10 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Muaji i Kuranit 5 / A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Zotit

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit 5 / A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Zotit

Zemrat qetësohen nga frika duke gjetur prehje tek premtimi i Zotit, pasi Atë e besojnë, Atij i mbështeten dhe tek Ai shpresojnë të kthehen.
Qetësohen nga mërzia dhe trishtimi, duke mos iu frikësuar asgjëje dhe duke jetuar të kënaqura, pasi janë kënaqur me Zotin dhe Kujdestarin e tyre.
Ato qetësohen nga ankthi, duke u stabilizuar pas destabilizimit, duke u bashkuar pas përçarjes dhe duke gjetur karar pas luhatjes.
Ato qetësohen pas shkapërderdhjes duke u grumbulluar dhe orientuar.
Ato qetësohen nga hilet dhe pusitë e shejtanit, qetësohen dhe sigurohen nga fuqia e pasionit, ngacmimet e armikut, dredhitë e kundërshtarit dhe ligësia dashakeqit.
Për zemrat, nuk ka ilaç më të dobishëm se përkujtimi i Zotit. Sado ti plotësohen zemrës dëshirat dhe qejfet e saj, nëse i mungon dhikri (përkujtimi) i Zotit, ato janë të stresuara, të hallakatura, të frikësuara, të trishtuara, të mërzitura, të trazuara dhe të turbulluara.
Zoti refuzon ta qetësojë dikë që kundërshton dhe shkel ligjet e Tij dhe ta ngushëllojë dikë që rend pas epsheve të tij. E si mund të qetësohet dikush që marrëdhëniet me Zotin i ka të shqyera? Si mund të qetësohet dikush që me Krijuesin e tij është në mëri? Si mund të ngushëllohet dikush që ka harruar Kudestarin e tij absolut, i ka kthyer shpinën Librit të Tij, ka neglizhuar urdhëresat dhe ka shkelur kufijtë e Tij?
Qetësia e zemrës është lumturia pas të cilës rendin të gjithë dhe kërkohet nga të gjithë. Dikush e kërkon tek pasuria, duke mbledhur e vënë prona e para pafund. Por paraja pa besim sjell vetëm vuajtje, ajo është rrënim pa bindjen ndaj Zotit.
Ka të tjerë që e kërkojnë lumturinë tek postet, duke sakrifikuar gjithçka në shërbim të karrierës. Por me ta shtënë në dorë postin aq shumë të dëshiruar, pa besim, është zhgënjyer dhe i është shndërruar në burg.
Ka të tjerë që e kanë kërkuar lumturinë nëpërmjet argëtimit, muzikës, poezisë, pasionit etj… por që kurrë nuk e arriti dot, sepse e larguan nga adhurimi dhe besimi i Zotit.
Ty që të kanë mbuluar retë e halleve e telasheve, shpëtimin e ke tek përkujtimi dhe dhikri i Zotit, vetëm kështu mund të lumturohesh. Ty që të është trazuar zemra dhe ke humbur fillin, përkujto Zotin që të gjesh prehje dhe qetësi. Përkujtimi i Zotit është ilaç, shërim dhe dobi, ndërkohë që përkujtimi i çdo gjëje tjetër të sëmur dhe të bën të vuash. Përkujtimit të Zotit, i mjafton si nder dhe vlerësim fakti që është adhurimi i vetëm që do të ekzistojë edhe në xhenet. Atij i mjafton si shpërblim fakti që është vepra më e mirë. Ai është jetë, por një i droguar dhe i vdekur nuk ndjen. Përkujtimi i Zotit është prehje, siguri dhe qetësi, por një gjynahqar i mbytur në gjynahe dhe një i degjeneruar nuk e njohin.
Fjala  “qetësi” përfshin relaksimin, freskinë dhe rininë. Zemrat i përngjajnë tokës, ose është e butë, e qetë dhe pjellore, ose është e egër dhe e varfër. Urojmë që retë e mëshirës së Gjithëmëshirshmit, të lëshojnë shiun i cili ringjall zemrat për të dhënë frutat më të mirë herë pas here me lejen e Zotit të tyre. “a nuk ka ardhur koha që zemrat e tyre ti përhumben përkujtimit të Zotit dhe asaj që është shpallur me të drejtë?!”

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit