7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Mesiq: Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtri, as nuk mund t’i imponojë zgjidhje

Më të lexuarat

“Në punët e brendshme të Malit të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, ka ndërhyrë një politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të ‘botës serbe’”, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë.

Në këtë mënyrë, Mesiq komenton tensionet në Mal të Zi që ka shkaktuar shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Malazezët janë thellësisht të ndarë për lidhjet e vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Dhe duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mesiq thotë se, qartazi, “dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.

Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, ndërsa për Kosovën thotë se është njohur në masë të madhe dhe se të tjerët që nuk e kanë pranuar, “do ta bëjnë këtë”.

“Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë”, ka thënë ndër tjerash sa i përket rastit të Malit të Zi, Mesiq.

Ndërsa sa i përket asaj nëse sheh ngjashmëri në proceset e sotme në Mal të Zi, Bosnje, Kosovë me ngjarjet e fillimit të viteve ’90, Mesiq ka thënë se duket qartë se “dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.

“Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka”.

“Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani?”

“E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot”, ka thënë Mesiq.

Në këtë drejtim, sipas tij, vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme.

“Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën”.

“Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ai ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre”.

“Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj”.
“Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës”, ka thënë ndër tjerash ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiq. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit