Vëllezër të nderuar, nuk na është bërë obligim heshtja në këtë ditë të bekuar xhumaje, vetëm e vetëm që kur të kumtohet apo të lexohet fjala e Allahut, ne me shumë vëmendje ta dëgjojmë atë, të këshillohemi dhe të mëshirohemi, ashtu siç na tha Allahu në Kur’anin Famëlartë:
﴿وَإِذا قُرِئَ القُرآنُ فَاستَمِعوا لَهُ وَأَنصِتوا لَعَلَّكُم تُرحَمونَ﴾
“Kur të lexohet Kur’ani, dëgjojeni dhe heshtni (me një heshtje absolute) që ju të mëshiroheni.”
Prandaj, objektivat e ditës së xhuma janë katër:
1. Adhurimi i Allahut në xhemat;
2. Këshillimi i njëri-tjetrit dhe përkujtimi për Takvallerëk;
3. Mëshirimi duke dëgjuar fjalët e Zotit;
4. Lutja dhe pranimi i saj, ashtu siç na tregoi Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi we selem) se ditën e xhuma është një orë në të cilën pranohen lutjet…
Prandaj, duke u nisur nga këto objektiva, vëllezër të dashur, jam këtu para jush me një ndodhi të veçantë që po na informon Allahu (tebareke we teala) në Kur’an!
Kurejshët e Mekës, që ishin fisi i Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi we selem), me prejardhje që nga Ibrahimi (alejhi selam) kur e ndërtoi Qaben, jetonin në Mekë, një vend shkretinor, shkëmbor e jo pjellor. Megjithatë, ata jetonin aty nga tregtia që bënin dhe e kishin zakon të udhëtonin verës në Sham e dimrit në Jemen, për t’i kaluar këto dy stinë të vështira për Mekën si është më mirë, por edhe për të bërë tregti që më pas ta shisnin në Mekë, pasi që njerëzit tuboheshin në atë vend që Allahu e bëri qendër në mes të shkretëtirës.
Allahu këtë fenomen e përshkruan në një sure shumë të shkurtër, shumë të lehtë, që shumica edhe e dimë përmendsh…
Surja Kurejsh, ku Allahu thotë:
Li iilafi Kurejsh…
“Për zakonin e Kurejshëve, zakonin e tyre të udhëtimit të dimrit dhe të verës. Prandaj, le ta adhurojnë Zotin e kësaj Shtëpie (Qabes), i Cili i ushqeu ata nga uria dhe i siguroi nga frika.”
Disa mufesirë po e shpjegojnë fjalën “Për” në fillim të sures si vazhdim i ajeteve të sures paraprake, Surja Fil, ku Allahu ua rikujtoi se si i mbrojti Kurejshët nga sulmi i elefantëve “për” zakonin e këtij udhëtimi, apo thënë ndryshe, që ata të vazhdojnë në këtë zakon në siguri dhe rahati…
Ndërsa shumica e dijetarëve të tjerë thanë që kjo është sure në vete, ku fjala “Për” ka për qëllim: “Adhurojeni Allahun PËR këtë traditë që ua mundësoi.”
Është interesante se nëse ndalemi dhe meditojmë rreth kësaj sureje, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe nga aspekti kuptimor i sures, do të gjejmë shumë ngjashmëri mes Kurejshëve dhe neve që jetojmë sot, në disa aspekte ku del në pah mrekullia e Kur’anit, si në aspektin gjuhësor, po ashtu edhe në aspektin social.
Mrekullia gjuhësore qëndron tek emri Kurejsh, e cila në arabisht vjen nga fjala Kursh, që do të thotë: të fitosh, të grumbullosh. Sikur Allahu na thotë jo vetëm për zakonin e Kurejshëve si fis, por PËR zakonin e të gjithë juve që fitoni e grumbulloni!
Ndërsa mrekullia sociale qëndron tek ajeti në vijim: “Rihleteë-sh-shitai we-s-sajf” (udhëtimin e dimrit dhe të verës). A nuk i përngjan ky udhëtim adetit tonë të pushimeve të verës dhe të dimrit?
E më pas vazhdon me: “Adhurojeni Zotin e kësaj shtëpie”, kësaj shtëpie – Qabes, e cila është sebep që ju, edhe në mes të kësaj shkretëtire, të siguroni jetën tuaj.
Prandaj, sikur Allahu po na thotë: “Për zakonet e grumbulluesve, për zakonin tuaj të pushimeve të dimrit dhe të verës, adhurojeni Zotin e këtyre mirësive, i Cili ju ushqeu nga uria dhe ju siguroi nga frika…”
Vëllezër të dashur, të ndalemi të meditojmë një çast rreth këtyre fjalëve, pasi që me të vërtetë begatitë e Allahut mbi ne janë të shumta. Allahu e përmendi si begati udhëtimin e tyre të asaj kohe – udhëtim pa mjete, udhëtim në shkretëtirë, udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm – dhe prapëseprapë e llogariti si begati me të cilën po ua tërheq njerëzve mendjen që: Adhurojeni Allahun, i cili ua mundësoi këto begati.
Atëherë, çfarë mbetet të thuhet për begatitë tona, ku pushimet tona i bëjmë në lehtësimin më të madh? Nuk kanë të krahasuar kushtet e kohëve të atëhershme me ato të sotshmet.
Zakonet e ngjashme, kushtet e ndryshme, por mesazhi mbetet i njëjtë: (Adhurojeni Zotin e këtyre mirësive).
Por, para se të dal te ky mesazh, nuk po flas për falënderimin si vepër që vjen më pas, por po flas për vetëdijen që ne si besimtarë duhet ta kemi kundrejt mirësive që vazhdimisht na dhuron Allahu. Vetëdije kjo, e cila nuk arrihet pa medituar njeriu rreth gjendjes së dobët të tij dhe nuk arrihet pa pasur njohuri për madhështinë e Allahut…
Prandaj, Allahu i përmendi këto mirësi që: “Ej, vetëdijësohu, medito, mendo prej nga i ke ti këto mirësi, prej kujt i ke ti këto pushime, prej kujt e ke këtë siguri dhe rahati? Çfarë ke ti më shumë aftësi se një banor i Gazës apo qoftë edhe i vendeve të tjera ku zhvillohen lufta? Apo edhe ti je mendjemadh si armiku yt i përbetuar (Shejtani) dhe mendon se je më i mirë e më i aftë se dikush tjetër?”
Dije se ti je vetëm një rob, e robi vlerësohet nga puna që bën, ndërsa unë dhe ti kemi shumë pak punë. Dhe kujtoje e dije që Allahu, me madhështinë, bujarinë, urtësinë e mëshirën e Tij, është Ai i cili po ta siguron ty jetën mes shumë luftërave që ndodhin përreth; ta siguron shëndetin në mesin e ajrit më të ndotur në Evropë; të jep me ngrënë e me pirë në mes të 100 krizave ekonomike, ku matematikisht sot nuk duhej të ekzistonte njeri i gjallë në këto vende…
Mu për këtë, vëlla i dashur, tash në këtë fundvit kur të gjithë bëjnë përllogaritjet vjetore të ekonomisë së tyre, a e ke futur në listë që t’i llogaritësh edhe mirësitë e Allahut ndaj teje?
A e ke shënuar në listën e hyrjeve tua:
• Shëndetin
• Bollëkun
• Hngrënien e pirjen
• Pushimin
• Sigurinë
• Afatizimin që Allahu ta jep
E në listën e daljeve tua:
• Shumë neglizhencë
• Shumë mosfalënderim
• Shumë pak adhurim
• Shumë shpërfillje të mirësive
Kur t’i shënosh edhe këto dhe t’ia vësh lapsin, do ta shohësh se sa minus ke qenë gjatë tërë vitit…
Për fund, vëllezër të dashur, transmeton Xhabir ibn Abdullahu (radijallahu anhu):
سَمِعْتُ رَسولَ اللهِ صَلَّى اللَّهُ عليه وسلَّمَ، قَبْلَ مَوْتِهِ بثَلَاثَةِ أَيَّامٍ يقولُ: لا يَمُوتَنَّ أَحَدُكُمْ إلَّا وَهو يُحْسِنُ الظَّنَّ باللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ.
Transmeton Xhabiri se e ka dëgjuar Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi we selem) tri ditë para vdekjes së tij duke thënë: “Mos të vdesë dikush prej jush, vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun (azze we xhel).”
Ndërsa në një Hadith tjetër Kudsij, Allahu thotë: “Unë jam në mendimin e robit ndaj Meje…”
Hadithi është më i gjatë, por u ndala vetëm te kjo pjesë, pasi që Allahu tha: “Unë jam në mendimin e robit Tim ndaj Meje”, që do të thotë: si ta mendosh Allahun, ashtu do ta gjesh. Nëse ke mendim të mirë për Allahun, ashtu do ta gjesh, sepse e ke menduar ashtu siç i takon e siç është…
E nëse ke mendim të keq për Të, ashtu do ta gjesh, pasi që e ke bërë padrejtësinë më të madhe në tokë duke menduar keq për Atë që nuk i takon as mendimi i keq, e jo më shumë.
Prandaj, t’i pastrojmë zemrat nga mendimi i keq dhe të kemi mendim të mirë për Allahun. T’i pastrojmë sytë nga gafleti dhe t’i shohim mirësitë e Allahut.
Për një pushim ku nuk do të na mundojë e as nuk do të ankohemi as nga ftohti i dimrit dhe as nga nxehti i verës…
