10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

MARRËDHËNIET MES FA SHQIPTARE DHE MALAZEZE, TË RËNDËSISHME

Më të lexuarat

Marrëdhëniet midis Forcave të Armatosura shqiptare dhe malazeze janë mjaft të rëndësishme, vlerësoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral major Xhemal Gjunkshi, i cili me ftesë të homologut të tij malazez, Kundëradmiral Dragan Samarxhiç, po bën një vizitë zyrtare në Malin e Zi.Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë takimit, Samarxhiç shprehu vlerësimet më të mira për bashkëpunimin midis dy Forcave të Armatosura në nivel reciprok, rajonal dhe më gjerë.

Dy krerët e lartë ushtarakë të dy vendeve diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, të bashkëpunimit rajonal e në kuadër të Aleancës, si dhe çështje të tjera me interes reciprok. “Vizita zhvillohet në një kohë që Forcat e Armatosura të dy vendeve kanë një histori të pasur të bashkëpunimit reciprok, në fusha të ndryshme si ato operacionale, në emergjencat civile, në fushën e arsimimit, në bashkëpunimin mjekësor, etj. Gjithashtu, kjo vizitë zhvillohet pas një sërë ngjarjesh të rëndësishme si Samiti i Çikagos, Konferenca e Shefave të Mbrojtjes e Ballkanit, takimeve në kuadrin e A5, të SEDM-it etj”, tha Gjeneral major Gjunkshi.

Gjatë takimit, të dy shefat e mbrojtjes shkëmbyen mendime rreth tematikave që edhe më parë kanë qenë objekte të trajtimit në këto forume.

Në këtë kontekst, u trajtuan edhe propozimet e ndërsjellta për implentimin e filozofisë së “Smart Defense”, që tashmë është kthyer në një filozofi udhëheqëse për vendet e NATO-s dhe vendet partnere.Në kuadrin rajonal, të dy vendet kanë pjesëmarrje mjaft aktive dhe ndajnë filozofi të njëjtë për paqen dhe sigurinë në rajon. Forcat e Armatosura të dy vendeve janë pjesëtarë dinamikë të nismave rajonale në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve bazohet në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Malit të Zi, që daton që nga qershori i vitit 2008. Mbi bazën e këtij memorandumi u hartua plani i bashkëpunimit bilateral për vitin 2009. Ky vit shënon për herë të parë firmosjen e planit të bashkëpunimit dypalësh me Malin e Zi.

Edhe më specifik paraqitet plani i bashkëpunimit për vitin 2012, i cili konsiston në fusha të tilla si shkëmbim vizitash të nivelit të lartë; shkëmbim eksperience në fushën e Rojës Bregdetare; pjesëmarrje e ushtarakëve malazezë në kurset e gjuhës angleze që zhvillohen në Qendrën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë; pjesëmarrje e ushtarakëve malazezë në kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në TRADOC; shkëmbim eksperience në fushën e demontimit të armatimit dhe municioneve të tepërta, etj.TRT/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit