Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Mohammad Ishaq Dar, ka deklaruar se plani i shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës izraelite në Rripin e Gazës nuk përkon me dokumentin që Pakistani, së bashku me vendet arabe e islame, kishte parë gjatë takimit me Trumpin javën e kaluar.
Duke folur para deputetëve në parlamentin pakistanez, Dar tha se në planin e publikuar janë bërë ndryshime thelbësore. “E sqarova se këto njëzet pika që shpalli Trumpi nuk janë tonat. Ato nuk janë të njëjtat me versionin që kishim. Po them qartë: ka ndryshime të dukshme nga drafti që ishte në duart tona,” theksoi ai.
Trump publikoi të hënën një plan që parashikonte: ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, lirimin nga Hamasi të ushtarëve izraelitë të zënë rob brenda 72 orëve, dorëzimin e armëve nga lëvizja dhe kalimin e administrimit të Gazës në një komision ndërkombëtar.
Por sipas portalit amerikan Axios, versioni i shpallur nga Trump kishte pësuar “ndryshime të rëndësishme të kërkuara nga Netanyahu”. Teksti i ri ndryshonte dukshëm nga ai mbi të cilin ishin dakordësuar më herët Uashingtoni dhe një numër vendesh arabe e islame – fakt që shkaktoi zemërim të hapur mes zyrtarëve arabë të përfshirë në proces.
Nga ana tjetër, gazetari izraelit Amit Segal – i afërt me kryeministrin Netanyahu – zbuloi se të gjitha propozimet amerikane në thelb ishin plane të hartuara nga ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer. “Izraelitët e dinë se, nëse i paraqesin vetë, këto ide do të refuzohen. Prandaj i përcjellin ato përmes administratës amerikane,” shkroi Segal.
Edhe gazeta Yedioth Ahronoth raportoi se Izraeli kishte marrë pjesë aktive në hartimin e planit dhe kishte kryer ndryshime mbi të, ndërkohë që Katari dhe Egjipti kanë kërkuar “sqarime” mbi disa pika të tij – duke sinjalizuar hapur hendekun mes versionit që u ishte treguar më herët dhe atij që u shpall publikisht.
Burimi: Al Jazeera + agjenci + shtypi izraelit
