Sot u njoha me një term të ri: “mburrja me të qenit i zënë” (Busy bragging), të cilin disa ekspertë e quajnë edhe “mburrje me lodhjen” (Stress bragging). Ky fenomen është shtuar dukshëm në kohët moderne. E vërejmë në të folurin e shpeshtë për ngarkesat e punës dhe në mburrjen me detyra, madje edhe me ato më të thjeshtat, ndërkohë që në realitet këta persona nuk arrijnë të kryejnë aq sa flasiShumë njerëz kanë filluar të ekzagjerojnë në përshkrimin e nivelit të angazhimit të tyre dhe në pretendimin se nuk kanë kohë për asnjë punë shtesë, ndonëse angazhimi i tyre shpesh mbetet vetëm në dukje.
Studiuesit kanë identifikuar disa arsye pas këtij fenomeni, ndër to lidhja e vlerës personale me nivelin e angazhimit. Kjo e shtyn individin të shtiret si i zënë, për të shmangur ndjesinë se është pa vlerë. Të qenit i zënë shihet si shenjë rëndësie; sa më pak i zënë të jetë një person, aq më pak i rëndësishëm perceptohet, dhe aq më lehtë mund të zëvendësohet. Kjo mund të çojë në ulje të vetëvlerësimit.
Në disa raste, pretendimi i angazhimit shërben si mjet për t’iu shmangur përgjegjësive, për të mos marrë detyra të reja, ose si justifikim për t’iu shmangur aktiviteteve dhe detyrimeve shoqërore. Në raste të tjera, shtysa mund të jetë dëshira për t’u përshtatur me shoqërinë, në përpjekje për të krijuar ndjenjën e përkatësisë në një grup “të zënë”.
Ndërsa në disa situata, ky angazhim është thjesht një iluzion psikologjik: personi ndien se është vazhdimisht i zënë dhe se i mungon koha, por shkaku i vërtetë qëndron në menaxhimin e dobët të kohës dhe në paaftësinë për të organizuar detyrat e përditshme.
/ A. Hanaa Xhaber/
