8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Milanoviç: Shqipëria meriton të bëhet pjesë e BE-së

Më të lexuarat

Presidenti kroat u shpreh se problemi qëndron në paragjykimet e Evropës Perëndimore ndaj Ballkanit dhe muslimanëve

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, u shpreh se Shqipëria do të duhej të ishte në një fazë shumë më të avancuar të integrimit në Bashkimin Evropian (BE), duke shtuar se problemi qëndron në paragjykimet e Evropës Perëndimore ndaj Ballkanit dhe muslimanëve, raporton Anadolu.

Milanoviç në Zagreb ka pritur presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduan për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mike dhe aleate, Kroacisë dhe Shqipërisë, si dhe situatën në rajonin e Evropës juglindore dhe rrugën evropiane të Shqipërisë pasi ky vend nisi zyrtarisht negociatat vitin e kaluar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti kroat Milanoviç marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Shqipërisë i vlerësoi si miqësore dhe tha se Kroacia po bënë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta ndihmuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria, për mendimin tim, prej kohësh duhej të ishte shumë në një fazë shumë më të lartë të integrimit në Bashkimin Evropian. Nuk kishte asnjë arsye realiste politike, të sigurisë e as ekonomike që Shqipëria tani të mos ishte në fund të negociatave. Kjo nuk ndodhi, por besoj se do të bëhet për shkak të paragjykimeve jo vetëm ndaj Shqipërisë por edhe ndaj disa vendeve të tjera”, tha Milanoviç, duke shtuar:

“Problemi krysor qëndron në paragjykimet e Evropës Perëndimore ndaj Ballkanit, muslimanëve, sepse Shqipëria është një vend i banuar kryesisht nga qytetarë të besimit musliman dhe ky është padyshim një problem për Evropën Perëndimore”.

Ai më tej u shpreh se Kosova është realitet, shtet i njohur nga shumica dërrmuese e BE-së dhe NATO-s.

“Disa vende nuk e kanë njohur, po t’i pyesje pse nuk e kanë njohur, nuk do të gjejnë një shpjegim. Do të bëjmë gjithçka, dhe asnjëherë për të provokuar Serbinë, por për t’i bindur, aq sa është e mundur edhe pse është e vështirë, se ky është realitet. Realiteti është se Kosova është pjesë e Evropës, se do të njihet nga të gjitha vendet evropiane në një të ardhme jo të largët dhe se Serbia është në një situatë disi skizofrenike politikisht, në një situatë të ndarë, në të cilën nga njëra anë, fantazon për marrëdhëniet me Rusinë, për të cilën Serbia është vetëm një varëse e vogël, dhe nga ana tjetër, ata duhet të jetojnë në Evropë. Çështja e Kosovës, për fat të keq, është e pandashme nga çështja e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Milanoviç.

Ai vlerësoi se shumica dërrmuese e qytetarëve serbë e kanë pranuar realitetin e Kosovës dhe se Serbia duhet të “ecë” në këtë drejtim.

Milanoviç shtoi se Serbia nuk do të pyetet për procesin e pavarësisë së Kosovës, por se është pjesë e rëndësishme e zgjidhjes. Ai tha se Serbia e humbi Kosovën sepse “nuk ishte zotërues i mirë”.

I pyetur nga gazetarët për shpërthimin e mundshëm të konfliktit në rajon për shkak të Kosovës dhe statusit të Republikës Srpska, entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Milanoviç tha se zona nuk kërcënohet nga një konflikt i afërt lufte.

“Së pari, këtu asnjë vend nuk është i armatosur seriozisht. Për një konflikt serioz mes entiteteve të kësaj hapësire nevojiten njerëz, të cilët po mbeten gjithnjë e më pak, të rinj që janë akoma më pak, u nevojiten armë, sisteme luftarake dhe municione që nuk i kanë. Që dikush nga jashtë të përfshihet, këtu i referohem Rusisë, kjo është e pamundur”, tha presidenti kroat.

Ai ndër të tjera komentoi edhe fitoren e Jakov Milatoviçit në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, duke theksuar se askush nuk e konteston fitoren e tij dhe duke shtuar se ai ka mbështetur politikisht Milo Gjukanoviçin në zgjedhje. Ai theksoi se Mali i Zi është vend i pavarur dhe anëtar i NATO-s dhe se vendi ka kornizë dhe rrugë politike të përcaktuar qartë.

Milanoviç foli edhe për rëndësinë e lidhjes rrugore të Shqipërisë me vendet evropiane, si dhe rëndësinë e forcimit të lidhjeve detare midis porteve të Plloçës dhe Durrësit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit