Një artikull i mrekullueshëm nga shkrimtari: Shouqi Al-Qadi, i cili shkruan:
Unë pretendoj dhe falënderimi i qoftë Allahut se kam qenë bir i mirë dhe i bindur ndaj babait tim, dhe nuk më kujtohet të kem qenë ndonjëherë i padëgjueshëm apo ta kem mërzitur (me dëshirë ose pa dëshirë)!
Por sot pasi ai na la ndiej keqardhje kur mendoj se kurdoherë që i ofroja një shërbim apo ndihmë, ai më thoshte:
“Faleminderit”…
Dhe unë e besoja, duke qetësuar ndërgjegjen time se ai me të vërtetë nuk donte asgjë.
Unë besoja se nëse do të kishte nevojë për diçka – qoftë ajo që unë i ofroja apo diçka tjetër – ai do të më thoshte ose do të pranonte.
Sot, kur u rrita
dhe u bëra baba i gjashtë të rinjve,
e kuptova “gënjeshtrën e prindërve” kur ata thonë: “Faleminderit!”
Dhe e kuptova “marrëzinë e fëmijëve” kur ata u besojnë prindërve të tyre kur thonë “Faleminderit!” duke e marrë atë si të vërtetë, sikur ata me të vërtetë nuk duan gjë.
O bij dhe bija:
Mos i besoni prindërve tuaj kur ata ju thonë “Faleminderit!!!”
Sepse ata e thonë atë për “të mos ju lodhur,”
ose nga turpi,
ose nga mirësjellja,
ose për ndonjë arsye tjetër.
O bij, gëzojini ata pa kërkuar leje dhe pa pyetur.
Nëse siç thotë fjala e urtë jemenite “koprrac është ai që ua ofron shërbimin të tjerëve kur ata e kërkojnë”,
atëherë ç’mund të themi për atë që ia ofron shërbimin babait ose nënës së tij?!
Ai do të jetë koprrac, mendjelehtë dhe ndoshta i privuar nga shumë të mira të bindjes dhe mirësisë ndaj prindërve.
Betohem në Allahun, ata gëzohen shumë, shumë, shumë kur ju u ofroni atyre shërbim, dhuratë apo ndihmë “pa e pyetur” dhe “pa ua ofruar paraprakisht”.
Ata gëzohen shumë, shumë, shumë kur i nderoni, i çoni për shëtitje, i madhëroni dhe i bëni pjesë të jetës suaj, të punëve dhe aktiviteteve tuaja, qoftë edhe vetëm me një bisedë apo marrje mendimi, edhe sikur të jenë në shtratin e vdekjes.
Më fal, o baba im,
sepse kam qenë i marrë.
Allahu i mëshiroftë baballarët dhe nënat tona që kanë ndërruar jetë dhe na bashkoftë me ta në Xhenetin Firdeus.
Dhe Zoti i bekoftë kohët tuaja me prindërit tuaj me të gjitha të mirat, dashurinë dhe harmoninë, e ju udhëzoftë në t’i nderuar ata dhe në fitimin e kënaqësisë së tyre.
“O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur kur isha i vogël.”
