7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Muhamedi, figura më unikale e historisë njerëzore

Më të lexuarat

Hyrje
Për Muhamedin është shkruar shumë dhe vazhdon të shkruhet edhe gjatë kësaj kohe që po shkruaj këto radhë modeste për të Dërguarin e fundit të Zotit, Muhamed ibn Abdullahun a.s.. Në këtë varg temash përreth Islamit nuk kisha se si të mos shkruaja disa mendime rreth jetës së njeriut që i diktoi njerëzimit idetë, mendimet dhe e shtriu influencën e tij shpirtërore në një hapësirë gjeografike bukur të madhe që nis nga Maroku e përfundon në Malajzi e deri në Ishujt Filipine. Të shkruash për figurën e tij nuk arrin asnjë herë që ta shterosh nga fillimi deri në fund dhe të japësh një mendim të plotë për jetën e tij por edhe pa e trajtuar nuk mund ta linim dhe jam munduar ta kap nga disa këndvështrime kryesore me të cilat ndikimi i tij vazhdon të ndihet edhe sot në ditët tona pas rreth 1.350 vjetësh që Ai është ndarë nga kjo botë dhe ka ndërruar jetë. Jeta e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) është më e sakta dhe më e trajtuara nga të gjithë biografët muslimanë. Janë transmetuar aq shumë hadithe[1] për jetën e tij saqë ato tregojnë edhe çaste nga më intimet nga jeta e tij bashkëshortore me gratë. Me hadithet e tij lëvrohet një shkencë e posaçme që njihet si Shkenca e Hadithit. Në të gjithë Botën Islame njihen Sahihët[2] e Buharit e të Muslimit dhe sunenet e Ebu Daudit, Termidhiut, Nesaiut dhe Ibn Maxhes. Gjashtë librat e këtyre gjashtë prijësve të hadithit kanë ndikuar në ruajtjen e fesë dhe për nga rëndësia e tyre vijnë menjëherë pas Kuranit të Famshëm duke u bërë kështu burimi i dytë i rëndësishëm për Legjislacionin Islam. Shembulli i tij i jetesës ndiqet edhe sot e kësaj ditë nga muslimanët e devotshëm në të katër anët e globit duke patur kështu një ndikim real edhe pas ndërrimit jetë e për më tepër rreth 14 shekuj pas kësaj ngjarjeje. Për çdo vit në Arabinë Saudite organizohet një konkurs për biografinë më të arritur dhe më të mirë për jetën e Profetit të shquar. Shkrimtarët muslimanë edhe pa këtë nxitje nuk reshtin së shkruari me respekt, nderim e dashuri për këtë figurë që e ka shenjuar gjerësisht jetën e tyre dhe të miliarda muslimanëve anekënd globit.
Një gjini e posaçme letrare është e lëvruar apostafat për ta lavdëruar veçanërisht Profetin e Islamit dhe që njihet nën termin letrar Mevlud[3]. Me qindra Mevlude janë kënduar dhe këndohen në përkujtim të Profetit. Edhe në shqip ekzistojnë disa Mevlude të përkthyera nga osmanishtja e më pas autorë të ndryshëm kanë krijuar mevludet e tyre origjinale. Këtu mund të përmendim Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës etj. Emri i tij përmendet së bashku pas atij të Allahut në Shehadet me gradën më të lartë “Resulullah-I Dërguari i Allahut”. Personi që ia doli të përmbledhi një grup fisesh endacake të shpërndara andej-këndej në të gjithë Arabinë, e t’i fusi nën flamurin e Islamit. E pa qysh në gjallërinë e vet fenë e tij të triumfojë dhe frutet e asaj pune janë një Bashkësi Mbarëbotërore Muslimane prej gati 2 miliardësh sot në shek. XXI. Sa herë që përmendet emri i tij më pas shtohet zakonisht fraza “Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të” dhe megjithëse nuk është midis nesh për Profetin Muhamed flitet me një respekt, nderim e dashuri të veçantë.
 

Përpara Profecisë

Zakonisht të gjithë biografët e Profetit Muhamed dallojnë dy periudha të rëndësishme në jetën e tij atë “përpara profecisë” dhe atë “pas profecisë”. Pa dyshim periudha që ka ndikuar më tepër është ajo “pas profecisë”, e cila po ashtu ndahet në dy periudha të tjera kryesore në atë të Mekes dhe atë të Medines. Për këto periudha do të flasim në nënçështjet në vijim. Të gjitha biografitë e Profetit të shkurtuara apo të plota na tregojnë se lindja e tij u shoqërua nga disa shenja të veçanta: Nënës së tij Aminesë iu shfaq në ëndërr një dritë që e përshkoi të tërën dhe një hebre atë natë që ka lindur Muhamedi i ka paralajmëruar arabët që ka lindur pejgamberi i tyre i madh. Nga faktet më të rëndësishme të jetës së tij janë: mbeti shumë shpejt pa baba e më pas në moshën 7-8 vjeçare edhe pa nënë. Kujdesin e tij e merr fillimisht i gjyshi Abdul Mutalibi dhe më pas xhaxhai i tij Ebu Talibi dhe që ky i fundit e mbrojti deri sa vdiq vetë ai. Nuk mori asnjë lloj arsimimi dhe ky fakt përmendet edhe në Kuranin Famëlartë “…pra, besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar,…” (Arafë, 158). U rrit maleve rrotull Mekes dhe ruajti bagëtitë e mekasve[4]. Më pas udhëton me xhaxhain e vet me karvanet tregëtare që shkonin për në Siri ku edhe njihet në bazë të shenjave të profecisë prej një prifti të krishterë. I hyn tregëtisë me karvane dhe në moshën 25-vjeç fiton besimin e një vejusheje shumë të pasur dhe të bukur Hatixhe bin Huvejlidit. I ecën shumë tregëtia dhe nxjerr përfitime të mëdha, të cilat ia dorëzon krejt zonjës Hatixhe që i bën shumë përshtypje sjellja e veçantë e tij. Ajo i kërkon të martohet[5] dhe Muhamedi megjithëse ajo ishte 15 vjet më e madhe, pranon. Kalojnë së bashku, deri sa Hatixheja ndahet nga kjo botë, një jetë të lumtur dhe me të cilën pati 4 vajza. Po ashtu një fakt që na ndriçon për zgjuarësinë e tij natyrale është edhe zgjidhja që i dha ngatërresave që patën familjet e shquara mekase për vendosjen e Gurit të Zi (Haxherul Esvedit) me rastin e meremetimit të Kabes prej kurejshitëve. Të gjitha këto fise e pretendonin vendosjen e Gurit të Zi sepse donin të fitonin famë në të gjithë vendin po ta bënin këtë gjë. Në një çast kur gati po shpërthente gjakderdhja midis fiseve njëri nga pleqtë propozon që zgjidhjen e kësaj ngatërrese t’ia lenë të parit që do të hynte nga porta e Mekes dhe prej asaj porte hyn Muhamedi që u prit me brohoritje prej të gjithëve sepse ishte i njohur në të gjithë qytetin si njeri i ndershëm dhe i besueshëm. Ai mori një shall dhe e vuri sipër tij Gurin e Zi dhe i ftoi të gjitha fiset që të kapnin nga një cep e ta ngrinin njëkohësisht pastaj kur u afruan te vendi e mori me duart e veta dhe e vuri në vend[6]. Por ajo që është më e rëndësishmja për t’u theksuar, është se ai njihej prej të gjithë qytetit me mbiemërimin El-Emin (besniku, i besueshmi). Këto ishin shkurt, çastet më të rëndësishme për t’u përmendur gjatë periudhës deri në 40-vjeç kur i erdhi më pas profecia.
 

Muhamedi si modeli i thirrësit të përkryer (ose “pas profecisë” dhe “para Medines”)

“Lexo!” Pikërisht kjo është fjala e parë që iu transmetua Muhamedit a.s. prej engjëllit lajmëtar Xhibrilit. Kjo fjalë dhe ajo pamje madhështore e engjëllit e goditën atë dhe kalon në çoroditje. Por gruaja e tij Hatixheja kur Ai shkon në shtëpi ia del ta qetësojë për çastin. Kjo fjalë dhe ato që pasuan ia ndryshuan jetën kryekëput Muhamedit dhe qysh nga ai çast qetësia e tij u prish për t’iu përkushtuar një misioni shumë të lartë; Misionit Hyjnor të të Dërguarit të Zotit për të gjithë njerëzimin. Gjatë gjithë jetës së tij Muhamedi a.s. u shqua si një njeri i qetë dhe me besueshmërinë që kishte krijuar në opinionin e gjerë ai mundi që të krijojë bindjen te ndjekësit dhe me mënyrat e tij ia arriti të jetë një udhëheqës i vërtetë. Pikërisht kjo periudhë, dmth, deri në çastin e shpërnguljes për në Medine (ose siç njihet gjerësisht Hixhreti) dhe vështirësitë që Ai kaloi gjatë kësaj kohe mund të themi se qenë një periudhë parapërgatitore për atë që do të vinte më tej pas shpërnguljes së tij. Në këtë kohë Ai parapërgatitet si udhëheqës i një bashkësie të kufizuar që më pas të marri drejtimin e një shteti të ri dhe të paparë deri atëhere në histori. Vështirësitë e kësaj periudhe ishin me të vërtetë të mëdha. Atij iu desh që të niste dy grupe njëri pas tjetrit për në Abisini meqenëse përndjekja ndaj pasuesve të tij arriti në kulmin e durimit, duke bërë kështu që t’i heqi vetes edhe një pjesë të mbështetjes që e gjente te këta njerëz besnikë. E gjithë kjo periudhë ishte vetëm vetëmbrojtje sepse ajeti që e lejon luftën me armë si mjet mbrojtjeje zbriti pas shpërnguljes në Medine. Megjithatë me këmbënguljen e Muhamedit në rrugën e tij pavarësisht se Bashkësia Islame pësoi një rënie artificiale, ato pak veta që mbetën me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen shpirtërore që iu dha Muhamedi shokëve dhe njerëzve të tij ia dolën të mbijetojnë në ato kushte të vështira, të cilat arritën që t’jua kalisin durimin kësaj bërthame të parë nga e cila do të dilnin më vonë dijetarë të fesë dhe shtetarë të shquar si Ebu Bekri, Omer bin Hatabi, Osmani, Aliu etj. Në çastet më të vështira të kësaj periudhe dhe asaj të mëpasme Muhamedi a.s. u shqua për qetësi dhe largpamësi në veprimet e tij që i sollën suksesin dhe e ruajtën këtë bërthamë fillestare dhe që frutet e mëvonshme të saj do të ishin të bollshme saqë dhe sot e kësaj dite historianët, të gjithë pa përjashtim, habiten me përhapjen e shpejtë të Islamit brenda një periudhe 80-vjeçare nga brigjet e lumit Gang në Indi e deri në Puatje e Lion të Francës. Pra, elementet që e karakterizojnë figurën e Muhamedit a.s. janë tre: Besueshmëria që e kishte edhe para profecisë, qetësia dhe largpamësia në veprime.
 

Udhëheqës i shquar dhe politikan i urtë (Periudha e Medines)

Kalimi i Profetit në Medine kulminon pas një serie bisedash të gjata me qytetarë të shquar të këtij qyteti të shndritshëm që pas vendosjes së Profetit Muhamed a.s. në këtë qytet dhe ngritjes fillimisht të qytet-shtetit të parë Islam dhe më pas të kalifatit, emri i saj ndryshoi nga Jethrib në Medine Munevvere (Qyteti i Ndritshëm). Pas këtyre bisedave, pasi ua mori besën qytetarëve medinas dhe pasi i largoi edhe pjesën më të madhe të muslimanëve nga shtypja e idhujtarëve kurejshë, Muhamedi a.s. së bashku me mikun e vet më të ngushtë Ebu Bekrin vendos të shpërngulet nga Mekja e Shenjtë i fundit, mu si ai kapedani që e braktis anijen që po mbytet pasi i ka siguruar marinarët në anijen tjetër ku gjen shpëtim dhe qetësi. Pasi mbrrin në Medine gjëja e parë që bën është ndërtimi i Xhamisë së Kubasë dhe më pas të asaj që njihet në të gjithë botën pa përjashtim si Xhamia e Profetit. Ndërkaq për të pasur një kuadër më të plotë të asaj që po ngjante, i numëron muslimanët që gjendeshin në Medine dhe i del se numri i tyre është 1.500. Pra, vihet në dijeni të forcave njerëzore që disponon për të pasur një kuadër sa më real të gjendjes së shtetit të ri që po ngrinte. Pasi ka një kuadër të tillë, Ai si kryetar i shtetit të ri Islam nënshkruan një marrëveshje me komunitetet e tjera, veçanërisht me hebrenjtë. Kjo marrëveshje bashkëjetese dhe të 52 pikat[7] e saj, përbëjnë marrëveshjen e parë demokratike për të gjithë historinë botërore dhe Muhamedi a.s. është i pari udhëheqës, i një shteti të ngritur me baza demokratike dhe me bazë kompromisin politik. Në këto çaste për të cilat po flasim Profeti fillimisht zgjodhi ngritjen dhe konsolidimin e Bashkësisë së re Islame në Medine, e cila do të përforconte njëkohësisht edhe pozitat e pushtetit të ri që po ngrihej. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje me hebrenjtë i shërbente këtij konsolidimi dhe stabilizimit të gjendjes së brendshme në të gjithë qytetin. Konceptet e besës,  kuvendit (mexhlisit) dhe të këshillimeve (shuaras)[8], janë koncepte që u futën nga Muhamedi dhe u zhvilluan më tej edhe nga Kalifët e Drejtë (Hulefai Rrashidinët). Kjo u pa gjerësisht në praktikën e Muhamedit a.s. si shtetar dhe udhëheqës i suksesshëm. Këtu mund të përmendim rastin e këshillimit të Profetit Muhamed a.s. me shokët e tij përpara betejës së Bedrit duke u mbledhur në këshillë[9]. Po ashtu ky veprim konfirmohet edhe në Betejën e Hendekut një nga beteja vendimtare ku u vu në rrezik Qytet-shteti i Medines. Muhamedi jo vetëm që i mblidhte në këshillë shokët e vet por edhe ua merrte parasysh këshillat e tyre duke vepruar sipas propozimit të tyre. Kjo shihet edhe në Betejën e Hendekut kur Muhamedi mori parasysh propozimin e bërë nga shoku i tij Selman Farisiu[10] me origjinë persiane për hapjen e një hendeku të gjerë rreth Medines për ta mbrojtur atë nga sulmuesit idhujtarë. Ai e pranoi këtë zgjidhje të Selman Farisiut dhe doli më pas me të gjithë shokët e tij duke punuar si punëtor i thjeshtë e duke dhënë kështu shembullin e një udhëheqësi modest. Ndërkaq Ai këndonte duke ju lutur Zotit që t’i falte, t’ju jepte qetësi e forcë për në betejën e pritshme. Në veprimet e tij ushtarake Ai u shty nga nevoja për t’u mbrojtur por asnjë herë nuk u pa ndonjë shenjë frike përkundrazi luftoi përkrah shokëve të tij duke i udhëhequr e udhëzuar. Kjo u pa në Betejën e Uhudit kur shokët e tij nuk e dëgjuan dhe e vunë në rrezik atë dhe përfundimin e betejës porse Muhamedi me guxim e trimëri të paparë, vetë i pari dhe më pas me një grusht luftëtarësh besnikë e ktheu peshoren e betejës në favorin e vet dhe të muslimanëve. Nga rreth 47 beteja që janë zhvilluar në gjallërinë e vet Muhamedi ka marrë pjesë drejtpërdrejt në 27 prej tyre dhe ky është mendimi i biografëve më të shquar të tij. Betejat qenë të përgjakshme por ajo që e bën atë të hyjë në historinë e strategjisë ushtarake, është ajo për çlirimin e Mekes pasi i kishte ardhur leja për ta bërë këtë gjë. Niset së bashku me 10.000 nga sahabët e tij për ta çliruar Meken dhe të kryejë vizitën e shenjtë. Pavarësisht se Ebu Sufjani udhëheqësi i idhujtarëve mekas u mundua disa herë të ndërmjetësonte për t’i zmbrapsur nga ky vendim Ai nuk tërhiqet. Diku para hyrjes në Meke, ushtria muslimane fushon duke ngritur çadrat e saj dhe marrin urdhër që të ndezin nga një zjarr në çdo çadër. Nga kjo pamje tronditet Ebu Sufjani, po ashtu edhe të nesërmen kur me urdhërin e Muhamedit i lejohet ta shohi ushtrinë muslimane që përgatitet për të shkuar në Meke. Ebu Sufjani tronditet dhe trembet nga i gjithë ky demostrim force dhe pasi i kërkohet të bëhet musliman ai e pranon Islamin dhe Muhamedin si të Dërguarin e Zotit. Ndërkaq kur Ebu Sufjani shqetësohet për fatin e Mekes dhe të banorëve të saj, Muhamedi i thotë “…Sot është dita kur Allahu e lartëson Kaben”[11]. Menjëherë Ebu Sufjani i drejtohet Mekes ku edhe takon parinë e saj dhe i shtyn që të mos hapin luftë me Muhamedin a.s. dhe kështu pa pasur ndonjë kundërshtim të rëndësishëm Muhamedi falë zgjuarësisë strategjike që tregoi e çliron dhe shuan vatrën e të gjitha kundërshtimeve ndaj tij dhe shtetit të parë Islam, duke bërë kështu që për një kohë të shkurtër t’i nënshtroheshin të gjithë fiset mekase duke pranuar Islamin. Si një sundimtar i padiskutueshëm tashmë me hir hyjnor, pikërisht në këtë çast ai shpall një falje të përgjithshme, duke mos e shfrytëzuar avantazhin ushtarak të krijuar por me urtësi i fal ata që e përndoqën për vite me radhë duke ua fituar zemrat dhe shumë shpejt, duke u bërë edhe ata muslimanë. Ky ishte edhe nënteksti i fjalëve që i tha Ebu Sufjanit “…Sot është dita kur Allahu e lartëson Kaben”. Ky është edhe çasti kur përfundimisht zhduket nga Qabja idhujtaria për t’i lënë vend adhurimit në një zot dhe nga ky çast madhështor i Historisë Islame, misioni parësor i muslimanëve do të ishte përhapja e Islamit dhe e monoteizmit të pastër në Arabi dhe më pas në të gjithë botën.
 
Mësuesi i parë (Mësues i Mësuesve)
Përveç gradës së Profetit, Muhamedi a.s. mund të mbiquhet shumë lehtë edhe mësuesi i parë. Për këtë gjë mund të flasim në shumë drejtime dhe e kemi shumë të lehtë sepse me të vërtetë që Ai i mësoi për gjithçka shokët e vet. Ai ishte për ta jo vetëm udhëheqës por edhe mësues që ju mësoi Kuranin përmendësh, i mësoi se si të vepronin me atë Kuran praktikisht. Ai ju mësoi se çfarë ishte ligji dhe se si zbatohet ai. Me mënyrat e mësimit tepër efikase, fillimisht ua mësoi thelbin e ligjeve dhe më pas ua tregoi praktikisht se si të vepronin me këto ligje. Ju mësoi atyre Besimin. I udhëzoi shokët e vet në çdo drejtim saqë është një nga parimet thelbësore fetare ndjekja e shembullit të tij në çdo gjë për të cilën ai ka folur e vepruar. Ju mësoi atyre se si të komunikonin me njëri-tjetrin[12], si të hynin në marrëdhënie tregëtie: si të shesësh e të blesh etj. Mësimet e tij ishin të thjeshta dhe praktike[13], ato bazoheshin kryesisht në kujtesën e nxënësve të vet. Në këtë drejtim akoma edhe sot si popull arabët shquhen.“Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë). Shoku juaj (Muhamedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga  vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij”. (Nexhm, 1-3) Ky ajet i Kuranit Fisnik na bën me dijeni se Muhamedi a.s. nuk është një person që flet më kot dhe nuk flet nga mendja e tij porse Ai ka një udhëzim të pandarë hyjnor. Përveç ligjëratave të ndryshme dhe predikimeve që mbante Ditën e Premte (Xhuma), një nga mënyrat më të sukseshme ishin edhe bisedat[14] me njerëzit e thjeshtë. Me anë të pyetje përgjigjeve Ai me shumë urtësi ua shpjegonte nëpërmjet argumenteve kuranore problemet e ndryshme, ua qante hallet njerëzve dhe i njoftonte për veprat e mira fetare që duhej të kryenin. Muhamedi vazhdimisht, nëpërmjet këtyre bisedave gjatë të gjithë jetës së tij, i përdori si mjet orientimi për të gjithë muslimanët dhe të cilat vazhdojnë të jenë të tilla edhe në ditët e sotme, një metodë e suksesshme që përdoren nga predikuesit islamë. Pikërisht për vlefshmërinë e këtyre bisedave Ai vetë ka thënë:
“Sipas meje, të qëndroj në një kuvend bisede nga agimi e gjer në të lindur të diellit, është më e dobishme se çlirimi i katër skllevërve; po ashtu, të qëndroj nga koha e pasdites (iqindisë) gjer në të perënduar të diellit, është më e dobishme se çlirimi i katër skllevërve”[15]. Shpesh herë Muhamedi ua përsëriste qëllimisht tri herë të njëjtën gjë për t’jua tërhequr vëmendjen dhe për t’jua ngulitur sa më mirë atë çka donte që ata ta mësonin. “Për Allahun, nuk beson; Për Allahun, nuk beson; Për Allahun, nuk beson”! I thanë: “Kush o Pejgamber i Allahut”? Tha: “Ai nga të këqijat e të cilit nuk janë të sigurtë fqinjtë e vet”. (Transmeton Buhariu[16]) Pra, pasi ua ka tërhequr vërejtjen shokëve të tij duke ua ngjallur kureshtjen me fjalët “Për Allahun, nuk beson…”, vjen natyrshmërisht pyetja “Kush” dhe për pasojë përgjigjja vijuese me shpjegimet përkatëse pasi vëmendja e tyre është përqëndruar aty. Po ashtu kemi edhe hadithin tjetër të transmetuar nga dijetari më i shquar i kësaj fushe Buhariu: “A t’ju lajmëroj për më të mëdhenjt e mëkateve të mëdha? Këtë e tha tri herë…”[17]. Edhe këtu në këtë rast vihet re ajo çka e thamë më sipër, përsëritja tri herë e së njëjtës fjali. Po kështu në librat e shumtë të hadithit mund të citojmë shumë raste të këtilla për këtë metodë të ndjekur nga Muhamedi a.s.. Në rastin e parë kemi një fjali pohore ndërsa në rastin e dytë e kemi në formën pyetëse. Nuk fliste shumë por ato që i thoshte arrinte t’ia nguliste bashkëbiseduesit në mendje. Për këtë na tregon bashkëshortja e tij e nderuar Aishja: “Ai kur fliste, po të donte dikush, do t’ia numëronte fjalët”[18]. Ishte një njeri që gjithmonë buzëqeshte dhe që i dëgjonte me vëmendje të tjerët pa e shkëputur vëmendjen prej tyre. Ishte i durueshëm dhe këmbëngulës në punën e vet. Prej brezit që Ai përgatiti dolën dijetarë në fusha të ndryshme të fesë dhe që ato vetë përgatitën breza të tërë njerëzish që e përhapën Fenë Islame që nga Gangu (Indi) e deri në Spanjë. Frytet e punës së tij shihen edhe sot kur Islami është përhapur në mënyrë të gjithanshme dhe kudo qysh nga veriu në jug, nga lindja e deri ku perëndon dielli. Këto ishin disa hollësira nga metoda e punës së tij por që kurrsesi nuk mund të japin një pamje të plotë të punës së tij gjeniale në të mirë të njerëzimit.

 

Haxhi i fundit dhe Ligjërata e Lamtumirës

O njerëz!
Ma dëgjoni mirë fjalën! S’e di, ndoshta pas këtij viti s’do të mund të bashkohem më me ju këtu përjetësisht. O njerëz! Ashtu siç janë gjëra të shenjta kjo ditë vigjiljeje (arifeje), ky muaj pelegrinazhi (haxhi) dhe ky qyteti juaj, Meka, po kaq janë të respektuar edhe shpirti, malli dhe nderi juaj që janë të mbrojtur nga çdo lloj dhunimi.
As’habë! Cilido që të ketë një amanet, t’ia japë të zotit. Është hequr çdo lloj përqindje interesi (faizi), e kam vënë nën këmbë. Megjithatë, jeni të detyruar të jepni borxhin themelor. As mos shkatërroni të tjerët, as mos u shkatërroni vetë. Më në fund, me urdhër të Allahut, është ndaluar marrja e interesit (faizit).
As’habë! Gjakmarrjet e nxitura në periudhën e injorancës (xhahilijetit), janë hequr plotësisht. Gjakmarrja e parë që kam hequr, është ajo e kushëririt tim, Rebiait, nipit të Abdul-Mutalibit.
O njerëz! Ju këshilloj të merrni parasysh të drejtat e grave dhe në këtë veçanti, të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; duke dhënë fjalën në emër të Allahut, ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë dhe ato kanë të drejta mbi ju
Muslimani është vëlla për muslimanin, kështu që të gjithë muslimanët janë vëllezër. Cënimi i çfarëdo të drejte që i përket një vëllai tuaj të fesë, nuk miratohet përderisa ta ketë dhënë vetë me kënaqësi.
O njerëz! Pranë Allahut jeni më të vyerit e më të respektuarit. Për sa i përket respektit të Allahut, arabi nga jo-arabi nuk ka asnjë përparësi.
Këto janë pjesë të nxjerra nga fjalimi i fundit të Muhamedit në Haxhin e Lamtumirës. Këtu ai i njofton njerëzit që vitin e ardhshëm nuk do të jetë më. Në këtë haxh[19] sipas disa transmetimeve kanë marrë pjesë 140.000 veta dhe në disa transmetime të tjera qëndron se kanë marrë pjesë 100.000 veta. Sidoqoftë, qoftë njëri numër apo tjetri, për kohën ishte një shifër fantastike. Fjalimi i Muhamedit a.s. u transmetua njëri pas tjetrit deri te më i fundit pjesëmarrës në atë Ligjëratë Lamtumire, e cila ndikoi fuqishëm në të ardhmen e Islamit. Të pranishmit që ishin aty sapo e morën vesh që udhëheqësi i tyre nuk do të ishte më midis tyre vitin e ardhshëm filluan të qajnë, por për asnjë çast nuk e shkëputën vëmendjen nga fjalët e tij. Shumë udhëheqës të ndryshëm kur janë tërhequr nga posti dhe kanë mbajtur fjalën e lamtumirës kanë bërë bilancin e arritjeve të tyre gjatë qëndrimit në post dhe në më të shumtën e rasteve kanë qenë pozitive dhe janë ndërprerë nga duartrokitjet e vazhdueshme të ithtarëve të vet. Ndërsa në këtë rast kemi të kundërtën. Muhamedi a.s. nuk bën bilance, as pozitive as negative dhe as nuk e ndërpret njeri për ta duartrokitur, porse në fund të atij fjalimi madhështor iu drejtohet të pranishmëve:
“O njerëz! Nesër do t’ju pyesin për mua; si do të përgjigjeni?
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se dërgesën e plotësove, detyrën në vend e çove, na porosite e na këshillove”!
Megjithëse e di shumë mirë që i ka ardhur fundi i misionit të tij, Ai vazhdon të shqetësohet për të ardhmen e Bashkësisë së re që ngriti dhe të shtetit që do të linte mbrapa. Njerëzit e pranishëm në atë vend ia dëgjojnë fjalën dhe e regjistrojnë atë, duke ua përcjellur brezave pasardhës dhe duke e mbajtur atë amanet si gjënë më të vlefshme të trashëguar.
 

Roald A. Hysa



[1] Hadith – Fjalët, thëniet, veprimet, miratimet me gojë apo me heshtjen e Profetit Muhamed ndaj veprimeve apo thënieve të shokëve të tij.

[2] Sahih – I saktë, nën këtë term njihen të gjithë ato hadithe që saktësia e tyre është e vërtetuar katërcipërisht duke mos lënë asnjë dyshim.

[3] Mevlud – Kuptimi i kësaj fjale që vjen prej arabishtes do të thotë ‘ditëlindje’ ndërsa nga ana letrare është një poemë e gjatë epiko-fetare që lavdëron Profetin Muhamed dhe tregon çastet më të rëndësishme të jetës së tij përfshirë edhe çastin e lindjes së tij.

[4] Muhammedi alejhis-selam Pishtari ndriçues, Bashkim Aliu, Furkan Ism, Shkup 2000, fq. 93.

[5] Po aty, fq. 105-107.

[6] Po aty, fq. 112.

[7] Për më tepër rreth kësaj teme shih: “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; Furkan Ism; Shkup 2000; fq. 236-241.

[8] “Islami dhe demokracia – teokracia dhe totalitarizmi”, Ali Bulaç, Logos-A, Shkup 1998, fq. 74.

[9] “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; Furkan Ism; Shkup 2000; fq. 253. “Nektari i vulosur i xhennetit”, Safijurrahman El-Mubarekfuri, Tiranë 1998, fq. 216.

[10] Po aty, fq. 311; fq. 317.

[11] Cituar sipas “Muhamedi a.s. Pishtari ndriçues”; Bashkim Aliu; fq. 377.

[12] Kemi këtu hadithin për të shkëmbyer selamin me njëri-tjetrin.

[13] “Sa jemi muslimanë”, Muhamed Kutub, Furkan Ism, Shkup 1999, fq. 11.

[14] “Biseda fetare”, Prof. Dr. Bekir Topaloglu, Marmara Universitesi, Ilahiyat Fakultesi Vakfi Yayinlari, Stamboll 1999, fq. 6.

[15] Po aty, fq. 7. Transmeton hadithin Ibn Maxhe.

[16] Citohet sipas “Morali i muslimanit” Muhamed Gazali, Furkan Ism, Shkup 2001, fq. 9.

[17] Po aty, fq. 42.

[18] Po aty, fq, 21.

[19] Haxh – Vjen nga arabishtja dhe nënkupton vizitën dhe kryerjen e disa riteve të caktuara në Meke dhe Medine, vende të shenjta të Islamit.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit