16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Monopoli në tregun e arkave fiskale me ‘vulën’ e ATK-së

Më të lexuarat

Tregu i arkave fiskale në Kosovë praktikisht dominohet nga një kompani e vetme. Hulumtimi zbulon se prapa kompanisë “Gekos” qëndron i njëjti pronar që zotëron 100% të aksioneve në kompaninë tjetër të licencuar për shitjen e arkave fiskale, “Enternet”. Dyshohet edhe për marrëveshje të fshehta mes kompanive.

 

Bizneset në Kosovë printerin fiskal mund ta blejnë vetëm tek një kompani prej katër sa janë të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Këtë eksluzivitet e ka vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj ka pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.

Buletini Ekonomik ka gjetur se të dy këto kompani ‘konkurente’ në tregun e arkave fiskale u pajisën me licencë nga ATK-ja duke pasur pronar të njëjtë.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), kompania “Gekos Sh.p.k” është regjistruar që nga data 7 prill të 2002-s, në pronësi të 4 anëtarëve me të njëjtin mbiemër, ku 25% të aksioneve i posedon Altin Maliq.

Altin Maliq është personi i njëjtë që po ashtu e ka nën pronësi me 100% të aksioneve kompaninë “Enternet Sh.p.k”, e licencuar për shitjen e printerëve fiskal.

Në ARBK, “Enternet” figuron se është regjistruar rishtazi, pra me 31.03.2021, ndërsa më herët ka funksionuar si biznes individual, po ashtu në pronësinë e Altin Maliq. Si biznes individual, “Enternet” tashmë figuron si biznes i shuar në ARBK.

Krahas Enternet dhe Gekos, të licencuar për operim me arka fiskale janë edhe dy kompani tjera; “Dukagjini” Sh.p.k, dhe “Service Global” për derivate. Bazuar në gamën e produkteve që ofrojnë por edhe në pronësinë e përbashkët, atëherë del se “Gekos” dhe “Enternet” zotërojnë pjesën më të madhe të tregut.

Kështu për shitjen e arkave fiskale janë të certifikuara “Gekos”, “Enternet” dhe “Dukagjini”, kurse “Service Global” për sistem fiskal për pompat e benzinës.

Ndërkaq, “Enternet” është e vetmja e licencuar për printer fiskal. Kjo pajisje përdoret sidomos nga bizneset e mëdha dhe është teknologji më e avancuar e arkës fiskale.

ATK hesht rreth dyshimeve për monopol

Dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg është 325 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ATK ka pranuar se “ Enternet”, është e vetmja kompani për shitjen e printerëve fiskal, mirëpo nuk është përgjigjur rreth çështjes së pronësisë së përbashkët mes “Gekos” dhe “Enternet”.

Sipas ATK-së, çdo operator ekonomik i autorizuar ka të drejtë të certifikojë në çdo kohë çfarëdo lloji apo modeli të Pajisjeve Elektronike Fiskale, si: arka fiskale, printerë fiskal apo sistem fiskal, dhe se ATK-ja si mbikëqyrse e tyre nuk mund t’ua përcaktojë numrin e modeleve të këtyre pajisjeve. Pra, ATK-ja thotë se numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen nga operatorët ekonomik (OE) është i pakufizuar.

“Pra Operatorët Ekonomik janë ata të cilët me përkrahjen e partnerëve/prodhuesve të tyre vendosin të përgatisin një apo disa modele të Pajisjeve Elektronike Fiskale, t’i certifikojnë ato modele dhe të kenë mundësi t’i shesin, instalojnë dhe mirëmbajnë pajisjet e tilla fiskale. Mundësia është e hapur për të gjithë Operatorët Ekonomik pa përjashtim”, thonë në ATK.

Se çfarë lidhje kanë me kompaninë “Gekos” nuk janë përgjigjur as nga “Enternet” përkundër insistimit të gazetës.

Adnan Suma nga Enternet ka thënë se“Enternet” është etnitet juridik i veçantë dhe si i tillë funksionon.

“Në tregun e fiskalizimit janë disa kompani dhe që të gjitha funksionojnë konform rregullave fiskale dhe administrative të vëna nga ATK dhe nga Ministria e Financave.”, ka thënë ai.

Sipas tij, Enternet ofron çmime shumë të lira për bizneset.

“D.m.th kësti mujor prej 9.99 eurosh është Arka Fiskale më e lira, në çmimin e së cilës përfshihet Arka, abonimi 4 vjeçar, mirëmbajtja 4 vjeçare dhe garancioni 1 vit”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Bizneset ngrehin dyshime për marrëveshje të fshehtë “Gekos-Dukagjini”

Buletini Ekonomik më herët kishte shkruar edhe për dyshimet rreth një marrëveshje të fshehtë në mes të “Gekos” dhe “Dukagjinit”.

Bizneset e intervistuara kanë thënë se ka pasur raste kur arkën fiskale e kanë blerë në ‘Dukagjin’, kurse mirëmbajtjen e tyre më pas e kanë kryer në kompaninë tjetër ‘GEKOS’. Sipas tyre, madje këto dy kompani shfrytëzojnë të njëjtat zyre.

Për ta verifikuar, Buletini Ekonomik fillimisht ka kontaktuar në “Dukagjin” në numrin zyrtar të publikuar në ueb-sajtin e ATK-së.

“Po zyret janë të përbashkëta, në Veternik. Mundesh me kërku aty arkë të Dukagjinit, po nëse s’ka nuk ka”, ka thënë personi që është lajmëruar në telefon, ndërsa i kontaktuar për herë të dytë i njëjti ka mohuar gjithçka për Buletinin Ekonomik.

Tërthorazi këtë bashkëpunim “Gekos-Dukagjini” e kishte pranuar edhe ATK.

“Ka pasur raste kur Operatorët Ekonomik kanë marrëveshje në mes vete që t’i shfrytëzojnë hapësirat apo zyrat e përbashkëta për të kryer shërbime për Tatimpagues lidhur me Pajisjet Elektronike Fiskale”, kishte thënë ATK në pyetjen rreth këtyre pretendimeve nga bizneset.

“Po ashtu kemi raste kur një Teknik është i Autorizuar për dy apo më shumë Operator Ekonomik, pra i njëjti Teknik i certifikuar dhe Autorizuar mund të instalon dhe mirëmban Pajisjet Elektronike Fiskale për OE nga të cilët është i autorizuar”, thuhej tutje në përgjigjet e ATK-së.

Zyrtarisht nga “Dukagjini” dhe “Gekos” nuk kanë pranuar të flasin rreth këtyre pretendimeve, edhe pas insistimeve të shumta të gazetës.

Çmime ‘astronomike’ të arkave fiskale

Dyshimet për monopol mbështeten edhe nga çmimet ‘astronomike’ për arka fiskale në gjithë këto vite, ani pse në ATK janë të licencuara katër kompani për shitjen e arkave fiskale.

Kështu, përveç çmimeve të larta të arkave fiskale në vend, që sillen rreth 300 deri 330 euro, çmimi i një printeri fiskal në kompaninë e vetme në Kosovë për këtë shërbim, është 452 euro plus TVSH-ja.

Arkat fiskale në këtë kompani kushtojnë prej 239 deri në 299 euro, ndërsa për sistemin fiskal të derivateve, çmimi i një pajisjeje të tillë elektronike në këtë kompani është 4 mijë e 71 euro me TVSH, ndërsa pa TVSH 3 mijë e 450 euro.

Ndërkaq, nga ATK-ja thonë se ata vet si institucion nuk i përcaktojnë çmimet e pajisjeve elektronike fiskale dhe as çmimet e mirëmbajtjes së tyre, por janë operatorët vet ata që i përcaktojnë çmimet. Pra, çmimi i arkave dhe printerëve fiskal në Kosovë përcaktohet sipas vlerës së hapur të tregut.

Sipas informatave të ATK-së, marrë nga operatorët që i ka licencuar, kostoja e abonimit çdo 12 muaj kushton 41 euro me TVSH, kurse kontrolli i rregullt periodik që bëhet çdo 24 muaj kushton 87 euro me TVSH.

“Administrata Tatimore nuk i përcakton çmimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale si dhe as çmimin e mirëmbajtjes së PEF. Pra çmimi i PEF dhe shërbimeve tjera përcaktohet sipas vlerës së hapur të tregut”, thonë nga ATK.

Gjithashtu, nga ATK-ja kanë bërë të ditur se kanë të angazhuar vazhdimisht zyrtarë tatimor të cilët në baza ditore kryejnë vizita në terren, ku krahas detyrave tjera kryejnë edhe verifikimet lidhur me fiskalizimin e bizneseve, përdorimin e PEF nga tatimpaguesit (lëshimin e kuponëve fiskal) dhe funksionalitetin e përgjithshëm të PEF-ëve.

Ata thonë se deri më tani nuk kanë hasur në ndonjë shkelje serioze nga operatorët, ku cënohej siguria e të dhënave në Pajisjet Elektronike Fiskale.

Mirëpo, në rast të shkeljeve, ATK-ja thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për operatorët. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit