3.3 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

MJETET E SEKULARISTËVE NË SHTREMBËRIMIN E FESË NË AMBIENTET ISLAME

Më të lexuarat

Sekularistët, me qëllim të keqinterpretimit të Islamit e për t’i sajuar një imazh monoton dhe negativ në mesin e muslimanëve, kanë shfrytëzuar mjete e metoda prej më të ndryshmeve, si:

1) Përfitimi i disa shpirtligjve dhe njerëzve me besim të dobët nëpërmjet ofrimit të pozitave, shumave të majme parash ose nëpërmjet femrave. Paraprakisht, këtyre u përgatitet terreni te mjetet e informimit, tek mbizotërojnë sekularistët, përmes të cilave këta njerëz para shikuesve paraqiten si dijetarë, analistë, ekspertë etj., në mënyrë që idetë e tyre të përqafohen nga masat.

2) Edukimi i një elite të caktuar personash në djepa sekularë të Perëndimit dhe dhënia e titujve shkencorë, si: profesor, doktor, specialist etj. Më pas, në mënyrë të organizuar, kthehen në vendlindje dhe punësohen nëpër universitete, ku u jepet mundësia t’i devijojnë e t’i shtrembërojnë idetë fetare te masa e arsimuar, që, më pas, do të marrë përsipër udhëheqjen e vendit, dhe, natyrisht, do ta anashkalojë fenë në tërësi. Nga këtu mësojmë rrezikun e pranisë së këtyre sekularistëve në universitetet dhe institucionet tona.

3) Dialogët e shumtë dhe shkrimet e pareshtura për çështje dytësore. Dialogues zakonisht merren dijetarë dhe studentë, që, duke humbur kohën në këto gjëra, anashkalojnë rolin e tyre në këshillim dhe qasje për gjëra që janë më madhore sesa këto.

4) Përshkrimi i dijetarëve dhe studentëve muslimanë në mjetet e informimit si shtresë e devijuar moralisht dhe e dhënë pas epsheve. Kjo ndikon që masa të mos u zërë besë më fjalëve të këtyre dhe kështu e tërë skena informative mbetet në shërbim të tyre.

5) Të folurit e tepërt rreth çështjeve në të cilat ka polemikë mes dijetarëve. Këto gjëra i stërmadhojnë në atë masë saqë te njerëzit krijojnë përshtypjen se feja në tërësi është kundërshtime, mospërputhje e polemika, rrjedhimisht, te dijetarët e saj nuk ka asgjë të njëzëshme. Kjo ndikon që njerëzit të mendojnë se në fe nuk ka asgjë të prerë e të kryer, porse e tëra është vetëm supozime. Sekularistët përqendrohen tej mase në këtë aspekt ngase kjo ua mundëson lehtas synimet e tyre banale.

6) Themelimi i shkollave, universiteteve, instituteve dhe qendrave kulturore perëndimore të mbikëqyrura nga shtetet e Perëndimit që kanë ngritur institucionet përkatëse, të cilat, në njërën anë, punojnë pa pushuar kurrë në dobësimin e lidhjes së muslimanit me fenë e tij dhe, në anën tjetër, përhapjen e ideve sekulare, veçanërisht në studime shoqërore, filozofike dhe psikologjike.

7) Mbështetja jonormative e disa rregullave fetare, që, nëpërmjet interpretimit të gabuar (qëllimshëm) synojnë të përhapin shumicën e ideve sekulare, bie fjala, parimin: El mesalih el murseleh (dobia e përgjithshme, të cilin feja as nuk e ka aprovuar, as nuk e ka anuluar) e kuptojnë gabimisht, ndaj nuk e zbatojnë në vend të duhur. Atë e marrin si parim për të mohuar tërë legjislacionin islam që nuk u përshtatet qejfeve dhe tekeve të tyre, si dhe aprovojnë gjëra që favorizojnë dhe forcojnë rrënjët e sekularizmit në shtetet islame.

8) Po ashtu, edhe parimet e tjera si, bie fjala, “Përzgjidhet e keqja më e vogël, për t’u parandaluar e keqja më e madhe.”, “Domosdoshmëritë i bëjnë të lejuara ndalesat.”, “Lënia e dëmsjellëseve ka përparësi kundrejt tërheqjes së të mirave.”, “Islami është i përshtatshëm për çdo kohë.”, “Gjykimi fetar ndryshon varësisht rrethanave.” i përdorin për të asimiluar Islamin në fetë e tjera dhe për ta çrrënjosur nga zemrat e muslimanëve. Vlen të theksohet se përmes këtyre rregullave të keqkuptuara e të keqinterpretuara ia kanë dalë të bartin sistemet ekonomike e politike në vendet islame, pa u hetuar fare nga muslimanët. Sipas mendimit tim, metoda në fjalë është ndër më të rrezikshmet ngase i mbulon gjërat duke i veshur me petk fetar që krijon iluzionin se qëllimet janë të mira. Kjo metodë ka nevojë për hulumtim të veçantë për të sqaruar realitetin e saj dhe për të flakur këto pështjellime e paqartësi që, në emër të fesë, i përdorin për synimet e ulëta të tyre. Duam të vërtetojmë se mbështetja e tyre në këto parime nuk bëhet pse ata besojnë në to ose në përsosurinë e fesë nga e cila burojnë këto rregulla. Jo. Ato janë instrumentalizuar për realizimin e synimeve të tyre të humbura e të devijuara.

Libri: “Sekularizmi dhe pasojat e tij” Autor: Muhammed Shakir Esh Sherif. Përktheu: Dr. Sedat Islami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit