Në Kajron e Pas Revolucionit

Më të lexuarat

Nga: Besnik Sinani

Në Kajron e Pas Revolucionit

Nga dritaret e një kafeneje në sheshin Tahrir në Kajro shihen punonjës që po lyejnë muret e mbuluara me grafiti e slogane nga ditët e revolucionit që solli fundin e rregjimit të Husni Mubarak në Egjipt, kulminacioni i të ashtuquajturës Pranvera Arabe. Pjesa e sheshit përballë Muzeut të Egjiptit, i cili mbart disa nga objektet arkiologjike më të vyera në botë, gjendet i rrethuar nga një gardh që përpiqet të kufizojë hapsirën e protestave të përjavshme e në krah të muzeut gjendet ndërtesa tashmë e djegur që kish shërbyer si selia e Partisë Demokratike Kombëtare e Presidentit Mubarak. 
E megjithatë, disa grafiti i kanë mbijetuar përpjekjeve të  Egjiptit për të nisur një fazë post-revolucionare, si portreti i një djali të ri, i cili me furçën e piktorit duket të jetë në dyluftim me shkopat e gomës së ushtrisë e policisë. Të tjera duken të jenë mbivendosur më vonë, si ajo që shkruan: “We are proud of our Prophet Muhammad,” e thënë në një sërë gjuhësh të botës, e cila duket të ketë pasuar filmin e fundit kundra Islamit të prodhuar në Kaliforni nga një egjiptian i besimit të krishterë. Megjithë përpjekjet për të sjellë sheshin qëndror të Kajros në një stad “normaliteti,” grupe të ndryshme politike, aktivistësh rinorë, islamistësh, sindikalistësh, e gjithëfarë lloj organizatash politike kthehen çdo të premte në shesh për të shpalosur kërkesat e tyre, për të celebruar lirinë e re të shprehjes politike apo edhe zhgënjimet me kahjet apo ritmin e ndryshimeve të revolucionit.
Vetë Muzeu i Egjiptit vlen në fakt si metaforë për Kajron. Ai është një thesar unikal i kujtesës botërore, tërësisht befasues, por në të njëjtën kohë është i mbajtur keq, i palyer e me objekte të ekspozuara pa kujdes. Vetë Kajro është e varfër, e lodhshme, depresuese po aq sa është aristokrate dhe inspiruese. Në një radhë ndalova buzë një autostrade për të bërë një fotografi nga larg të kalasë së Salahudinit, heroit mysliman të luftës kundër kryqzatave, e ngritur një mijëvjeçar më parë e me xhaminë imponuse të Mehmet Ali Pashës në majën e saj, themeluesit të dinastisë shqiptare që sundoi Egjiptin për një shekull e gjysëm. Por poshtë saj shtrihet pjesë e varrezës gjys-shekullore të Kajros – e njohur si Qyteti i të Vdekurve – por që tani është populluar nga të varfër të ardhur në Kajro nga katër anët e Egjiptit në mungesë të mundësisë për të mbijetuar gjetkë.
Vetë kalaja është indikues i thurjes strukturore të politikës egjiptiane. Siç vërejta më sipër, Muzeu i Egjiptit, me gjithë vlerën e tij unikale është i mbajtur si mos më keq. Në të kundërt, muzeu i ushtrisë, në një nga ish-pallatet e Mehmet Ali Pashës në kala, është i mbajtur me kujdes e punonjës të pastrimit – nën mbikqyerjen e personelit ushtarak – fshijnë pluhurat nga topat e luftës së vitit 1972 kundra Izraelit. Ndërkohë që në Egjiptin e ri ka një ligj që kërkon heqjen e emrave të familjes Mubarak e fotografive të tyre nga shkollat dhe institucionet që ishin pagëzuar me emrat e tyre, në muzeun e ushtrisë piktura të mëdha të Mubarakut, të ngjashme në format, frymë e realizim me pikturat e shokut Enver të soc-realizmit, dekorojnë muret e këtij tempulli të ushtrisë.
Ushtria është një realitet mbi-realitetin egjiptian. Mendohet të jetë korporata më e madhe në biznesin egjiptian, por nuk pranon të hapë defteret ekonomike për autoritetet e shtetit. Në një vend ku rrugët, muret e lagjeve e gati çdo gjë përreth teje indikon dekadencën e një vendi që për dekada nuk ka patur qeverisje të mirëfilltë, stadiumet, klubet, hotelet, institucionet e ushtrisë dallohen në rregullin pretorian që ngrihet mbi mjerimin e pjesës tjetër të Egjiptit.
Kjo duket të jetë arsyeja se pse edhe ata që kanë shpresa të mëdha tek Presidenti i parë i zgjedhjeve të lira, disidenti islamist, Muhamed Mursi, pranojnë se përplasja e përballja me ushtrinë do jetë përherë e vështirë. Pushteti i ushtrisë është arsyeja edhe pse grupe sekulare liberalësh mbështetën Mursin në zgjedhje kundra kandidatit të ushtrisë, kryeministrit nga koha e Mubarakut, Ahmed Shafik. Gjithsesi, duket që ushtria prej kohësh po ndjen presionin popullor e këto kohët e fundit qyteti është mbushur me postera që kërkojnë të humanizojnë profilin e ushtrisë në popull. Presidenti Mursi, para pak kohësh, shkarkoi edhe kreun e këshillit të lartë të ushtrisë, Muhamed Tantaui. Posterat elektoralë për Shafik dhe Mursi vazhdojnë të furnizojnë ikonat politike në ballkone shtëpishë, qepena dyqanesh e dritare kafenesh, a thua se zgjedhjet nuk kanë mbaruar e a thua se përplasja prototipe që ka uzurpuar jetën politike të Egjiptit prej dekadash ende nuk ka përfunduar.
Ajo që Muzeu i Egjiptit dhe Piramidat në Giza ofrojnë nga Egjipti antik, gjendet në Khan Khalil për Egjiptin mesjetar, pazari i vjetër i Kajros pranë të cilit gjendet edhe Universiteti i Ezherit, universiteti më i vjetër në botë dhe qendra skolastike më e rëndësishme e Islamit. Vetë xhamia kryesore e universitetit, më shumë se një mijë vjet e vjetër, është një nga monumentet më brilante të Kajros fatimide, dinastisë së shiave që sundoi Egjiptin gjersa ra në sundimin e një sulltani të ri kurd, Salahudin Ejubit. Ai vetë hyri në histori si çlirimtari i Jeruzalemit nga kryqtarët si dhe hyri në historinë evropiane si hero i tolerancës fetare pasi hapi qytetin për pasues të të gjitha feve.
Brenda në xhaminë e Ezherit, në cepa të ndryshëm nën kolonada gjenden karriket e larta ku prej shekujsh ulen ulematë më të njohur, lektorët e ligjit të Zotit. Përreth ulen nxënësit e tyre, që aspirojnë të jenë ulematë e ardhshëm. Këtu, nën këto kolonada, kanë ndodhur disa nga debatet më të rëndësishme në skolastikën e Islamit, debate të cilat vazhdojnë të informojnë edhe sot rrugëtimin e besimtarëve të thjeshtë në kërkim të takimit me Zotin ashtu si dhe komentarët e bibliotekës së lashtë universitare dhe rishqyrtimet e teologëve. Përballë xhamisë së Ezherit gjendet xhamia e Husejnit, e emëruar kështu pasi në të gjendet edhe varri i Husejnit, nipi martir i Profetit që luftoi kundra vendosjes së monarkisë së parë në botën islame. Heroizmi i tij është përjetsuar në gjuhën shqipe në poemën e Naim Frashërit, Qerbelaja.
Nga xhamia e Husejnit futesh në rrugicat e ngushta të pazarit ku gjenden edhe disa nga monumentet më befasuese të periudhës së mamlukëve, skllevërve ushtarakë të shtetit mesjetar, të cilët nga skllevër u kthyen në sundimtarë të Egjiptit dhe Sirisë për disa shekuj, gjer në ardhjen e osmanllive: xhami, banja, konaqe mistikësh, jetimore, spitale, medrese e varre monumentale – disa prej të cilave gati një mijë vjeçare – dëshmojnë për madhështinë e arkitekturës mamluke si dhe për madhështinë që mamlukët donin të projektonin në shekuj.
I jam mirënjohës historianit Yosef Rapoport, pa leximin e librit të të cilit ky udhëtim nuk do ishte animuar nga gratë e Kajros mamluke dhe martesat e divorcet e tyre, nga sulltanët e ulematë, gjyqtarët e historianët sqimtarë që mbajtën e lanë shënime për tregtitë personale, vakëfet, sulltanët e bëmat e tyre, martesat e vajzave të tyre e pajat me shumë sunduqe ashtu si dhe të vajzave puntore që qepnin e lanin rroba, udhëtarë të famshëm, gjyqtarë, sufinjë të devotshëm e teologë që grindeshin me njëri-tjetrin.
Pazari i vjetër është një nga eksperiencat e domosdoshme si dhe më të lodhshme të Kajros. Kushdo mundohet të të tërheqë në dyqanin e vet, të të shesë çdo kotësi si një artifakt të mirëfilltë antik, papiruse dy-lekëshe e sigurisht edhe sapunin për djath. Më kujtohen me këtë rast dy vargje të Ervin Hatibit mbi turistët që pak a shumë thotë: Ne jetojmë gjithë vitin me atë që ata tërë vitin kursejnë.
I mbushur me suvenire është gati e detyrueshme të shkosh në Fishaui, një nga kafenetë më të famshme të Kajros, qoftë për të çplodhur këmbët e për të marë një pushim nga eksperienca intensive e kalimit midis pazarit. Vendas e turistë ndalin aty për të pirë çaj, kafe apo nargjile. Edhe pse u ktheva disa herë në këtë kafene, nuk e kuptova asnjëherë se ku fillonte kafeneja e ku mbaronte pazari e në fakt pazari të ndiqte nga pas në duart e shitësve ambulantë që të sillnin para syve qilimë, limona, kuti pecetash letre apo kapse flokësh.
Kajro është tejet e madhe e ka zyrtarisht 18 milionë banorë. Ndërkaq mësohesh me faktin se do kalosh orë të tëra në taksi i bllokuar në trafik. I dorëzohem një klisheje gazetareske për të pyetur taksistët se çfarë mendojnë për gjendjen e vendit, politikën, revolucionin e presidentin e ri. Njerëzit flasin për revolucionin e përgjithësisht besojnë se si njeri fetar, Muhamed Mursi nuk do jetë një president hajdut. Përtej kësaj bindjeje, askush nuk duket të jetë i sigurtë për të ardhmen. Biseda zbret shpejt nga politika e emrat e mëdhenj tek hallet e përditshme në rrugë, tek mungesa e punësimit, të ardhurat e pakta e pasiguria për të ardhmen.
Po të shohësh poshtë nga tarraca në kalanë e Salahudinit, poshtë këmbëve gjendet një nga lagjet më të varfëra të Kajros, me anët e rrugës mbushur me burra të papunë që pinë çaj e nargjile. Pak më tutje gjendet xhamia e Sulltan Hasanit, i cili në shekullin e 14të vendosi të ndërtojë një nga xhamitë më të mëdha të Kajros dhe u rrëzua nga pushteti pak muaj pas rrëzimit gjatë ndërtimit të një prej minareve. Në krah të saj është ngritur një xhami monumentale nga pinjollët e fundit të dinastisë shqiptare e ku gjendet edhe varri i Mbretit Faruk – mbretit të fundit të Egjiptit që u rrëzua nga një puç ushtarak i oficerëve të lirë në vitin 1952. Eshtrat e tij u kthyen në Egjipt nga Italia. Në të njëjtën xhami është varrosur edhe një nga mistikët e mëdhenj të Islamit, Ahmed Rifai, mbi varrin e të cilit u ndërtua xhamia e re e së fundi aty gjenden edhe eshtrat e shahut të fundit të Iranit, në varrin e të cilit gjendeshin lule të freskëta përkrah fotografive ku shahu dhe e shoqja më shumë se monarkë të Lindjes së Mesme, ngjanin me aktorë të filmave të viteve ’70. Jo larg prej aty gjendet edhe xhamia e Sejidina Zejneb, mbesës së Profetit Muhamed, e cila gjeti strehim në Kajro pas përpjekjeve të pafat të vëllait të saj për të sfiduar pushtetin e umajadëve. Më tutje ngrihen kryqet e kishave kopte e më tutje, zbehtë, duken varret gjigande të faraonëve në Giza.
Kajro është e mbushur me shumë nostalgji e memorie mbretërish e shenjtorësh e bashkë me tempujt, librat, varret e minaret e kullat e kambanoreve që lanë pasë, gjurmët e perandorive po aq sa rrënimet e tyre vazhdojnë i japing frymë këtij qyteti. Gjashtë dekada më vonë, këngët e Um Kulthum vazhdojnë elektrifikojnë ajrin me nostalgjinë e një dashurie të humbur diku në rrugët e këtij qyteti që arabët e quajnë um el dunja – nëna e botës. /ezani/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit