7.4 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Muaji i Kuranit 4 / Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit 4 / Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira

Ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira lidhur me bindjet, fjalët, veprat, moralet, edukatën etj… Ai të çon tek ajo që është më e dobishme, më  perfekt dhe më e drejtë. Sa herë që të lindin dyshime, të përzihen mendimet dhe të trazohet zemra, kërko ndihmën e Kuranit dhe pishtarët e tij. Ai të udhëzon në udhën e mbarë, të drejtë dhe të fisme.
Por, përse vetëm Kurani të udhëzoka drejt asaj që është më e mira?
Sepse ai vjen nga lart, ndërkohë që librat e njerëzve janë poshtë. Ai vjen nga qielli, kurse shënimet e njerëzve bëhen në tokë. Ai vjen nga Zoti i botrave, ndërkohë që librat e tokës burojnë nga balta, origjina e krijimit të njeriut. Ai është libri i Zotit, kurse librat e njerëzve janë produkt i mendjeve të topitura dhe zemrave të trazuara. Ai që e shpalli Kuranin është Krijuesi i universit, kurse ai që shkroi diçka të kundërt me të është krijesë e dheut. Madhështia e Kuranit qëndron në atë se Ai që foli me të për herë të parë, është i Gjithëdituri, i Gjithëurti, Krijuesi perfekt dhe Krijuesi i mbarë njerëzimit. E si të mos qëndrojnë fjalët e Tij mbi çdo fjalë tjetër dhe udhëzimi i Tij mbi çdo udhëzim tjetër?! Ai di gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë, sakaq krijesat e Tij janë xhahile, përveç atyre që udhëzohen me nurin e Tij. Në vartësi të sasisë së nurit hyjnor të përthithur nga robi, gjë e cila duket në udhëzimin e tij, ai gëzon gjykim të drejtë. Kjo, e shoqëruar me kërkim, sakrificë dhe mund.
Kurani udhëzon drejt asaj që është më e mira në çështjen e besimit. Ai fton për monoteizëm të saktë, besim të pastër dhe adhurim të ekuilibruar. Ai udhëzon drejt sistemit politik më të dobishëm, pasi zbaton drejtësinë, i kushton vëmendje të drejtave, qëndron larg çdo forme padrejtësie, dhune dhe diktature. “gjyko mes njerëzve me drejtësi”
Ai udhëzon tek më e mira në morale, pasi bën thirrje për dëlirësi të ndërgjegjes, pastërti të shpirtit, zemrës dhe gjuhës. Ai bën thirrje për ndershmëri, morale të larta, cilësi të fisme dhe etikë mbresëlënëse “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”
Ky Kuran udhëzon drejt më të mirës në shit-blerje dhe çdo marrëveshje tjetër dobiprurëse. Ai nuk lejon mashtrimin, gënjeshtrën, kamatën, hilet dhe pusitë. “Zoti e ka lejuar shit-blerjen, por ka ndaluar kamatën”.
Ai udhëzon drejt më të mirës në jetesë, fitim dhe shpenzim pa shpërdorim dhe pa koprraci. “dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes”
Ai fton drejt më të mirës në ftesë, reformim, edukim, urdhërim për mirë dhe ndalim nga e keqja, urtësi dhe zemërbutësi, larg ashpërsisë, zymtësisë, banalitetit dhe servilizmit. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”
Kurani udhëzon drejt më të mirës edhe në letërsi dhe art, duke mos lejuar të kapërcehen kufijtë, të mos nëpërkëmben vlerat, të mos vihen në lojë parimet, larg ngurtësisë dhe dhunës, por dhe murgjërisë. Ai i beson të bukurës, por jo asaj të degjeneruar, i beson kënaqësisë në kufijtë etik, i beson shijes në kufijtë ku ruhet nderi, i beson dhe përkushtimit të moderuar. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.”

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit