22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Misionarët e strehuan dhe i dhanë bukë Zekajt: Nuk dyshuam që kishte kryer krim

Më të lexuarat

Misionarët e një shoqate fetare në Tiranë, janë tronditur dy javë më parë, kur kanë mësuar se Albert Zekaj, 32-vjeçari nga Kopliku të cilin e kishin strehuar dhe punësuar në ambientet që administrojnë, u arrestua si autor i dyshuar i vrasjes makabre të Kreshnik Beqirajt.

Fax News bën me dije se për të mësuar të vërtetën , misionarët ndër të cilët tre vajza dhe dy djem, ku vetëm një prej tyre ishte shqiptare, kanë udhëtuar drejt Fierit ditën që do të zhvillohej masa e sigurisë ndaj Albert Zekajt dhe janë paraqitur më pas para hetuesve ku kanë dhënë deklarimet e tyre në mënyrë vullnetare.

Nga burime të Fax News, është mësuar se në deklarimet e tyre që tashmë janë administruar në dosjen hetimore, misionarët e shoqatës fetare janë shprehur se nuk kshin kuptuar asgjë të dyshimtë tek Alberti.

“Jemi tronditur kur e dëgjuam lajmin se Alberti mund të kishte vrarë një njeri. Ai erdhi tek shoqata jonë në muajin gusht të vitit të kaluar dhe kërkoi ndihmë.

I kemi mundësuar strehim, ushqim dhe veshje sa herë që ka pasur nevojë. Madje i kemi siguruar edhe punë me kohë të pjesshme, kur kemi patur mundësi.

Ai dukej i qetë dhe i dëgjuar. Ishte fjalëpak, por kurrë nuk kemi pasur ndonjë dyshim se ai mund të ishte person problematik, e aq më tepër një vrasës. Ai na kishte thënë se kishte pak komunikim me familjen e tij dhe shfaqej si nevojtar, prandaj e kemi ndihmuar.

Asnjëherë, askush prej nesh, nuk ka patur dyshim që ai të kishte kryer një krim. Jemi vërtetë të tronditur që kemi ndihmuar një person të tillë!” – mësohet të kenë deklaruar ndër të tjera para hetuesve pesë misionarët që kanë ndihmuar për disa muaj  Albert Zekajn që të jetonte në Tiranë.

Disa ditë më parë, ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gjaku në banesën ku Kreshnik Beqiraj dhe Albert Zekaj jetonin me qira në periudhën kur u zhduk i ndjeri, duke plotësuar kështu provat ndaj 32-vjeçarin nga Kopliku i Shkodrës.

Kreshnik Beqiraj, 36-vjeçari nga Fieri u zhduk mbrëmjen e 22 Qershorit të vitit të kaluar. Që prej asaj dite familjarët e tij humbën çdo kontakt me të. Prej dy vitesh ai jetonte në shtëpi me qira në Fier së bashku me shokun e tij nga Kopliku i Shkodrës, 32-vjeçarin Albert Zekaj, me të cilin ishte njohur në Belgjikë në një kamp kthimi.

Albert Zekaj ne gjykaten e Fierit

Sipas familjarëve të Kreshnikut, Alberti kishte jetuar në shtëpinë me qira deri në muajin gusht të vitit 2017 dhe më pas kishte shkuar në Tiranë. Ndërkohë, në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, pasi nuk kishin asnjë informacion për vendodhjen e Kreshnikut, daja i tij ka kryer denoncim duke ngritur dyshimet se mund ta kishin vrarë. Pas kësaj, edhe vëllai i Kreshnikut, Donjet Beqiraj është kthyer nga emigrimi dhe ka nisur të bashkëpunojë me policinë e prokurorinë e Fierit për të siguruar të dhëna me qëllim zbardhjen e të vërtetës së zhdukjes së familjarit të tij.

Pas disa muajsh hetime, organi i akuzës ka siguruar prova dhe informacione të besueshme nga të cilat janë ngritur dyshimet se Albert Zekaj mund ta kishte vrarë shokun e tij, Kreshnikun. Pasi është shoqëruar disa herë si person i dyshuar për dijeni mbi ngjarjen, herën e fundit, i ndodhur përballë provave, Albert Zekaj është rrëfyer dhe ka pranuar autorësinë e vrasjes së Kreshnik Beqirajt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit