13 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Ne nuk jetojmë

Më të lexuarat

ERGYS MERTIRI
Ajo që e ka bjerrë më së shumti shoqërinë moderne është nevoja e ethshme për argëtim, e cila ekziston në saj të një industrie të tërë që, jo thjesht përmbush këtë nevojë, po edhe e ka krijuar atë. Sipas teorive moderne mbi marketingun dhe përpunimin e masave tashmë nuk është kërkesa që përcakton ofertën, por oferta që përcakton kërkesën.

Mjafton që një produkt i ri të prodhohet nga industria dhe ai do të krijojë tregun e vet, duan apo nuk duan konsumatorët. Marketingu do ti bëjë njerëzit ta dëshirojnë, madje të kenë nevojë për të. Siç vë në dukje Markuze, ky lloj sistemi na injekton dëshira dhe nevoja artificiale, që nuk janë tonat dhe këto dëshira mbeten pengu ynë që na robëron në këtë sistem, duke na bërë qenie të paafta për të menduar për veten.

Kultura e argëtimit po shkatërron çdo vlerë duke e zhveshur atë nga gjithçka që nuk i shërben argëtimit. Arti, letërisa, teknologjia etj. janë shndërruar tashmë në instrumente të qefit. Por, nga pikëpamja e mësipërme, kultura e argëtimit nuk është thjesht duke degraduar vlerat shoqërore, ajo prodhon vetë konsumatorin, prodhon individin dhe kushtet sociale ku ai jeton. Kjo lloj kulture prodhon atë lloj individi që i intereson industrisë së saj, një lloj individi që jeton për këtë treg, ku ndryshe nga shoqëritë e mëparshme, zhvillimet nuk përcaktohen më nga dora e padukshme e Adam Smithit që funksionon në përputhje me natyrën njerëzore. Përkundrazi, është një lloj i ri tregu që nuk prodhon thjesht ekuilibrin e kërkesë-ofertës, por prodhon edhe vetë individin së bashku me kërkesën e duhur.

Patjetër, argëtimi në vetvete është një nevojë njerëzore e natyrshme. Është e kuptueshme edhe që ai të jetë përdorur shpesh, përgjatë historisë njerëzore, për të ndikuar tek njerëzit për interesa të politikës apo edhe të tregjeve. Motoja e Neronit “bukë e cirk”, është një model i lashtë i manipulimit të popullit nëpërmjet habitjes dhe englendisjes së turmave. Kur argëtimi kthehet në instrument robërimi ai bëhet natyrisht problematik.

Por problemi në shoqëritë moderne e kapërcen këtë. Argëtimi sot nuk i përket më thjesht një momenti çlodhjeje apo habitjeje gjatë një dite ku njeriu i ka kryer funksionet e veta. Përkundrazi, njeriu lodhet e punon për këto momente. Në shoqëritë e konsumit, argëtimi kthehet në mënyrë jetese. Ai prodhon kulturën, e për pasojë prodhon edhe individin. Ne bëhemi kështu produkte të industrisë së konsumit.

Kultura e themeluar nga argëtimi shndërrohet në një sistem ekonomik ku njeriu kthehet në qenie konsumatore. Kultura e konsumit prodhon një botë të bjerrë nga vlerat dhe të paaftë të ndërtojë të tilla. Në shoqëritë e sotme çdo vlerë asgjësohet e përjashtohet nëse nuk shfrytëzohet për konsum. Siç thotë Arendt, arti dhe kultura, nuk i përgjigjen më vlerave universale, por shfrytëzohen si objekte konsumi në funksion të argëtimit.

A mund të jetë i lirë njeriu në një mjedis të tillë? Në fakt, ky lloj njeriu nuk është thjesht i paaftë për të qenë i lirë, është i paaftë për të qenë. Ne jo vetëm që nuk mund të jemi subjekte të lira, por as që ekzistojmë fare si subjekte. Ne nuk kemi aftësinë për të pasur nevoja, dëshira, pasione, qëllime individuale tonat. Është dikush tjetër që jeton jetën tonë, që bën zgjedhjet tona, që na zhvillon prirjet tona dhe organizon gjithçka kemi. Ne jemi të zhveshur nga qëllimsia madje jemi të zhveshur fare nga vetja.

Si mund të jemi të lirë, kur e kemi reduktuar lirinë tek përmbushja e dëshirave, ndërsa edhe këto dëshira nuk i kemi tonat, por na janë imponuar nga jashtë? Ne pra nuk jemi thjesht qenie të robëruara, por jemi qenie të asgjësuara. Jemi zgjatime të industrisë dhe nevojave të saj për të na përdorur. Ne as që ekzistojmë si subjekte për vetveten.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit