10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Muhamedi dhe Shekspiri: ç’i dallon ata?

Më të lexuarat

Ka kritikë që ndonëse e mbajnë Kuranin për kryevepër letrare, refuzojnë ta quajnë atë libër të mbinatyrshëm. Në thelb të mendimit të tyre gjendet argumentimi se secili civilizim e ka kryeveprën letrare të tij. Sikur që civilizimi anglez dallohet me “Sonetet” e Shekspirit, civilizimi grek me “Iliadën” e Homerit, ashtu civilizimi arab shquhet me Kuranin. Mirëpo, kjo pikëpamje shpërfill një sërë dallimesh mes Profetit Muhamed ﷺ dhe autorëve të tjerë, përkatësisht Shekspirit:1

Ndryshe nga Muhamedi ﷺ, Shekspiri qe shkolluar në gjuhën greke dhe latine dhe përveç që thithte dije nga mentorët e tij, ai kishte qasje edhe në bibloteka të pasura me shkresa, fletushka e libra.

  1. Shekspiri e fitonte bukën e gojës si një dramaturg profesional dhe zeja e tij rafinohej me secilin krijim dramaturg të tij. Profeti ﷺ, në anën tjetër, transmetohet se, në tërë jetën e tij, kurrë s’ka nxjerrë nga goja as edhe një kuplet poezie2, as që kishte mundësi të analizonte ndonjë fjalë të Kuranit para se t’i kumtohej audiences së tij të gjerë muslimane ose jomuslimane.
  2. Sonetet qenë të krijuara shekuj para Shekspirit, ndërsa Kurani kishte një strukturë kompozitore unike që dallohej nga cilido model i shkrimit a të folurit nga poetët famëmadhë arabë.3
  3. Për dallim nga Shekspiri, stili dhe fjalësi i të cilit përshkojnë të gjitha veprat e tij, Profeti Muhamed ﷺ ia përcolli botës një Kuran stili i të cilit dallon nga tradita hadithore (thëniet ditore të Muhamedit ﷺ). Derisa kjo qe vërejtur lehtë nga bashkëkohësit e tij, dhjetëra eksperimente janë ndërmarrë për ta vërtetuar këtë objektivisht. Stilometria është analiza statistikore e variacioneve të stilit letrar që gjen dallimet mes një shkrimtari nga tjetri. Veç tjerash, ajo është përdorur për të dalluar letrat autentike nga ato pseudonimike të Paulit në Testamentin e Ri, por edhe për të vërtetuar se Kurani duhet t’i ketë pasur dy autorë të ndryshëm. Vrojtuesve të stilometrisë s’iu mbetë zgjidhje tjetër veç të pranojnë se është e pamundur të përdoret një regjim kaq gjithpërfshirës i gjuhës përgjatë një shkrimi. Për shembull, ata gjetën se 62% e fjalëve nga Sahih el-Buhariu, koleksion voluminoz i Hadithit, nuk gjenden në Kuran, dhe 83% e termeve kuranore nuk ekzistojnë në Hadith.4
  4. Sonetet e Shekspirit nuk ishin njëtrajtësisht elokuente, megjithatë në to mund të vëresh dukshëm copëza madhështore të elokuencës. Në kontinentin tjetër, arabët, të cilët krekoseshin me traditën e “nakd-it” (kritikën letrare) të tyre, zhanër në të cilin ata shoshitnin pamëshirshëm poezitë e njëri-tjetrit, për të lokalizuar edhe finesat më të vogla në zgjedhje të fjalëve, nuk kanë mundur të identifikojnë qoftë edhe një varg kuranor të cilit i nevojitet përmirësim.5
  5. Shekspiri dhe kolegët e tij në asnjë rrethanë s’e kanë gjykuar veprën e tij si tejkalim të aftësisë njerëzore. Te shumë kritikë, ai është kampioni në një arenë plot me garues. Te ca sosh të tjerë, ai është veç një garues. Në fakt, prof. Hugh Craig, nga Universiteti i Newcastle, e ka radhitur Shekspirin në pozitën e shtatë të listës së tij me shkrimtarët më të mëdhenj anglishtfolës, pas Webster-it, Dekker-it, Peele-it, Marlowe-it, Jonson-it dhe Greene-it.6 Për dallim, Kurani i ka skuqur mohuesit dhe i ka sfiduar vijimisht të krijojnë thjesht diç të ngjashme;7 sfidë që s’i ka dalur zot kurrë kush. Siç thotë Allahu:

“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit ﷺ), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.”8

  1. Shekspiri ka përfituar nga liria krijuese e rrëfimit fiktiv. E, Kurani, zbavitjen nuk e ka për qëllim. Përkundrazi, në të rroket teologjia, filozofia, historia dhe ligji – tema të ngjeshura teknike që rëndom nuk e tërheqin vëmendjen e masës. Kurani ka parashtruar të vërteta ekzistenciale komplekse dhe ka mësuar një moral sublim me një përzierje të mrekullueshme të përpikërisë dhe elegancës plot hir. Ai i zbërtheu të këqijat e shumëpërhapura të cilat qenë bërë të normalizuara dhe shpërfaqi hipokrizinë përbrenda – të gjitha narrativat e pakëndshme të cilat s’do të pritej të tërhiqnin përqafim të gjerë. Kurani poashtu i përsërit temat e tij goxha shpesh (për të rrënjosur dhe përforcuar sistemin e tij të vlerave), teknikë së cilës autorët e mëdhenj përgjithësisht mundohen ta mënjanojnë, por me ndryshime artistike në secilin rast, duke e lënë pasurinë retorike të tij të papërlyer.
  2. Ndryshe nga zbavitja e krijuar për t’i shkuar për shtati skenës londineze të shekullit të shtatëmbëdhjetë, Kurani si libër fetar duhej të rezononte me të riun e të vjetrin, me mendjen paramoderne dhe pasmoderne, me personalitetin lindor dhe perendimor, me njeriun e prirur kah shpirtërorja dhe atë të prirur kah intelekti. Kur shqyrtohet efekti i Kuranit në spektrin e gjerë të zemrave dhe mendjeve, përgjatë globit dhe gjeneratave, asnjë tekst në historinë njerëzore nuk ka mahnitur kaq gamë të gjerë njerëzish. Në Amerikë sot, për ilustrim, një garë Kurani do të tërhiqte njerëz nga të gjitha segmentet e komunitetit musliman. Në anën tjetër, një dramë angleze nga Shekspiri zor se do të gjente vlerësim ndër njerëzit e rëndomtë dhe do të joshte veç elitën e edukuar mesatare dhe të lartë.
  3. Shekspiri kishte vite mundësish për të shqyrtuar çka të shtojë e çka të largojë nga veprat e tij. Krahasoje këtë me profetin Muhamed ﷺ, i cili i përçonte vargjet e Kuranit si përgjigje ndaj pyetjeve të pashkruara të njerëzve. Ta zëmë, në Kuran janë trembëdhjetë vargje që fillojnë me “Dhe të pyesin ty (o Muhamed) për… Thuaju…”9 Veç kësaj, ai ﷺ ndodhte të pranojë shpallje kuranore në kushtet më të ashpra, herë kur ishte duke pikuar gjak nga sulmet e herë duke vajtuar të afërmit e tij të vrarë. A nuk kërkojnë “krijimet” kaq spontante të Kuranit kontrast elokuence në mes këtyre dhe atyre të shkruara nën dritën e qiririt, në netë të qeta?
  4. Shekspiri duhet t’i ketë shkruar veprat e tij në formë lineare, duke ndërtuar nga poshtë-lart, siç do të vepronte gjithsecili autor, dhe kishte mundësi të zgjedhë nga paranisja fillimin dhe përfundimin e secilës dramë. Kurani, në anën tjetër, qe mbledhur si një ‘puzzle’ përgjatë tridhjetë e tri viteve. Renditja e Kuranit sot nuk përkon me kronologjinë e zbritjes së tij, por zbritja e ka përcaktuar vendndodhjen e secilit varg në kaptinën e tij përkatëse. Kjo do të thotë se Kurani s’ka shfaqur thjesht konsistencë mahnitëse në strukturën e tij,10 pavarësisht që ishte fjalë e folur dhe jo e shkruar, por ishte disi i dizajnuar me shtesa të ndërthurura, nga tema dhe metrazhe të gjata, shumë prej të cilave kanë adresuar ngjarje të jashtme të paparashikuara aty-për-aty, dhe e gjitha kjo asnjëherë s’e ka gërvishur tapicerinë e tij të pastër.

Përderisa për shumë njerëz mund të jetë e vështirë të kapërdijnë si procesi i një gjuhe mund të jetë mrekulli, el-Bakilani (d.1013) argumenton në librin e tij, “Ixhaz el-Kuran” (Pashkërbyeshmëria e Kuranit), se mjafton të mirret parasysh reagimi i audiences së parë të Kuranit. Në vend se ta mposhtin analfabetin në atë që dinë ta bëjnë më së miri, me ç’rast do t’i jepnin fund fesë së tij që në fillet e saj, thjesht duke iu përgjigjur sfidës së tij për të krijuar diç të ngjashme me Kuranin, ata shpenzuan male me para duke provuar ta njollosnin emrin e tij dhe punuan pa reshtur në pengimin e transmetimit të qoftë edhe një vargu kuranor tek veshët dhe zemrat e vizitorëve në Mekë. Ata madje e shkelën kodin e kavalierizmit dhe të nderit fisnor – marrëveshje e shenjtë për arabët e hershëm – vetëm për t’i ngordhur urie ndjekësit e tij, për t’i torturuar mbështetësit e tij dhe për të filluar luftë kundër komunitetit të tij. 11 Të dështuar nga fjalët e tyre, ata ua mësynë shpatave. Jo pse poetët e tyre më të mëdhenj, sikur Labid ibn Rebiah, po përqafonin Islamin dhe po hiqnin dorë nga poezia, por deklarimi i tyre se kundërshtimi i Kuranit, në fakt, është i pamundur. Kur Velid ibn Mugirasë, armikut të përbetuar të Islamit, i qe kërkuar ta kritikonte Kuranin, ai u përgjigj:
“E çka t’ju them unë? Jam më i dituri ndër ju në prozë, poezi e poema xhinësh, por, për Zotin, ajo që ai e thotë s’shëmbëllen me gjë nga këto. Për Zotin, fjala që ai e shqipton shijon ëmbëlsi, e përmbi të vërtitet një hijeshi magjepsëse. Pjesët më të larta të tij (kuptimet sipërfaqësore) janë frytdhënëse dhe thellësitë e tij vërshojnë para pa pushim. Ai dominon dhe s’mund të dominohet, e s’do mend se do të shtypë çkado që i del para.”12


1 Sami Ameri, Barāhīn en-Nubuwah (Londër: Qendra Takween, 2018), 222–28.
2 Muṣṭafá Ṣādik el-Rāfiʿī, Iʿxhāz el-Kurʾān wel-Balāghah en-Nebewījeh (Beirut: Dār el-Kutub el-ʿArabī, 1973), 308.
3 Shih: Gerhard Bowering, Islamic Political Thought: An Introduction (Princeton University Press, 2015), 186.
4 Halim Sayoud, “Author Discrimination between the Holy Qur’an and Prophet’s Statements,” Literary and Linguistic Computing 27, no. 4 (2012): 427–44.
5 Kur mjeshtrit e arabishtës s’kanë arritur të gjejnë zgjedhje suboptimale të fjalëve (lëre më ndonjë gabim) në Kuran, atëherë absurditeti i kritikëve të mëpastajshëm kristalizohet në pretendimin e tyre se Kurani ka gabime gramatikore. Jo veç që gramatika arabe qe kodifikuar një shekull pasi Kurani qe zbritur, por metodat që gramaticientët kanë përdorur në formimin e diciplinës përfshijnë analizën e vetë Kuranit, përveç teksteve tjera të mëparshme. Rregullat e pikasura u bënë “principet gramatikore” të arabishtes dhe, si rrjedhim, kurdo që gjuhëtaret e mëpastajshëm – pavarësisht fesë së tyre – vërenin mospërputhje në mes të Kuranit dhe të ndonjërës nga këto rregulla, vinin në përfundim se gramaticienti më i hershëm ka bërë lajthitje në vrojtim, e jo se Kurani përmban gabim. Kritikët sot përdorin këtë proces me kahje të kundërt; ata e refuzojnë Kuranin, kryevepër gjuhësore e cilësuar si kanar i gjuhës, duke u bazuar në një vlerësim të gabuar.
6 Hugh Craig, “Shakespeare’s Vocabulary: Myth and Reality”, Shakespeare Quarterly 62, no. 1 (2011): 53–74.
7 Kuran 52:33-34.
8 Kuran 2:23-24
9 Kuran 2:189
10 Në simetrinë tematike të sures el-Bekarah, e njohur formalisht si kompozimi unazor, Dr. Raymond Farrin pohon: “Vërtet, ky kapitull shfaq përpikëri mahnitëse të kompozimit. Është i rregulluar ngjeshur dhe me saktësi, siç e kemi parë, në përputhje me rregullat e kompozimit unazor; madje edhe gjatësitë e paragrafeve përshtatën në përsosuri me skemën e përgjithshme. Për më tepër, struktura precize shërben si udhëzim, duke shenjuar kah temat kryesore në kaptinë. Këto zënë vend, sipas logjikës së modelit, në qendër të unazave individuale dhe, në veçanti, në qendër të të gjithë kapitullit. Në qendër të kapitullit, sërish, gjejmë udhëzime për t’u drejtuar kah Mekeja – kjo duke qenë sprovë besimi – si identifikim për muslimanët si komunitet i ri dhe i mesëm.” Raymond K. Farrin, Sūrat el-Bekarah: A Structural Analysis, (Hartford, CT: Hartford Seminary, 2010), 30.
11 Ebū Bekr Muḥammed ibn et-Ṭajib el-Bākilānī, Iʿxhāz el-Kurʾān (Egjipt: Dār el-Meʿārif, 1997), 1:20.
12 Muḥammed ibn ʿAbd Allāh el-Ḥākim, El-Mustadrak ʿalá es-Ṣaḥīḥajn (Bejrut: Dār el-Kutub elʿIlmījeh, 1990), 2:550 #3872; e saktësuar nga el-Ḥākimi, sipas kritereve të Sahih el-Buharit.


“The Final Prophet: Proofs for the Prophet Muhammad ﷺ”, Muhammad Elshinawy

Përktheu: Festim Klinaku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit