23 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Negociata në OKB për fatin e miliona sirianëve

Më të lexuarat

Këshilli i Sigurimit i OKB-së filloi të martën negociatat nëse do të vazhdojë operacionet e ndihmës humanitare nga Turqia në Sirinë veriore për një vit tjetër.

“Varen shumë gjëra”, u tha gazetarëve ambasadorja në OKB e Norvegjisë, Mona Juul, ndërsa po futej në sallën ku zhvillohen diskutimet me dyer të mbyllura. “Është me të vërtetë një çështje për jetë a vdekje për kaq shumë (njerëz) – ne po flasim për miliona në Siri”.

Nëse këshilli nuk arrin një kompromis në mënyrë që të shmangë veton e mundshme nga Rusia dhe Kina, atëherë operacioni i ndihmës ndërkufitare që ndihmon rreth 3.4 milionë njerëz që jetojnë jashtë kontrollit të qeverisë në veriperëndim të Sirisë do të përfundojë më 10 korrik.

Kjo do të thotë se dërgimi i ushqimit, ujit të pastër, ilaçeve dhe vaksinave ndaj COVID-19ës do të bëhej shumë më i vështirë, në mos pothuajse i pamundur, për shkak të pengesave nga regjimi në Damask.

“Në mes të një pandemie, si mund të justifikojmë mbylljen e një rruge të besueshme të dërgimit të vaksinave?” u tha gazetarëve Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. “Si mund të justifikojmë lënien e fëmijëve të pafajshëm – ose dikë tjetër – pa ushqim, ujë të pastër dhe ilaçe? Përgjigja për këtë është e thjeshtë: Nuk mundemi. Duhet ta rinovojmë këtë mandat”.

Përfaqësuesi i Kinës, Zhang Jun e bëri të qartë se Pekini e shikon këtë negociatë si diçka më shumë se vazhdimin e operacionit të ndihmës ndërkufitare.

“Unë sinqerisht shpresoj se me më shumë përpjekje diplomatike do të mund të gjejmë një zgjidhje, por për Kinën patjetër që ne duam të shohim zgjidhje në lidhje me sanksionet e njëanshme, në lidhje me (çështjet) ndër-kufitare, në lidhje me transparencën (e çështjeve) ndër-kufitare”, u tha Ambasadori Zhang gazetarëve pas takimit. “Nuk po trajtojmë thjesht shtrirjen e (operacionit) ndërkufitar, ne po flasim për situatën e përgjithshme humanitare në Siri dhe ne duhet t’i trajtojmë të gjitha çështjet themelore”.

Rusia, Kina dhe regjimi në Siri argumentojnë se e gjithë ndihma humanitare për veriun e vendit duhet të lëvizë nëpër vijat e frontit të konfliktit, nën kontrollin e qeverisë së Asadit. Por, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e ndihmës në terren thonë se operacioni ndërkufitar është i papërshtatshëm për të përmbushur kërkesat e jashtëzakonshme.

“Ky nuk është një diskutim rreth sanksioneve, është çështje e nevojave humanitare”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield kur u informua për komentet e të dërguarit kinez.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur “një propozim serioz dhe të besueshëm” për të zgjeruar ndihmën ndërkufitare në Siri, por theksoi se “nuk është një zëvendësim për (operacionin) ndërkufitar”.

Kur këshilli fillimisht autorizoi operacionet e ndihmave në vitin 2014, u aktivizuan katër pika kalimi – dy nga Turqia, një nga Iraku dhe një nga Jordania. Në dy vitet e fundit, Rusia dhe Kina kanë detyruar mbylljen e të gjitha pikave përveç njërës – Bab al-Hawa, e cila lidh Turqinë e jugut me Sirinë veriperëndimore.

Drafti i rezolutës në diskutim kërkon një rinovim një-vjeçar për pikën Bab al-Hawa dhe riautorizimin e pikës Yarubiyah, e cila lidh Sirinë me Irakun dhe u përdor për të sjellë furnizime mjekësore. Vetot nga Rusia dhe Kina detyruan mbylljen e pikës Yarubiyah në janar 2020, pikërisht kur pandemia e COVID-19ës filloi të përhapet në të gjithë botën.

Negociatat do të vazhdojnë këtë javë dhe një votim i Këshillit të Sigurimit mbi fatin e operacionit pritet të zhvillohet të enjten./Voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit