzës më priste në një ditë dhe orë të caktuar, pasi më parë kishte pyetur e mësuar gjithçka që donte të dinte për mua.

Kur hyra në shtëpi, më doli përpara një burrë me pamje të hijshme, me mjekër të bardhë të përzier me disa qime të zeza, sikur aty të ishte zhvilluar një betejë mes bardhësisë dhe të zezës, ku thinjat kishin fituar e shpallur sundimin e tyre. Ai më priti me shumë ngrohtësi, më uli në vendin e mysafirëve dhe filluam një bisedë të gjatë, që mori rrugë nga çdo anë. Papritur hyri vajza, e veshur plotësisht, pa nikab, me një qetësi të natyrshme. Pasi dha selam me zë të ulët, u ul përballë meje, pa ngritur sytë drejt meje.

Nisa ta pyes për emrin, marrëdhënien me babain dhe vëllezërit, për punën e saj në kopshtin e fëmijëve dhe gjëra të tjera. Ajo filloi të fliste ngadalë e me zë gjithnjë më të sigurt, madje më pyeti edhe ajo për punën time dhe për familjen. Pas pak, heshtja mbushi odën. Një shikim i babait i mjaftoi vajzës që të kuptonte se duhej të largohej. Ajo dha selam dhe doli me nxitim. Edhe për mua kishte ardhur koha të ngrihesha e të shkoja. U përshëndeta me babain dhe ramë dakord që pas dy-tri ditësh secili të bënte istikhare, të këshillohej dhe më pas të vendosnim.

Nuk e fsheh dot: vajza më pëlqeu shumë morali, turpi, butësia dhe qetësia e saj. Po ashtu më pëlqeu edhe babai i saj, me burrërinë, mirësjelljen dhe mikpritjen që tregoi. Falë një istikhareje e gjeta zemrën time të hapur.

Dy ditë më pas, më mori në telefon babai i saj. Zëri i tij tregonte qartë se mbante një lajm të rëndë. E nisi fjalën duke më lavdëruar dhe duke u lutur për prindërit e mi që më kishin rritur mirë. Pastaj foli gjatë për besimin tek caktimi i Zotit, të mirën dhe të keqen e tij, derisa më tha hapur se “nuk ka pjesë për ty tek ne, as fat.” Arsyeja: vajza kishte bërë istikhare disa herë, por zemra e saj nuk ishte hapur, edhe pse më kishte respektuar dhe i kisha pëlqyer. Ai shtoi: “Pasha Zotin, sikur të kisha një vajzë tjetër, do ta të jepja pa hezitim.” Madje kërkoi edhe një shans tjetër për ta bindur të bijën, por kjo nuk solli asgjë të re.

Pak ditë më vonë, ime më ndërroi jetë Allahu e mëshiroftë. Kur burri mori vesh lajmin, erdhi menjëherë, mori pjesë në varrim dhe qëndroi pranë meje duke pranuar ngushëllimet, edhe pse askush nuk e njihte.

Më vonë më telefonoi vetëm për të pyetur për gjendjen time. Më tha: “Nëse të duhet ndonjë gjë, e vogël apo e madhe, mos nguro të më kërkosh. Sepse nuk do të thotë që vajza ime nuk pranoi të martohej me ty, që ne të bëhemi armiq. Përkundrazi, ndoshta Zoti më ka dhuruar një djalë nëpërmjet teje, pasi unë jam baba i tre vajzave dhe nuk kam djalë.” Iu përgjigja: “Ti je për mua si babai im, e di Zoti.” Pastaj më uroi durim e ngushëllim dhe e mbylli bisedën.

E tregoj këtë ngjarje sot, edhe pse kanë kaluar trembëdhjetë vjet, për të kuptuar se refuzimi i një pale nuk duhet të sjellë armiqësi dhe fyerje. Njerëzit e parimeve dhe të fesë nuk ndryshojnë me situatat; përkundrazi, situatat nxjerrin edhe më shumë fisnikërinë dhe pastërtinë e karakterit të tyre.

Vlen të theksohet se gjatë gjithë vizitës sime tek ajo familje nuk e dëgjova asnjëherë zërin e nënës së saj dhe ajo nuk hyri në odë, sepse ato janë vendet e burrave. Dhe nëse burrat humbin rolin e tyre në shtëpi, atëherë gratë dalin për ta zbuluar e për ta zhveshur shtëpinë nga çdo mbetje nderi.

— Omar Abu el-Jezid

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit