Paqja qoftë mbi ty, o miku im!
Zemra më copëtohet sa herë që lexoj në librat e hadithit se një sahabi e pyeti një sahabi tjetër:
– Nga po vjen?
Ai u përgjigj:
– Nga i Dërguari i Allahut ﷺ.
E një sahabi tjetër takoi një sahabi në rrugë dhe e pyeti:
– Ku po shkon?
Ai tha:
– Tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
Sa e thjeshtë…
Sa e bukur…
Nga i Dërguari i Allahut ﷺ dhe drejt tij!
Ah, sa do të doja të shkoja tek ai e t’i thosha:
“O i Dërguari i Allahut, zemra ime po dhemb!”
E ai të ma ledhatonte kraharorin, të më ngushëllonte dhe të mbillte qetësi në zemrën time.
Ndoshta do të më thoshte:
“Mos u trishto! Janë vetëm disa ditë dhe do të kalojnë.”
Ose ndoshta do ta vendoste dorën e tij të bekuar mbi zemrën time e do të thoshte:
“Qëndro e fortë, o zemër!”
Dhe zemra ime do të forcohej e do të qetësohej, sepse edhe Uhudi u qetësua kur ai e thirri.
Ah, sa do të doja që, sa herë të më merrte malli për të dhe lotët e mallit të më pushtonin, ai të më përqafonte me dhembshuri, ashtu si përqafoi trungun e hurmës që qau nga ndarja me të.
E pas kësaj… kjo botë nuk do të kishte më asnjë peshë.
Ah, sa do të doja që, kur të kisha mosmarrëveshje me një njeri të dashur, të shkoja tek ai e t’i kërkoja të ndërmjetësonte për mua. Ai të ecte me mua për të bashkuar zemrat dhe për të shëruar plagën time, ashtu si ndërhyri për Mugithin kur Berira u nda prej tij dhe i tha:
“Po sikur të ktheheshe tek ai?”
Ah, sa do të doja që, kur borxhi të më rëndonte mbi supe, të shkoja tek ai duke ia rrëfyer hallin tim. Ai të ndërmjetësonte për mua tek huadhënësit, ashtu si ndërhyri për Xhabirin dhe i tha atij që kërkonte borxhin:
“Jepi afat Xhabirit!”
Ah, sa do të doja që, kur një mik të më lëndonte, të shkoja tek ai me zemër të copëtuar. Ai të më mbronte, ashtu si e mbrojti Bilalin kur Ebu Dherri i tha:
“O biri i gruas së zezë!”
Atëherë ai i tha:
“A po e nënçmon për shkak të nënës së tij? Vërtet, tek ti ende ka mbetur diçka nga injoranca.”
Ose ndoshta do të isha aq i dashur për zemrën e tij sa ishte Ebu Bekri, e ai do të zemërohej për mua dhe do të thoshte:
“A nuk do ta lini të qetë shokun tim?!”
Ah, sa do të doja që, kur të sëmuresha, ai të vinte të më vizitonte në shtëpinë time, ashtu si vizitoi Sa’d ibën Ebi Uekasin dhe ia qetësoi zemrën.
Ah, sa do të doja që, kur diçka të më pikëllonte, ai të më ngushëllonte, ashtu si ngushëlloi djaloshin të cilit i kishte ngordhur zogu i vogël.
Ah, sa do të doja që, edhe për shqetësimin më të vogël, të shkoja tek ai, e ai të ma lehtësonte barrën dhe të kujdesej për çështjen time, ashtu si u kujdes për një vajzë të vogël shërbëtore dhe ndërmjetësoi për të tek familja e saj, kur ishte vonuar në kryerjen e një pune.
Ah, sa do të doja të udhëtoja me të, ta ruaja me zemrën dhe me sytë e mi. Ndoshta do ta zinte gjumi mbi kafshën e tij nga lodhja, e unë do ta mbështesja. Atëherë ai do të më thoshte, ashtu si i tha Ebu Talhës:
“Allahu të ruajttë, ashtu siç e ruajte Profetin e Tij!”
Ah, sa do të doja të luftoja pranë tij në ditën e Uhudit; ta paraprija Talhën dhe ta përkulja shpinën time para tij, që ai të shkelte mbi të e të ngjitej në shkëmb.
Ah, sa do të doja që, sa herë jeta të më ngushtohej, ai të kalonte pranë meje, ashtu si kaloi pranë familjes së Jasirit dhe u tha:
“Durim, o familja e Jasirit! Takimi juaj është Xheneti.”
Atëherë çdo dhimbje do të bëhej e lehtë.
I dashuri im, o i Dërguari i Allahut ﷺ!
Sa shumë kam mall për ty!
Allahu na bëftë prej atyre që do të nderohen me shoqërinë tënde në Xhenetin Firdeus.
Dhe paqja qoftë mbi zemrën tënde.
Ed-hem Sherkavij
