Mes frikës dhe shpresës: Pse njerëzit e devotshëm i trembeshin përfundimit të jetës? – Ebu Is’hak el Huvejni

Më të lexuarat

Ibn Xheuzi thotë: Pash Zotin, shikoje gjendjen e atij që e ka kaluar jetën e tij në devotshmëri dhe bindje, se si pastaj i vjen një sprovë në çastet e fundit dhe ai përmbyset në buzë të shpëtimit.

Është si një grup njerëzish që janë në një anije: e shohin bregun, kanë mbetur vetëm pak metra, janë gati të zbresin, të kthehen te shtëpitë dhe familjet e tyre; por pikërisht para se anija të mbërrijë në mol, ajo godet një shkëmb të madh, përmbyset dhe fundoset – në çastin e ngjitjes.

A ekzistojnë njerëz të tillë? A ka nga ata që e kalojnë jetën në devotshmëri dhe bindje, por nuk u jepet shpëtimi në fund? Po, ekzistojnë.
Ka njerëz që sprovohen në çastet e fundit të jetës.

Për këtë arsye, njerëzit e devotshëm kishin frikë nga përfundimi i keq (sū’ el-khātimeh).
Edhe nga lutjet e Profetit ﷺ ishte:

“O Ti që i forcon zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.”
“O Ti që i kthen zemrat, ktheji zemrat tona drejt bindjes Tënde.”

Por ne kemi një parim të qëndrueshëm në Kuran:
“Vërtet, Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që bën mirë.”

Atëherë lind pyetja: Si është e mundur që ai që ka bërë mirë dhe e ka kaluar jetën në bindje, të sprovohet në fund?

Përgjigjja gjendet në hadithet e sakta të Profetit ﷺ:
– hadithi i Sehl ibn Sa‘dit në dy Sahihët,
– hadithi i Ebu Hurejrës te Muslimi,
– hadithi i Enesit te Buhariu, Muslimi dhe Imam Ahmedi.

Kur këto hadithe mblidhen dhe krahasohen, pamja bëhet më e plotë.

Në hadithin e Enesit – transmetuar nga Imam Ahmedi dhe të tjerë – Profeti ﷺ ka thënë:
“Mos u mahnitni me veprën e ndokujt derisa të shihni se me çfarë përfundon. Sepse robi mund të veprojë me vepra që, sikur të vdiste mbi to, do të hynte në Xhenet, por pastaj përfundon duke vepruar me vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në Zjarr. Dhe robi mund të veprojë me vepra të banorëve të Zjarrit, por pastaj në fund vepron me vepra të banorëve të Xhenetit dhe hyn në Xhenet.”

Në hadithin e Ebu Hurejrës (te Muslimi dhe Ahmedi) Profeti ﷺ ka thënë: “Robi mund të veprojë për një kohë shumë të gjatë me veprat e banorëve të Xhenetit, por kur mes tij dhe vdekjes mbetet vetëm një pëllëmbë, ai vepron me veprat e banorëve të Zjarrit dhe hyn në të. Dhe robi mund të veprojë për një kohë të gjatë me veprat e banorëve të Zjarrit, por në fund vepron me veprat e banorëve të Xhenetit dhe hyn në të.”

Zgjidhja e kësaj çështjeje vjen në hadithin e Sehl ibn Sa‘dit (te Buhariu dhe Muslimi):
një burrë luftonte me trimëri dhe sahabët e konsideronin trim të .adh. Kur u përmend te Profeti ﷺ, ai tha: “Ai është nga banorët e Zjarrit.”
Më pas u pa se burri, i dëshpëruar nga plagët, vrau veten. Atëherë Profeti ﷺ tha fjalën vendimtare:

“Robi mund të veprojë me veprat e banorëve të Xhenetit në atë që u duket njerëzve, por në fund vepron me veprat e banorëve të Zjarrit dhe hyn në të.”

Dhe e mbylli duke thënë: “Veprat gjykohen sipas përfundimit të tyre.”
Këtu zgjidhet e gjithë dilema: fjala kyçe është: ‘në atë që u duket njerëzve’.
Prandaj, kur Ibn el-Xheuzi thotë: “shikoje atë që e ka kaluar jetën në devotshmëri dhe bindje”,
duhet patjetër të shtosh:
“në atë që u duket njerëzve”,
që të mos lindë dyshimi: si ka mundësi që dikush e kalon jetën në bindje dhe pastaj përfundon keq? Në realitet, bindja e tij ishte vetëm në dukje.

Ashtu siç sheh njerëz që jetojnë gjithë jetën në mëkate, pastaj në Ramazan tregojnë devotshmëri të përkohshme, shkojnë në Umre, flasin për adhurim – e sapo mbaron sezoni, kthehen te e njëjta shthurje.
Ose dikush që jep lëmoshë, ndërton, shpenzon për bamirësi, por jo për Allahun, por për sy e faqe, për famë dhe konkurrencë.

Edhe sikur dikush të ketë kaluar një pjesë të jetës në punë të mira, nëse nijeti nuk ka qenë i sinqertë, sprova e fundit e nxjerr në pah realitetin.
Unë vetë – thotë ligjëruesi – kam njohur një njeri që e konsideronim “Ibn Tejmije i kohës sonë”:
i fortë në argument, fitonte debate, mbrojti teuhidin.
Por në fund të jetës së tij, shkroi libra kundra fesë së tij, e përqeshi shpalljen dhe vdiq mbi këtë gjendje – sipas asaj që na u duk neve.
Prandaj Sufjan eth-Theuri qante në çastet e vdekjes. Kur e pyetën: “A po qan nga frika e mëkateve?”,
ai tha:“Për Zotin, mëkatet e mia janë më të lehta për mua se kjo; unë kam frikë nga përfundimi i keq.”

Dhe recitoi: “Dhe atyre do t’u shfaqet nga Allahu ajo që nuk e kishin llogaritur.”

Prandaj, çdo njeri që punon duhet të ketë frikë për veten,
të mos mashtrohet me veprat e tij,
por të vazhdojë të përpiqet,
të kërkojë afrimin te Allahu,
ta akuzojë veten për mangësi,
sepse kjo e shtyn drejt përmirësimit të veprës dhe sinqeritetit të saj.

✍ Ebu Is’hak el Huvejni (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu: Fatjon Isufi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit