-5.9 C
Pristina
Tuesday, February 7, 2023

Muslimani në botën perëndimore

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Që herët para shumë viteve një numër I madh muslimanësh prej vendeve të ndryshme të botës, i kanë braktisur vendet e tyre për shkak të mosrespektimit të të drejtave njerëzore ose për shkak të situatës ekonomike, politike, sociale e shoqërore, shkaqe këto të cilat i kanë shtyrë banorët e atyre vendeve të kërkojnë një ardhmëri të re në Evropë. Kështu që, tani prania e Islamit dita-ditës bëhet faktor i rëndësishëm shoqëror dhe fetar anekënd Evropës. Shoqëria evropiane është bërë multifetare, diçka që më parë as që është parë e as që është dëshiruar të jetë.

Dekadave të fundit Islami ka mbërritur në shumë pjesë të Evropës me anë të njerëzve të cilët, me kalimin e disa viteve, vijnë të jetojnë, të punojnë dhe të gjejnë strehë në këto vende për arsye të shumta.
Pa dyshim se prezenca e muslimanëve në perëndim ka rolin e vet. Nëse do ta analizonim do të shikonim se muslimanët në botën perëndimore kanë dy role bazë të rëndësishëm:

Roli i parë: Rol konstruktiv, (dobiprurës) duke qëndruar besnik dhe korrekt në rrugën e Allahut, duke reflektuar dashuri, sinqeritet dhe devotshmëri si në jetën private, në raport me familjen, gjithashtu edhe në shoqërinë që i rrethon dhe komunitetin e tyre musliman, në veçanti, muslimanët ndikojnë në mënyrë pozitive dhe dobiprurëse në shoqëri.

Ndoshta për fajin tonë, por ndoshta edhe prej preokupimit global ndaj materializmit dhe parasë, duke mos patur kohë të njohin studimet dhe argumentet Islame të bazuara në Librin e famshëm Kur’anin dhe në praktikën Profetike, bota perëndimore sot i ka mbyllur sytë para të vërtetës Islame dhe kjo ka shkaktuar që të kenë një fobi karshi Islamit si pasojë është vendosur një barrikadë mes tyre dhe muslimanëve. Pa dashur, rolin e pasqyrës apo imazhit të Islamit e kanë marrë muslimanët që jetojnë në perëndim. Bota sot e sheh Islamin jo në libra por tek muslimanët, në sjelljen, kulturën, veshjen, reagimin e tyre, e kështu me rradhë. Allahu e paralajmëron këtë realitet në Kur’an duke na mësuar këtë lutje:
“Zoti ynë, mos na bën sprovë në duar të atyre që nuk besuan…” (Kaptina Mumtehine: 5)

Në perëndim, sa më mirë të sillemi në jetën sociale, në lagjet dhe punët tona dhe të rezistojmë para asimilimit fetar dhe kombëtar, aq më shumë do jemi një pasqyrë reflektuese pozitive për Islamin para të huajve.

Roli I dytë: Rol destruktiv, (shkatërrues) duke qenë mohues apo dyshues në rrugën e Zotit, duke u turpëruar para botës për identitetin tonë fetar dhe kombëtar dhe duke u asimiluar apo duke kopjuar jetën e perëndimorëve. Pasojat e kësaj ngecjeje janë fatale, saqë emigrantët apo mërgimtarët musliman për të arritur qëllimet e tyre nuk marrin parasysh mjetet por shkelin të gjitha normat, aktet dhe rregullat juridike të shtetin që jetojnë dhe punojnë, ato gënjejnë, falsifikojnë, vjedhin, përdhunojnë etj. dhe me këtë rast, fatkeqësisht, bëhen një imazh I keq për Islamin dhe popullin e tyre, kështu që, të huajt do binden në superioritetin e tyre si popull karshi muslimanëve në të gjitha aspektet dhe do kenë neveri në atë ç’ka ata përfaqësojnë. Është për të ardhur keq, por sot në botën perëndimore ka prej muslimanëve që shquhen për papunësi, për burgosje, falsifikime dokumentash, punë në të zezë, martesa artificiale për dokumenta, divorce artificiale për përkrahje sociale, vjedhje, vrasje etj., dhe kjo nuk është një fotografi e mirë për Islamin, prandaj prishja e imazhit të Islamit konsiderohet një krim edhe më I rëndë se vet akti I tyre, sepse ajo ulë vlerat e Islamit në sytë e jomuslimanëve. Një dijetar I shquar, pasi u konvertua në Islam tha: Falenderimi I takon Zotit që ma mundësoi të pranoj Islamin para se të takoj muslimanët.

Prandaj vëllezër musliman le të jemi prej atyre që luajnë një rol pozitiv në shoqërinë ku jetojmë. Dhe kjo duke qenë krenar pse jemi musliman. Po të shikojmë në historinë islame të parët tanë të mirë krenoheshin se ishin muslimanë. Besimtarët e sinqertë e kuptuan se e gjithë krenaria dhe pushteti është vetëm në dorën e Allahut dhe e kërkuan atë nga Allahu me këtë fe madhështore, e cila është Islami.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!­ (En Nisa: 125)

U krenuan me Islamin dhe kërkuan krenarinë nga Allahu me këtë fe madhështore dhe Allahu ua dha atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.” (El Munafikun: 8)

Po, për Allahun, vërtet krenaria dhe fuqia janë të Allahut, të të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve, edhe nëse jobesimtarët shfaqin mendjemadhësi dhe kanë armë e pasuri.

O muslimanë!

Ai që kërkon krenarinë dhe fuqinë duke iu bashkangjitur Islamit, Allahu pa dyshim se do ta forcojë, por kush kërkon krenari e fuqi jo përmes Islamit, do ta poshtërojë siç ka thënë Umeri radijAllahu anhu: “Ishim të poshtëruar (d.m.th. pa Islam) dhe Allahu na bëri krenarë me Islam. Nëse kërkojmë krenari e forcë jashtë Islamit, Allahu do të na poshtërojë.”

Sot dhe në çdo kohë tjetër është obligim për muslimanin që të krenohet me Islamin dhe të mburret me të. Ne duhet ta dimë se rruga e vetme e krenarisë, forcës dhe fitores nuk mund të jetë vetëm se Islami. Do të jetë ashtu siç ka thënë Zoti ynë: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë unë me të vërtet jam musliman.” (Fussilet: 33) .

O vëlla musliman ! Mos të të vijë turp pse je musliman,apo që të shfaqësh sjellje apo simbole të Islamit, duke u frikësuar se je në botën perëndimore dhe duke e zbatuar Islamin do kesh probleme në jetën tënde. Mos të detyrojë gjendja jote në këtë këtë botë,ku ti jeton në një komunitet të përzier fetar që për një interes dunjaje ta shesësh fenë tënde. Feja Islame padyshim që na mëson që të jemi të respektueshëm me të gjithë,si me muslimanët, ashtu edhe me jo muslimanët. Por kjo nuk do të thotë që në emër të respektit të jomuslimanëve të shkelim ligjet dhe normat fetare islame. Shikojmë prej muslimanëve që jetojnë në botën perëndimore që në emër të tolerancës fetare, shkelin dhe injorojnë shumë prej normave fetare islame, duke e bërë Islamin më shumë teorik sesa praktik, apo siç quhen ndryshe ”Islam evropian”.

Po si duhet të veprojë një musliman në botën perëndimore?

Fillimi është me rregullimin e vetes së tij, duke e mësuar gradualisht Islamin e pastër dhe rrugën e drejtë të cilën na e ka mësuar Allahu dhe I Dërguari Tij, praktikimin e këtij Islami, t’ua mësojnë atë grave dhe fëmijëve të tyre pasi nuk ka gjë më të rëndësishme në jetë sesa një familje fetare e shëndoshë dhe e lumtur .

Rinia është shtylla e shoqërisë, por për të pasur një rini të shëndoshë ata të rinjë duhet të rriten në një ambient të shëndoshë familjar ku , secili prej prindërve e din rolin e tij në familje dhe në shoqëri, pasi ata nuk janë të njejtë në natyrë por natyra e secilit prej tyre ka obligime të ndryshme prej tjetrit, (p.sh. burri ka forcën dhe kujdeset për sigurinë e familjes, kurse gruaja ka ndjeshmërinë dhe kujdeset për edukimit e fëmijëve),duke respektuar njëri-tjetrin në të drejtat që ua ka caktuar Allahu.

Çdo I ri është ambicioz dhe kërkues në jetë, ai ka nevojë për shtëpi me harmoni familjare dhe prindër që I japin edukatë të mirë dhe arsimim , dhe e pregadisin atë për të ardhmen që të ketë mundësi punësimi, partner për tu martuar, e kështu me radhë. Kjo del detyrë e prindërve që të kujdesen për edukimin e rinisë me një edukim të shëndoshë islam që kur ata janë të vegjël,sepse nëse ky edukim do jetë i mangët, jo I saktë,apo do mungojë krejt, atëherë rinia do të devijojë nga rruga e drejtë dhe padyshim që do përfundojë drejt rrugëve shejtanore duke u shëndruar në “lakuriq nate” dhe duke frekuentuar diskoteka dhe kafeneja, duke përdorur alkoolin, drogë dhe bixhozin dhe më tej duke u shëndruar në person i dhunshëm. Të rinjtë kështu rrezikohen kudo por rreziku në perëndim është më I madh. Ata nuk e dëmtojnë vetëm veten e tyre por janë gjithashtu edhe një imazh I keq për Islamin para syve të tyre.

S’ka dyshim prindërit janë një shembull për fëmijët e tyre qoftë për mirë e qoftë për keq.
Dëgjoni historinë e një të riu që dëshiron të fejohet me një vajzë të lagjes dhe e pyet babain në lidhje me këtë, por ai ia kthen: mos I trego nënës tënde, por atë vajzë e ke motër gjaku. Kur djali zgjedh një tjetër, babai përsëri I thotë të njejtën gjë, por në rastin e dytë djali hidhërohet dhe I tregon nënës, kurse e ëma me gjakftohtësi I thotë: mos I trego atij, por ndigjo, mos u mërzit fare pasi ti mund ta marrësh cilëndo prej atyre dyjave pasi burri im nuk është babai yt. Çfarë do thoshim për një familje të tillë,a do ishte një shembull I mirë apo I keq për fëmijën e tyre? Pa dyshim i keq!

Lusim Allahun që ti bëjë familjet tona shembull të mirë për fëmijët tanë dhe gjithë shoqërinë ku jetojmë!
——————————–
Të nderuar vëllezër , duhet të vetëdijësoheni se gjëja më e rëndësishme për ju mbetet edukimi I familjes dhe fëmijëve me edukatë Islame dhe traditë të mirëfilltë kombëtare.Për ta pasur më të lehtë këtë ju duhet të keni parasysh këto katër gjëra:

1. Të bashkëpunoni me komunitetit tuaj dhe të jetoni sa më pranë njëri-tjetrit. Duke u vendosur në lagje ku ka më shumë familje të komunitetit tuaj ju do vazhdoni kontaktet me to, do lidhni miqësi me to dhe do ndihmoheni në mes veti.

2. Organizohuni që të keni shkollat e juaja dhe të mësoni gjuhën tuaj, të ruani kulturën dhe identitetin tuaj, të praktikoni fenë tuaj, duke respektuar ligjet e shtetit ku jetoni.

3. Përpiquni të keni median e juaj (Tv, Radio,gazetë etj.) që promovojnë vlera të mirëfillta fetare dhe kombëtare në mënyrë që shikuesit dhe ndigjuesit të jenë vazhdimisht në kontakt me fenë e tyre dhe me popullin e tyre.

4. Qëndroni sa më afër fëmijëve tuaj dhe mbi të gjitha mos I imitoni perëndimorët duke u lënë fëmijëve “hapësirat e tyre”, d.m.th. të mbyllen tërë ditën në dhomën e tyre, duke u futur në botën e tyre iluzionare dhe duke mos ditur se ç’ka bëhet jashtë dhome. Përkundrazi, afrojini ata sa më afër vetes duke u treguar parimet fetare dhe traditat e vendit, mikpritjen, festat fetare dhe duke I këshilluar për të falur namazin. Namazi është çelësi I suksesit në familjen muslimane. Nuk mund të pretendon ndonjë njeri se ka atmosferë islame në shtëpinë e tij nëse në atë shtëpi nuk falet namazi. Allahu xh.sh. thotë: {Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.} (Kaptina Taha: 132).

Një rëndësi të veçantë duhet ti kushtoni edhe prezantimit të fëmijëve në xhami, pasi xhamia është institucioni më I rëndësishëm në edukimin islam të brezave. Nëse prindi nuk ja mëson derën e xhamisë fëmijës së tij sot, rrezikon që nesër ai burrë nuk do ta gjejë atë derë.
Në fund dua ta mbyll hutben time me një poezi të Imam Shafiut e cila është një lutje që i bëhet Allahut:
Aman o Zot me mëshirë zemrën ëmbëlsoma
Kur çel mëngjezi dhe terri mbyll netët e vona
sa herë që dremis dhe në gjumë ndërroj vënd
sa herë që marr frymë aq herë të përmënd
zemrën ta dorëzova se fare mirë e di
i Shenjtë je o Allah dhe plot Madhështi
kam bërë aq gjynahe sa vetëm Ti i di
e prapë s’më zbulon kur bëj prapësi
me kë përmënd për mirë më kujto
dhe në fenë time mos më ngatërro
në këtë jetë dhe në të pasmen pranë më qëndro
dhe “Ditën e Ringjalljes”mos më refuzo

Allahu e mëshiroftë Imam Shafiun dhe Lusim Allahun që të na forcojë në fenë tonë, ne, gratë tona, fëmijët tanë dhe gjithë muslimanët dhe muslimanet. Lusim Allahun që të jemi prej atyre që Allahu është I kënaqur në këtë botë dhe në tjetrën! Amin!

Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].

{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit