20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Në mediat perëndimore shfaqen pamje që nuk kanë lidhje me realitetin në Afganistan” – Deklaron gazetarja britanike

Më të lexuarat


Gazetarja britanike, Yvonne Ridley e cila u mbajt peng nga talebanët në vitin 2001 deklaroi se sot në mediat perëndimore ka shumë tituj të frikshëm dhe dramatikë si dhe pamje që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në Afganistan.

Duke theksuar se e gjithë bota është kurioze për atë që po ndodh aktualisht në Afganistan, Ridley i konsideron raportet e fundit të mediave perëndimore si të frikshme dhe dramatike.

“Në mediat perëndimore ka tituj vërtet të frikshëm dhe dramatikë. Unë mendoj se kjo jep përshtypjen e gabuar të asaj që po ndodh në terren”, tha Ridley në një prononcim për Anadolu Agency (AA).

Ajo shpjegoi se talebanët në të kaluarën nuk kanë pasur ambicie për të qeverisur Afganistanin dhe se ata kanë bërë gabime të mëdha, të tilla si mungesa e të kuptuarit të diplomacisë ndërkombëtare në lidhje me rajonin. Sipas saj, sot duket se talebanët janë më pak të ngarkuar dhe më gjithëpërfshirës.

Ridley nënvizon se shumë gazetarë, përfshirë gazetarë të njohur ndërkombëtarisht, po bëjnë propagandë të rreme për Afganistanin.

“Ka shumë fotografi, filma dhe pamje në mediat perëndimore që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në Afganistan. Ose e dinë dhe vazhdojnë të joshin pjesën tjetër të botës, ose bëjnë që pjesa tjetër e botës të joshet nga arroganca dhe injoranca perëndimore. Një propagandë e tillë e rrezikshme nxit skena tmerri dhe kaotike që kemi parë ditët e fundit në aeroportin e Kabulit”, thotë Ridley.

Ajo nënvizoi se nuk e injoron apo mohon frikën që është e pranishme tek afganët.

“Pamja dhe frika në fytyrat e tyre janë të ndjeshme dhe të vërteta. Jam e vetëdijshme për këtë sepse pikërisht kështu u ndjeva kur u kapa nga talebanët, kisha shumë frikë prej tyre. Jam në dijeni të asaj frike, por unë isha gjithashtu viktimë e propagandës. Atëherë presidenti amerikan George W. Bush dhe kryeministri britanik Tony Blair na thanë se ishin njerëz mizorë, të këqij dhe i urrenin gratë. As që mendoja se do të mbijetoja natën e parë”, tha Ridley.

Ajo gjithashtu komentoi atë që ndodhi në aeroportin e Kabulit pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan, duke theksuar se pamjet ishin shumë të vështira.

“Opinioni perëndimor së pari dëshiron që të gjithë të dalin jashtë dhe pastaj t’u kujtohet se ‘këta janë njerëz me lëkurë të errët, kanë mjekër, dhe a i duam këta në vendin tonë’, Ka shumë intolerancë, paragjykime dhe racizëm. Janë përzier ndjenjat e atyre që kritikojnë talebanët dhe njëkohësisht nuk duan që afganët të vijnë në Britani të Madhe”, thotë Ridley.

Ajo theksoi se Britania e Madhe, SHBA-ja dhe vendet e tjera duhet të kishin kuptuar sinjalet shumë më herët dhe të kishin marrë masa që këta njerëz të largoheshin nga vendi shumë më herët. Ridley mendon se Perëndimi është mjaft i pasinqertë kur thotë “nuk e prisnim, jemi të befasuar”.

Ridley shtoi se pamjet nga aeroporti nuk janë të dobishme për askënd dhe se ato përfaqësojnë publicitet të keq.

“Kjo nuk është e mirë as për Perëndimin dhe as për talebanët sepse ka largim të mendjeve të ndritura, ata po humbasin disa nga profesionistët e tyre më të mirë. Nga ana tjetër, unë mendoj se kushdo që dëshiron të largohet duhet të lejohet ta bëjë këtë. Miqtë e mi në Pakistan më thonë se presin një fluks të madh refugjatësh afganë, por kjo nuk ka ndodhur ende. Edhe pse njerëzit në Kabul janë në panik, ata në zonat rurale janë të shtyrë kryesisht nga “le të presim dhe të shohim”, thotë Ridley.

Gazetarja britanike preku gjithashtu debatin se gratë nën sundimin taleban nuk mund të shkojnë në shkollë dhe tha:

“Talebanët garantojnë se arsimimi i femrave do të vazhdojë deri në nivelin universitar. Shpresojmë se do të mbajnë premtimin, por duhet të përmenden disa fakte. Çka u fitua nga pushtimi 20 vjeçar i SHBA-së dhe NATO-s?. T’i shohim faktet në terren. Pretendohet se universitetet u hapën për të gjithë. Realiteti është se 2 për qind e femrave afgane shkon në fakultet. Këto janë femrat e privilegjuara dhe të respektuara. Pavarësisht se kush qeveris, ato gjithmonë do të jenë të suksesshme dhe jam e lumtur për to. Por, 84 për qind e femrave afgane ende janë analfabete. Kjo nuk është sukses”, thekson Ridley.

Duke theksuar se duhet kohë për të ndryshuar disa njerëz, Ridley tregon shembullin e ish-presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabe, i cili për 20 vite i ka bërë gratë e Zimbabves gratë më të arsimuara në të gjithë Afrikën.

“Nëse edhe Mugabe ia ka dalë mbanë, pse Perëndimi nuk e ka bërë këtë, pavarësisht fuqisë së saj dhe mbështetjes që ata thonë se u japin grave afgane?. Unë do t’ju them pse. Sepse ata nuk janë të interesuar të ndihmojnë klasën punëtore”, tha Ridley.

Ajo edhe njëherë thekson se talebanët duhet të përmbushin premtimet që kanë bërë.

“Nëse talebanët nuk e mbajnë fjalën e tyre, atyre kurrë nuk do t’u falet. Ne i kemi dëgjuar fjalët tuaja, tani do të shohim se si i zbatoni ato. Le të shohim se si dhe sa i respektoni të gjitha gratë, jo vetëm gratë e pasura, të fuqishme dhe me ndikim. Përmbushni këtë premtim për gratë afgane, për miliona afganë që kurrë nuk është dëgjuar zëri i tyre”, tha Ridley.

Ajo shtoi se ka shumë gra në Afganistan që abuzohen nën maskën e Islamit dhe thotë:

“Ata flasin për Islamin. Si muslimane, unë e di se nuk ka diçka të tillë në islam si martesa e detyruar. Ne duhet të largojmë këto praktika në Afganistan. Nëse doni të tregoni vlerat islame, largoni martesat e detyruara. Si fillim, do të ishte mirë ta trajtoni dhunën në familje si krim”.

Ridley shtoi se talebanët kishin 20 vjet për të parë gabimet e tyre dhe se për këtë arsye ajo beson se ata nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet fole e terrorizmit, veçanërisht me efektin e Marrëveshjes së Dohas që ata nënshkruan.

Ajo gjithashtu theksoi se 20 vitet e ekzistencës së SHBA-së në Afganistan kanë dëshmuar edhe një herë se ky vend nuk është ngritës i kombeve.

“Siç e dini, ata shpenzuan 2 trilionë dollarë në fushatën e tyre ushtarake dhe imagjinoni sikur të shpenzonin 1 trilion dollarë për arsim, shëndetësi ose mirëqenien në Afganistan. Por, në vend të kësaj, ata shpenzuan 2 trilionë dollarë për ushtrinë, ata krijuan një ushtri për talebanët, kurse talebanët tani kanë forca ajrore. Ata kaluan 20 vjet për të eliminuar talebanët, kurse ajo që bënë ishte se ata u kthyen dhe u dhanë një ushtri”, thotë Ridley.

Duke nënvizuar se nuk ka për qëllim të lavdërojë talebanët dhe nuk është ndjekëse e ideologjisë së tyre, Ridley tha se ajo që thotë është vetëm e vërtetë dhe fakte.

“Unë shoh që njerëzve nuk u pëlqen, njerëzit ofendohen për shkak të kësaj. Nuk mund të kërkoj falje për shkak se e flas të vërtetën”, tha Ridley.

Në fundi, ajo theksoi se Afganistani ka potencial të madh për të qenë një pjesë e rëndësishme e tregtisë në rajon.

“Dua të shoh gratë afgane duke dalur nga rrënojat dhe të bëhen të forta dhe të pavarura. Unë dua ta shoh këtë. Nuk dua të shoh imazhe të tjera nga Afganistani që japin një narracion tjetër. Koha është që ky vend të gjejë paqe, koha është që të rindërtohet. Jepni një shans popullit afgan dhe harroni lojën e madhe. Le të shohim se si Afganistani i ri ngritet nga rrënojat”, përfundon Ridley.

Yvonne Ridley u kap nga talebanët ndërsa u përpoq të kalonte nga Pakistani në Afganistan në vitin 2001. Gazetarja britanike u lirua pas 11 ditësh në robëri.

Ajo është autore e veprave të shumta, përfshirë një libër për përvojën e saj me talebanët. Ridley u nominua për Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2019 për punën e saj humanitare për të burgosurit sirianë dhe në ndihmën për mbledhjen e provave të krimeve të luftës kundër refugjatëve Rohingya në Arakan.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit