Miliarda në beton, zero siguri!

Më të lexuarat

Ftesa për investime në Samitin e Diasporës asfiksohet në tymin e fasadave që digjen si karton

Ndërsa në qendër të Tiranës zhvillohej Samiti i Diasporës, ku kryeministri Rama ftoi me tone patriotike bashkëatdhetarët të investojnë kursimet e tyre në “kantierin e madh” të Shqipërisë, një re e zezë tymi mbi zonën e “Farmacisë 10” përballë QSUT shërbeu si një përgjigje drithëruese.

Zjarri që “përpiu” kompleksin e ri të banimit nuk ishte thjesht një aksident, por një aktakuzë ndaj një modeli ndërtimi që vuan nga babëzia për fitim dhe mungesa totale e kontrollit teknik.

Në dekadën e fundit, sektori i ndërtimit është trumbetuar si motori i rritjes ekonomike. Miliarda euro janë investuar në Tiranë dhe bregdet, shpesh me origjinë të dyshimtë dhe me një rritje artificiale çmimesh që sfidon logjikën e tregut.

Por, ngjarja dramatike e pasdites së djeshme tregoi se ky “shkëlqim” është vetëm një fasadë. Përtej xhamave dhe betonit, ka një pasiguri alarmante mbi jetën e qytetarëve. Pyetja që djeg më shumë se flakët është: si mundet që një godinë moderne të shkrumbohet brenda pak orësh?

Ekspertët drejtojnë gishtin te fasadat e ventiluara me materiale plastike dhe poliuretan. Ndaj dhe ajo që shitet si “luks” dhe “izolim termik”, doli të ishte një fitil gjigand që përcolli zjarrin nga biznesi i katit të parë deri në majë të pallatit në kohë rekord.

Dhe ky nuk është rasti i parë. Ngjarje të ngjashme në vitin 2021, treguan se ky lloj fasade është një rrezik publik, por autoritetet duket se kanë zgjedhur të mbyllin sytë përballë interesave të ndërtuesve.

Mobilizimi i tetë zjarrfikëseve, dy helikopterëve Cougar dhe forcave speciale RENEA dëshmoi shumë qartë shkallën e emergjencës. Dje patëm 11 të lënduar, mes tyre edhe punonjës të shërbimit zjarrfikës, por ky bilanc është vetëm çështje fati. Nëse zjarri do të kishte rënë në orët e vona të natës, kur familjet ishin në gjumë, sot do të flisnim për një tragjedi kombëtare.

Nuk mund të ketë ftesë të sinqertë për diasporën apo të huajt, kur investimi i tyre rrezikon të bëhet hi për shkak të materialeve të lira dhe mungesës së kontrollit nga shteti.

Inspektoratet që ngrenë “grupe pune” pasi zjarri është shuar, janë dëshmia e një shteti që reagon vetëm kur tragjedia troket në derë.

Është koha që prokuroria dhe organet kompetente të mos mjaftohen me verifikimin e “shkëndijës fillestare”, por të hetojnë me imtësi lejet e ndërtimit, cilësinë e materialeve dhe përgjegjësinë e atyre që kanë firmosur për sigurinë e asaj godine.

Miliardat në beton nuk vlejnë asgjë, nëse ato janë ngritur mbi standarde “zero”. Shqipëria nuk mund të jetë një kantier ku ndërtohet pa rregulla, ku qytetari paguan luks dhe kur në fakt blen një kurth zjarri. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit